English

Lajmet e rreme, si po sulmojnë partitë dhe institucionet shqiptare

Tiranë, 12 korrik NOA - Ajo që në botë, ka ndodhur rëndom prej vitesh, por mbi bazën e masave të larta të sigurisë po rrallohet gjithnjë e më tepër, në Shqipëri tani po kthehet në modë.

Piratët modestë të internetit, po vërshojnë këto ditë, gjithnjë dhe më tepër.

Ata po përpiqen kryesisht t'i prishin punë rivalëve të tyre politikë e nganjëherë edhe thjeshtë për t'u tallur.

***

Jozefina Topalli, është nxehur keqas, kur ka parë atë intervistë që nuk e kishte dhënë kurrë, por që iu shpërnda disa mediave në Shqipëri dhe jashtë saj.

E pikërisht, nga adresa zyrtare e Parlamentit, zyra e shtypit, ose së paku kështu demonstrohej në email.

Kjo intervistë që po të publikohej, do të ishte një skandal, e alarmoi kaq shumë Topallin, sa urdhëroi stafin e saj të marrë një për një në telefon të gjitha mediat e t'u lutet që të mos e marrin në konsideratë emailin me intervistën sipas tyre, imagjinare.

"Te nderuar kolege, dikush ka përhapur me email një intervistë të pavërtetë të Kryetares së Kuvendit. Ju lutem nëse ju vjen një email i tillë, kini parasysh që është i gënjeshtërt", - ishte kërkesa e mbërritur nga zyra për shtyp e Topallit që iu nis medieve edhe me një email të klasifikuar si "Urgjent!".

Çamët e PDI

Lojën e deklaratave për shtyp me email, që në këtë periudhë zgjedhore "piratët" e partive e dendësuan goxha, e hapi informacioni "zyrtar", i mbërritur nga PDI (Partia për Drejtësi dhe Integrim që njihet dhe si partia e çamëve.

Pikërisht dy ditë pas zgjedhjeve, kur mandatet e PD dhe PS, ishin kokë më kokë, një email mbërrin nga adresa zyrtare e PDi te gazetarët dhe redaksitë e sektorit politik të medieve.

Sikundër shumë gazetarë pohuan, emaili erdhi pikërisht nga e njëjta adresë si edhe më parë që jepeshin informacione dhe deklarata për publikim.

Në email, nënshkruar nga kryetari i PDI, Tahir Muhedini, shpallej dalja nga koalicioni me PD dhe kalimi te PS.

Një gjë e tillë përkthehej si fitore de facto e PS atë ditë, sepse me 66 mandate të saj dhe PBDNJ dhe 4 të mundshme të LSI-së, PS arrinte në 71 mandate që jepnin shansin për të krijuar qeverinë e re duke e klasifikuar PS-në si fituese të zgjedhjeve.

Në email, thuhej se i bëhej thirrje "Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj", duke u kërkuar rishikim i votave nën pretendime për një mandat të dytë, PDI shprehte bindjen se "nëse kërkesa e saj nuk do të merret në konsideratë, atëherë përfaqësuesit e Minoritetit të çamëve do të rishikojnë marrëveshjen parazgjedhore te arritur për zgjedhjet e vitit 2009 me Partinë Demokratike".

Ky email, u përgënjeshtrua nga kryetari i PDI, Tahir Muhedini, përmes një daljeje të posaçme për mediat. Ai tha se emaili është dërguar nga njerëz që synojnë shkatërrimin e koalicionit PD-PDi dhe siguroi se nuk kishte asgjë të vërtetë.

LRI-LSI

Një tjetër email i rremë (të paktën kështu u deklarua zyrtarisht nga LSI), u shpërnda për mediat, nga adresa zyrtare e LRI (Lëvizja Rinore për Integrim).

Ky email ishte goxha më i rafinuar. Aty gjendeshin një tufë me dokumente të deklaruara si zyrtare, madje të protokolluara dhe të regjistruara me numër protokolli dhe sqarohej si "dokumenti Nr. 18/1 Tiranë 06/07/2009, i është faksuar kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim".

Në letrën dhe peticionin drejtuar kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi bëheshin disa vlerësime dhe konstatime, i kërkohej kryetarit Ilir Meta, të kujtonte faktin se "vota e 28 Qershorit ishte vota për planin e veprimit të LSI dhe një votë kundër Sali Berishës".

"Duam t'ju bëjmë me dije se, si votues të LSI dhe si anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim, jemi në mënyrë absolute kundër një bashkëpunimi të mundshëm të LSI për krijimin e një qeverie me Sali Berishën", - thuhej në deklaratën e firmosur nga Erisa Xhixho dhe 499 LRI-istë dhe LSI-stë të tjerë, emrat e të cilëve dhe faksimilja e peticionit, gjendeshin bashkëlidhur deklaratës.

Pak orë më vonë, në Tiranë zhvillohej konventa e LSI që do të miratonte ose hidhte poshtë, pranimin nga Meta të ofertës së Berishës për koalicion qeveritar PD-LSI.

Në të vërtetë, Erisa Xhixho doli para të rpanishmëve në Konventë dhe u shpreh pro paktit Meta-Berisha.

Në këtë mënyrë, shkresa e dërguar u duk se ishte e rreme, ashtu siç tha dhe zëdhënësi i LSI, Dritan Ylli një ditë më pas.

Sipas Yllit, emaili ishte një përpjekje e "konkurrentëve" për të dëmtuar paktin dhe të ndikonte në Konventën e LSI, ku në të vërtetë vetëm Pëllumb Xhufi u shpreh kundër koalicionit me Berishën.

PS

As Partia Socialiste nuk i shpëtoi manipulimit të internetit përmes shfrytëzimit të adresave elektronike.

Një email tjetër që vinte në dyshim qëndrimin e PS për zgjedhjet dhe për fatin e Edi Ramës, iu shpërnda shumë mediave.

Në email i kërkohej nga eksponentë të njohur të PS, Edi Ramës, që të jepte dorëheqjen dhe të pranonte humbjen në zgjedhje.

Ky email, detyroi zëdhënësen e PS, Armela Imeraj të njoftojë të gjitha mediat se bëhej fjalë për një deklaratë të rreme, e sajuar sipas saj, nga "konkurrentët".

"Të nderuar Kolegë! E-maili që ju keni marrë nga Ajola Xoxa, Megi Ajtyresa, Pamela Rama, Holta Nika, etj ju konfirmojmë se nuk është i vërtetë', - ishte reagimi i Imerajt.

***

Këto akte "pirateske", janë vetëm një pjesë e vogël e atyre bëmave të internetit që po trazojnë çdo ditë dhe më tepër politikën shqiptare.

Duke vënë kështu në dyshim serioz teknologjinë moderne të komunikimit dhe transmetimit të të dhënave dhe duke sjellë në vëmendje, rëndësinë e konfirmimit paraprak të informacionit qoftë edhe kur ai vjen nga rrugë zyrtare ose më saktë, shfrytëzim të kanaleve zyrtare.

e.l/NOANjoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

KOMENTE