English

Vendimi, 25 vjet burgim për "ushtarin" e Altin Dardhës

Tiranë, 14 Korrik NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka dënuar sot me 25 vjet burgim "ushtarin" e Altin Dardhës.

Sipas vendimit të dhënë nga gjykata Kasemi është fajtor për veprat penale të "vrasjes me paramendim", armëmbajtje pa leje" dhe "vrasjes së mbetur në tentativë".

Ngjarja për të cilën akuzohet Kasemi ka ndodhur më 25 shkurt të vitit 1998, kur së bashku me Altin Dardhën dhe me Agron Bilalin kanë tentuar të vrasin Burhan Tomorrit, i cili i kishte vrarë të atin Altin Dardhës.

Dardha, së bashku me shokun e tij Altin Isufi, dhe Agron Bilali e Gëzim Kasemi, e kanë gjetur Burhanin në një lokal pranë stadiumit "Tomori", jo më shumë se 100 metra nga Komisariati i Beratit.

Dardha ka qëlluar mbi 150 herë me një mitraloz të lehtë mbi viktimën, duke vrarë aty edhe 3 persona të tjerë.

Pas kësaj ngjarjeje, Altin Dardha largohet për në drejtim të Greqisë, ku ekzekutohet nga kuçovari, Arjan Paja.

Gëzim Kasemi u ekstradua 2 vjet më parë nga Milano e Italisë. Pas ekstradimit ai kërkoi edhe rigjykimin e tij, pasi vendimi ishte dhënë në mungesë.

Gjatë procesit gjyqësor dëshmitarë të shumtë kanë treguar se i pandehuri ishte parë nën shoqërinë e Altin Dardhës.

/a.k/e.l/NOA/

Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i lajmit dhe fotos, prodhime të NOA, pse nuk citohet burimi, në të kundërt media abuzuese do të përballet me ndëshkime ligjore

KOMENTE