Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Reportazh/ Aksidenti fatal që shndërroi superstradën në lumë gjaku
English

Reportazh/ Aksidenti fatal që shndërroi superstradën në "lumë" gjaku

Nga Klodiana Kotorri & Alket Aliu

Durrës, 26 Korrik NOA (Fotot Updated) - Orët e para të ditës së diel, dukeshin të qeta në superstradën Durrës-Tiranë dhe thuajse të gjithë banorët përreth, aty, në zonën e Maminasit që ndodhet aq afër asaj që e njohin si autostradë për shkak se ka trafik-ndarës, po flinin gjumë.

Shumë pak njerëz, ndoshta me kokrra, i kishin sytë hapur në orën 06.30, duke u ankuar me njëri-tjetrin se vapa po bën të vetën edhe në mëngjes herët dhe se gjethja nuk po lëviz.

Pjesa tjetër e banorëve të zonës, në këtë të diel, as që mendonte të ngrihej aq herët nga gjumi, duke vendosur si çdo fundjavë, t'i dhurojnë shtratit të fjetjes edhe pak orë më shumë.

Befas asgjë nuk ishte më si pak çaste më parë, kur Shabani, një burrë rreth të 50-ave, që ruan një nga bizneset buzë superstradës, pa se një furtunë viktimash po provokohej nga përplasja e disa makinave, krejt papritur, duke prishur qetësinë e zagushisë së mëngjesit.

***

Ishte ora 06.40 e mëngjesit të së Dielës, kur një përplasje e fortë u dëgjua në kilometrin e 12-të të rrugës kombëtare Durrës-Tiranë pranë Maminasit.

Një makinë tip "Wolksvagen" me targa të Tiranës, TR 0458 S, që drejtohej nga një e re, befas gjendet në krahun e kundërt të lëvizjes, pikërisht në kahun ku duhet të kalojnë makinat e sensit tjetër.

Kjo gjë rezultoi fatale. Ndonëse ende askush nuk e di pse 27 vjeçarja Dolores Skënderi hyri në kahun e kundërt të superstradës, ajo që dihet mirë nga dëshmitarët okularë dhe policia e mbërritur pak minuta pas tragjedisë, është se aty u krijua një "kasaphanë".

Makina e drejtuar nga Dolores Skënderi, pak çaste pasi kishte hyrë në sensin e kundërt të lëvizjes, u përplas fort me një makinë që vinte në drejtimin normal të udhëtimit.

Duke mos mjaftuar kjo përplasje, një tjetër makinë që ishte pas të dytës, u përfshi dhe ajo në aksident.

Përplasja ka qenë kaq e fuqishme sa të gjithë personat që gjendeshin në makinën e drejtuar nga Dolores Skënderi, u përgjakën fatalisht.

Në vendngjarje, konstatohej se makina me të cilën po udhëtonin Dolores Skënderi dhe viktimat e tjera të saj, kishte marrë goditje në pjesët anësore.

Përplasja ka qenë aq e fuqishme sa makina jo vetëm është ndarë në dy pjesë por edhe ka shkaktuar pesë të vdekur në vend.

Që të gjithë ishin dasmorë që ktheheshin nga një gëzim martesor dhe ndodheshin në të njëjtën makinë, atë me targa TR 0458 S.

Viktimat u identifikuan si 27-vjeçarja Dolores Skënderi, nëna e saj Haxhire Skënderi 60 vjece, Eduart Lekdushaj 57 vjeç, gruaja e tij Lumturi Lekdusha, 50 vjeçe, si dhe Lindida Limani, 43 vjeçe.

Edhe në makinat e tjera, po ashtu me targa të Tiranës TR 0988 G, si dhe TR 5184 L, u shënuan viktima, të plagosur.

Policia e mbërritur shpejt në vendngjarje, arriti të dërgojë në spitalin Ushtarak të Tiranës, 18-vjeçarin Ilir Bardhi, moshatarin e tij Noel Papuli, si dhe 17-vjeçaren Elda Mallkutaj.

Që të tre banorë të qytetit të Tiranës, të rinjtë po udhëtonin në drejtim të kryeqytetit dhe paraprakisht, mjekët thanë se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

***

Bllokimi i superstradës në kahun ku ndodhi tragjedia, nuk zgjati më shumë se një gjysmëorësh, por skenat që panë me sytë e tyre forcat policore, sikundër pohuan dy prej tyre, nuk do të harrohen dot lehtë.

Për shkak të përplasjes së frikshme, katër femrat dhe mashkulli që gjendej me ta, ishin dëmtuar në mënyrë të tmerrshme.

Vetë ndarja e makinës më dysh nga përplasja fatale, bëri që edhe trupat e shoferes dhe katër pasagjerëve të saj, të dëmtoheshin në mënyrë të dhimbshme.

Policia u detyrua të mbledhë pjesët e trupave të shpërndara rrotull makinave të përfshira në aksidentin që e shndërroi rrugën kombëtare në një "lumë" gjaku, herët në mëngjes, duke prishur qetësinë rutinë, të banorëve dhe rrugës që fatkeqësisht, shumë herë, shndërrohet në superstradë vdekjeje.

Edhe më e dhimbshme u bë "procedura" në morgun e spitalit të Durrësit ku u dërguan viktimat. Vetëm Dolores Skënderi u arrit të identifikohej për shkak se iu gjend një leje drejtimi automjeti.

Të tjerët u identifikuan nga të afërmit në morg, duke iu treguar rrobat që të ndjerët mbanin veshur.

k.k/v.m/NOA

KOMENTE