English

Mali i Zi kërkon riatdhesim të 16 mijë kosovarëve që u zhvendosën në luftë

Podgoricë, 9 korrik, NOA - Ministri malazez i Punës dhe Përkujdesjes Sociale, Suad Numanoviç ka deklaruar se është detyrim i përbashkët i Podgoricës dhe Prishtinës që të krijojnë kushte për kthimin sa më të shpejtë të refugjatëve kosovarë, të cilët jetojnë në Malin e Zi.

Numanoviç tha se rreth 16 mijë qytetarë që u zhvendosën nga Kosova në vitin 1999 vazhdojnë të jetojnë në Malin e Zi.

Ai vizitoi Prishtinën për t'u kërkuar autoriteteve kosovare që të mundësojnë kthimin e të gjithë atyre që janë të interesuar të jetojnë në Kosovë.

Këtë kërkesë ministri malazez e shprehu gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramë Manaj.

Refugjatët kosovarë të cilët gjetën strehim në Malin e Zi pas tërheqjes së forcave serbe dhe hyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999, janë kryesisht serbë, malazezë dhe romë.

Zëvendëskryeministri kosovar, Ramë Manaj premtoi krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë të zhvendosurve. Sipas tij në proces është kthimi nga Mali i Zi i më se 300 refugjatëve.

Ndërkaq, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës për kthimin e të zhvendosurve nga Mali i Zi në Kosovë pritet t'i hapë rrugën edhe bashkëpunimit në fushat e tjera si dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën në tetor të vitit të kaluar, duke nxitur reagime të ashpra në Serbi.

n.e/NOA

KOMENTE