English

Sejdiu, në Kuvend:Serbia të heqë dorë nga shantazhet

Prishtinë, 9 korrik NOA-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka cilësuar proces të vështirë rindërtimin e marrëdhënieve me Serbinë për sa kohë ajo nuk pranon të bashkëpunojë.

Në fjalimin e tij vjetor të mbajtur në parlament, presidenti Sejdiu ka theksuar se Serbia po sponsorizon struktura paralele në veri të vendit.

"Në këto struktura paralele ka plot persona të inkriminuar në krime të rënda, të cilët i kanë shumë borxh popullit të Kosovës, por edhe popujve të tjerë të rajonit dhe në rend të parë drejtësisë"-u shpreh Sejdiu.

Më pas presidenti u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të integrohen në jetën politike e qytetare në Kosovë.

Sipas tij, pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet lokale të nëntorit të këtij viti, do të ishte një porosi e fuqishme për të ardhmen e përbashkët dhe perspektivën e të gjithëve në Kosovë.

Presidenti u bëri thirrje të gjithë personave të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe nënvizoi se Kosova u garanton jetë të qetë dhe të ardhme të sigurt.

Në fund të fjalimit, presidenti Sejdiu tha se Kosova është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, por me kusht që ajo të heqë dorë nga politikat e destruksionit dhe të shantazheve ndaj Kosovës.

Ai shtoi se Kosova do të mbetet faktor i paqes së qëndrueshme në rajon dhe do të këmbëngulë në ruajtjen e tërësisë tokësore dhe paprekshmërisë së saj.

m.i/NOA

KOMENTE