English

Tepenelë, policia asgjëson 98 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa, ishin mbjellë në pyll

Tepelenë, 7 korrik NOA - Efektivat e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me efektivat e Komisariateve të Policisë Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet kanë asgjësuar sot 98 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa.

Policia ka sot nisur fazën operuese për shkatërrimin e parcelave të mundshme të kultivuara me bimë narkotike të cilat janë evidentuar gjatë fazës investiguese dhe konkretisht.

Sipas policisë dje pasdite Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë, gjatë një kontrolli të ushtruar në shtratin e lumit Bënçë të rrethit Tepelenë kanë evidentuar një parcelë të hapur rishtas të kultivuar me bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Parcela ndodhej në shtratin e Lumit Bënçë, në afërsi të fshatit Bënçë, në një zonë të pyllëzuar dhe ishte hapur rishtas për të kultivuar bimë Kanabis Sativa.

Grupi hetimor ka konstatuar se në këtë parcelë ishin të mbjella 98 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 70 centimetra deri në 90 centimetra të larta .

Një pjesë e këtyre bimëve janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe pjesa tjetër është asgjësuar në vend me anë të djegies.

Ndërkohë policia ka shoqëruar tre persona nga Tepelena si autorë të dyshuar, por nga veprimet hetimore nuk ka rezultuar se këta persona kishin lidhje apo dijeni për këtë vepër penale dhe për këtë arsye janë lënë të lirë.

Po vazhdon puna për evidentimin e autorit, dokumentimin me prova ligjore dhe më pas kapjen dhe çuarjen para drejtësisë për veprën penale të "Kultivimit të bimëve narkotike".

k.k/NOA

KOMENTE