English

PS, Dokle: U manipulua përmes vendosjes së KZAZ në ambiente private

Tiranë, 8 korrik NOA - Kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Namik Dokle ka dhënë një deklaratë për shtyp sot me anë të së cilës bëri të ditur një nga teknikat e makinerisë elektorale të Sali Berishës, për manipulim dhe deformim të rezultatit të zgjedhjeve, duke shkelur rëndë parimin për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta.

"Është fjala për vendndodhjen e qendrave të votimit. Kodi elektoral e përcaktonte qartë, se "qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe VNV-ve, nuk mund të krijohen në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi pjesërisht ose tërësisht të një partie politike, apo kandidati ose të afërmve të tij' tha Dokle.

Sipas Dokles, PS ka denoncuar dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në 92 raste.

"Nga të gjitha këto, vetëm në Qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në ZAZ 56 të Kamzës dhe Bathores. Komisioni i kësaj Zaz-je, në mbledhjen e tij më datë 14 qershor 2009, më shumicë votash kundërshtoi vendimin nr. 51, datë 8 qershor 2009, të Kryetarit të Bashkisë së Kamzës, për vendosjen e qendrave të votimit. Për këtë kundërshtim votoi edhe përfaqësuesi i PR-së, në këtë Kzaz, zoti Zenel Muka, të cilit më pas iu bën presione dhe kërcënime. Por më të keqen e bëri KQZ, më saktë pjesa e detashmentit politik të Sali Berishës, e cila nuk mori në konsideratë këtë ankesë dhe kërkesë së shumicës së komisionit të zonës administrative zgjedhore nr 56. ashtu siç parashikohej në këto qendra votimi, votimet u bënë me presione të shumta mbi komisionerët dhe votuesit, gjë që deformoi në shumë raste vullnetin real të zgjedhësve" tha më tej Dokle.

Sipas tij, në 6 qendra private, PD ka marrë më pak se sa në 11 qendra votimi publike, çka tregon se në këto qendra votimi në lokale private, me militant të PD, janë bërë manipulime të shumta.

"Ndaj ne do të kërkojmë që në këto qendra votimi, të bëhet rishikimi i të gjithë fletave, i listave, nr të pasaportave, kartave të identitetit, për të verifikuar këtë element të manipulimit të votave në Kamzë, në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë" përfundoi Dokle.

k.k/NOA

KOMENTE