Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Konsumatori i qetë
English

Konsumatori i qetë

Pyetja "A jemi funksionalë?" gjithsesi nuk është pyetje e jona. Është pyetje e korporatave të huaja dhe politikanëve që janë në shërbim të tyre. Ajo shpërfaq një vizion teknologjik të tyre mbi neve dhe vendin tonë

Nga Albin Kurti

Jemi apo nuk jemi shtet funksional? Cilado përgjigje do të mund të ishte e saktë. Sepse pyetja është e gabuar. Nuk duket se jemi shtet tamam. Ose, mbase, vetëm duket se jemi shtet tamam. Shteti i Kosovës ngjan si një ‘objekt për të tjerët' (61 të tjerë) dhe jo si ‘objekt në vetvete'. Me shprehjet e Immanuel Kantit, shteti i Kosovës është një phenomenon pa noumenon. Shteti e ka monopolin në përdorimin legjitim të dhunës, thoshte Max Weberi. Kësisoj, paradoksalisht, del se në Kosovë shtet janë KFOR-i e EULEX-i, që nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. KFOR-i, sikurse EULEX-i, është neutral karshi statusit. E po mirë atëherë, jemi apo s'jemi një vend funksional? Përsëri, cilado përgjigje do të mund të ishte e saktë. Sepse, sërish pyetja është e gabuar. Funksional për çfarë dhe për kë? Dhe, kush po pyet kështu? Janë me qindra shtete, krahina e regjione anekënd globit që janë shumë funksionale… si koloni. Ato janë funksionale, në radhë të parë, për ata që i eksploatojnë ato. Ka shtete të mirënjohura që shkëlqejnë së funksionuari, ama në kuadër të një kornize politike dhe ekonomike që quhet neokolonializëm. Neokolonializmi është i verbër ndaj skllavërisë që e shkakton. Ai nuk e dallon aq robërimin e njerëzve prej eksploatimit të pasurive natyrore. Sepse, nuk e dallon aq natyrën nga njerëzit: është natyrë sepse është indigjene; është indigjen sepse është natyror. Të drejtat e njeriut bëhen të drejtat e natyrës të cilën e bleu korporata. Privatizimi këtu është veçse eufemizëm për uzurpimin dhe eksploatimin, mutacion bashkëkohor i asaj që tradicionalisht është quajtur okupim. Nëse të tjerët na e bëjnë këtë pyetjen "A jemi funksionalë?", së paku ne s'duhet t'ia bëjmë vetes sonë, apo jo? Pyetja "A jemi funksionalë?" gjithsesi nuk është pyetje e jona. Është pyetje e korporatave të huaja dhe politikanëve që janë në shërbim të tyre. Ajo shpërfaq një vizion teknologjik të tyre mbi neve dhe vendin tonë. Martin Heidegger e urrente teknologjinë. Ai konsideronte që ajo e shndërron botën në resurs (që duhet shfrytëzuar, natyrisht) duke e tëhuajësuar Dasein-in nga bota e natyra si habitus spontan të tij. Kjo pyetje e tyre, në fakt, është përgjigje. Pyesin nëse Kosova është shtet funksional sepse të tillë duan ta bëjnë. Të funksionueshëm. Që do të thotë: të shfrytëzueshëm. Konstatimi se Kosova nuk është shtet funksional bëhet për t'i hapur rrugë mënyrës së tyre të bërjes së Kosovës shtet funksional. Ankesat për mosfunksionimin e Kosovës e sheshojnë terrenin për funksionimin e saj. Ende ka pengesa legale e juridike, ende mungojnë marrëveshjet midis politikanëve, dhe ende ka popullatë jo aq të disiplinueshme, që e bëjnë Kosovën një vend jo sa duhet funksional. Në njërën anë politika dhe në anën tjetër mekanizmat represivë të shtetit janë lehtësuesit e procesit të funksionalizimit të Kosovës. Ky funksionalizim kohë pas kohe koagulon në shifra. Si p.sh.: 2100 MW. Kaq do të jetë kapaciteti energjetik që planifikohet të ndërtohet. Kapacitet mbi rezervat e thëngjillit në Sibofc, të cilat do t'i shfrytëzojë korporata fituese. Argumenti kryesor i tyre është që Kosova nuk ka mundësi veteksploatuese. Mbase, njëmend s'kemi kapacitete financiare që bëjnë ndërtime për eksploatimin e një miliard ton linjiti për 2100 MW, porse kaq shumë energji as që na duhet. Pra, na duhet ta pranojmë se s'paskemi kapacitet, por ama për projektin e tyre! Ndoshta po bëhemi gjithnjë e më funksionalë pikërisht pse s'jemi shtet me gjithë mend? Ndoshta po mbetemi ‘light shtet' që të funksionalizohemi më kollaj? Ndoshta. Mirëpo, shteti, edhe sikur ta kishim të njëmendtë, vetëm si i tillë, nuk është zgjidhje garantuese. Shteti është thelbësisht koncept konservativ. Shteti e ruan rendin ekzistues, apo jo? Shteti është policia që do qetësi të publikut. Megjithëkëtë, tërësia e mekanizmave dhe organeve shtetërore i nënshtrohen politikës shtetërore e cila më së shumti varet nga Qeveria. Atëherë, cili është drejtimi politik dhe ekonomik që ‘light shtetit' të Kosovës ia ka dhënë Qeveria? Është ky drejtimi që s'është i tyre, e vegla të të cilit janë ministrat në krye me Hashim Thaçin: neoliberalizmi, tregu si rregullator i derregullimit. Pra, tregu pa shtet? Jo bash ashtu. Tregut të lirë dhe ‘shenjtërisë' së pronës private, megjithatë iu nevojitet shteti si aparat i dhunës për t'i mbajtur e ruajtur, që do të thotë se ato s'janë aq të natyrshme siç na predikojnë ekspertët e ekonomisë së pushtetit. Por, cila atëherë duhet të jetë pyetja jonë, pyetja jashtë të qenit funksional, pyetja që duhet t'ia bëjmë vetvetes? Në vend të pyetjes "A jemi funksionalë?", duhet të kalojmë tek ajo tjetra: "Çka prodhojmë dhe si duhet rritur prodhimi ynë?". Prodhimi në Sibofc nuk do të jetë yni. Për pasojë, as profiti. Përgjigja jonë në pyetjen tonë se çka prodhon Kosova, në radhë të parë për popullin e saj, dhe si duhet rritur prodhimi, do të paraqiste një qëndrim strukturues dhe organizues të vendimeve të mëtutjeshme për politikën ekonomike të Kosovës. Kalimi nga fjalët ‘funksion' dhe ‘funksional', te fjalët ‘prodhim' dhe ‘prodhimtari', është parakusht i çfarëdo politike ekonomike vendore. Mjafton t'i shikojmë Mitrovicën dhe Gjakovën, dikur qytete të zhvilluara industriale, për të parë se ku jemi katandisur në mungesë të një politike ekonomike të vendit e për interesa të vendit. Përndryshe, pa politikë ekonomike të veten, Kosova do të mbetet një vend i konsumit pa prodhim. Një vend me shitore shumë afër rrugëve (qofshin ato edhe magjistrale apo autostrada). Sepse, s'ka më fabrika, por veçse shitore pa fund. Do të mbetemi një vend i konsumatorëve që kërkohet të mbesin të qetë. Po pra: konsumatori i qetë. Konsumator para billbord-ave ku lexon "Thuaji jo dhunës!". Ky është ideali i korporatave të huaja: t'i konsumojmë produktet e tyre dhe vendi të jetë stabil. Duke konsumuar je më i qetë; duke qenë i qetë, konsumi është më i kollajshëm. Ata janë prodhuesit e egër të cilëve ne iu duhemi si konsumatorë të qetë.

KOMENTE