English

Kryetarja e Gjykatës së Lartë: Ne zbatojmë Ligjin, të mos spekulohet për korrupsion

Tiranë, 20 korrik NOA - Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka lëshuar një deklaratë për shtyp sot më anë të së cilës bënë të ditur se në radhët e gjyqësorit të sotëm është prezent fenomeni i korrupsionit por sipas saj organet e specializuara të ngarkuara me ligj për zbulimin dhe goditjen e këtij fenomeni punojnë në mënyrë konstante për plotësimin e detyrës së tyre.

"Transparenca e veprimtarisë gjyqësore na detyron të dalim para opinionit të gjerë publike më tej dhe të qartësojmë misionin kushtetues dhe ligjor të drejtësisë në vendin tonë. Në krye të pushtetit gjyqësor qëndron Gjykata e Lartë, si shkalla më e lartë e sistemit gjyqësor për dhënien e drejtësisë dhe si gjykatë ligji që ka në kompetence të vendosë përfundimisht për ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të apelit e të rretheve gjyqësore, duke vlerësuar respektimin ose zbatimin e keq të ligjit gjate marrjes së vendimeve dhe shkeljet proceduriale që kanë ndikuar në dhënien e këtyre vendimeve. Ajo ka gjithashtu kompetencën kushtetuese për interpretimin e ligjit në dhënien e drejtësisë nga gjykatat e shkallëve më të ulta të pushtetit gjyqësor" thuhej në deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lartë lëshuar mesditën e sotme.

Ajo deklaron më tej se Gjykata e Larte ka pavarësi të plotë në dhënien e vendimeve, autoritet e integritet të lartë, imunitet dhe garanci kushtetuese e ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve të avancuara të një shteti demokratik e juridik. Për shqyrtimin dhe zgjidhjen e morisë së rekurseve kundër vendimeve të dy shkallëve më të ulta të pushtetit gjyqësor, Gjykata e Larte shprehet vetëm me vendime të arsyetuara dhe të argumentuara, që në tërësinë e përmbajtjes së tyre përcaktojnë bazueshmërinë në ligj të veprimtarisë së saj.

"Është i njohur fakti se në radhët e gjyqësorit të sotëm është prezent fenomeni i korrupsionit. Organet e specializuara të ngarkuara me ligj për zbulimin dhe goditjen e këtij fenomeni punojnë në mënyrë konstante për plotësimin e detyrës së tyre, por mediat, analistët, njerëzit e veshur me pushtet politik apo shtetëror, krahas domosdoshmërisë së denoncimit me fakte dhe prova të fenomenit korrupsion në gjyqësor, duhet që në mënyrë po kaq konstante të injektojnë në opinionin publik idenë se çdo problem, i madh apo i vogël, që është shtruar për zgjidhje në organet e drejtësisë, zgjidhjen e drejtë dhe ligjore do ta gjejë në gjykatë" thuhej më tej në deklaratë.

"Publiku dhe të gjithë faktorët politik, shoqëror dhe ligjor duhet të kontribuojnë me forcë dhe vendosmëri për evidentimin dhe goditjen e këtyre spekulanteve, jashtë dhe brenda drejtësisë, duhet të punojnë pandërprerë në drejtimin e ndryshimit të një mentaliteti të gabuar e tepër të dëmshëm që ekziston sot, se atë që të takon apo pretendon se të është mohuar, mund ta fitosh lehtë nëpërmjet korruptimit të gjyqtareve dhe prokurorëve të veçante" tha më tej kryetarja e Gjykatës së Lartë..

Sipas saj Gjykata e Lartë shpreh angazhimin e hapur publik se pavarësinë dhe kompetencat e pushtetit gjyqësor që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji do t'i vërë gjithmonë në themel të zgjidhjeve ligjore, objektive dhe profesionale të çështjeve që janë në juridiksionin e saj. Presionet e çfarëdollojshme që ushtrohen mbi Gjykatën e Lartë nuk mund të lëkundin qëndrimin e saj të vendosur për zbatimin e ligjit gjatë procesit vendimmarrës gjyqësor.

KOMENTE