Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Gjeneral Kudusi Lama: E vërteta shqiptare do të dalë në dritë
English

Gjeneral Kudusi Lama: E vërteta shqiptare do të dalë në dritë

Një bashkëpunim i agjencive NOA-INA

Tiranë, 27 Korrik NOA/INA - Gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lama në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA flet për detaje të luftës së UCK-së në Kosovë, për luftën në Maqedoni, Luginë të Preshevës, për situatën në Mitrovicë, Marrëveshjen e Ohrit si dhe zhvillimet aktuale dhe të sigurisë në rajon.

I nderuar Gjeneral Kudusi Lama po mbushen 10 vjet nga çlirimi i Kosovës, cili është mendimi juaj nga dita e sotme, mendoni se UÇK-ja mund të bënte me tepër gjatë luftës së vitit ‘98-99?

Së pari duhet saktësuar se Lufta Çlirimtare e Kosovës nuk ka filluar në vitin 1998, por shume kohë më herët. Ndërsa më 28 Nëntor 1997, përfaqësues të UÇK-së kanë dalë hapur para popullit. Prandaj duhet saktësuar mirë, për arsye se ka edhe nga ata që kur flasin për luftën, shprehen qe ajo ka filluar me fillimin e goditjeve ajrore të NATO-s dhe të tillë për çudi gjen edhe në Tiranë, por edhe në Prishtine, pa folur që në Prishtine gjen edhe nga ata që janë krejt jashtë standardit kombëtar shqiptar, që nuk e pranojnë fare luftën. Ashtu siç ka edhe nga ata që edhe sot akoma nuk kanë preferuar të vënë e të bëjnë homazhe tek varri i Adem Jasharit. Por them se mirë bëjnë që nuk shkojnë, se të tillët vërtetë janë të pa vlefshëm për të shkelur te ato ambiente. Sidoqoftë, le të kthehemi tek pyetja juaj: Të jeni i sigurt, Ju dhe gjithkush që merret me këto analiza, se NATO me goditjet që i dha Serbisë e shpëtoi atë. Populli i Kosovës kishte vendosur të fitonte lirinë cilido që të ishte çmimi. Kështu që Serbia është e qartë se do të shkaktonte më shumë dëme dhe do të vriste më shumë civilë, por do të vinte një ditë që do të mposhtej me turp. Ndërhyrja e NATO-së, bëri që Serbia të iki me shpejtë dhe të ruaj jo vetëm nderin e saj, por të mbajë edhe disa territore shqiptare, ashtu sikurse të jetë pjesëmarrëse në mjaftë diskutime, për të diktuar mjaftë kufizime të cilat janë të dukshme edhe aktualisht. Pra UÇK-ja nuk u lejua të parakalojë fitimtare në paradën e përfundimit të luftës në Prishtinë. Kjo është ajo që nuk arriti të bënte UÇK-ja, por jo për faj të saj.

Megjithatë gjithmonë kur bëhen analiza të veprave të kryera, gjenden edhe mjaftë defekte e mangësi, ashtu si edhe mundësi të pa shfrytëzuara. Prandaj nëse vërtetë duam të bëjmë një analize profesionale politiko - ushtarake, duhet të ndalemi të analizojmë kushtet në Kosovë, në rajon dhe më gjerë. Pa një analizë të tillë, nuk mund të kemi një vlerësim real për arritjet dhe mosarritjet.

Megjithëse ne nëpërmjet këtyre luftërave nuk arritëm ta çlirojmë plotësisht dhe ta bashkojmë kombin tonë, duhet të pranojmë se në këtë fazë është kryer një detyrë e rëndësishme. Autore e kësaj arritje, siç është pavarësia e Kosovës, është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Çdo mendim ndryshe nuk është shkencor.

"BAC U KRY" ishte parulla kryesore në ditën e shpalljes se pavarësisë së Kosovës vitin e kaluar, mendimi juaj ju lutem?

Me thënë të drejtën vihem në pozitë të vështirë me këtë pyetje, sepse dihet që në pikëpamje ideale, ajo detyrë kombëtare për të cilën janë bërë betimi dhe sakrificat e luftëtarëve të UÇK-së, ishte çlirimi dhe bashkimi i gjithë trojeve kombëtare shqiptare. Ndërsa UÇK u ndal në mes të rrugës, por si hap i parë, realisht pavarësia e Kosovës u realizua, kështu që në këtë kuptim parulla "BAC U KRY" më duket e saktë.

Nëse mund të na përshkruani disa detaje të luftës së Kosovës, për vështirësitë e saj dhe si u zhvillua koordinimi i UCK me NATO-n?

Lama: Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte kurorë e lavdisë shqiptare. Ajo ishte një kompleks trimërie, zgjuarsie, qëndresë, sakrificë, uniteti, disiplinë, dashurie, intelekti, etj. Nuk mund të thuhen element historik të saj në një intervistë të tillë. Unë po punoj që të nxjerrë në dritën e diellit gjithçka që unë di për këtë luftë. Çdo prononcim në këto kushte do të varfëronte idenë për madhështinë e kësaj lufte. Një ditë do ti keni të gjitha ato që dëshironi, nëse do të jem gjallë.

Dhjetë vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, Mitrovica akoma e ndare në dy pjesë, si e shihni të ardhmen e këtij qyteti?

Një ditë dëgjoja një këngëtare kosovare e cila këndonte një këngë, ku kishte një varg që me erdhi shumë provokative, kur thuhej: "jo nuk ndahet Mitrovica" dhe unë thash me zë "ah sikur të arriheshin fitoret me këngë...". Vërtetë në Mitrovicë duhet punuar fortë. Vetëm duke qëndruar pa u lëkundur para askujt mund të arrihet në fitore. Mitrovica është një sfide shqiptare për momentin.

Të bëjmë kujdes me trevat që kanë bërë histori. Ai qytet dhe ato treva një ditë do të jenë të lira. Se kur nuk e di. Se si mund të arrihet kjo e di mire.

Jam i sigurt që politika e Beogradit nuk do të ecë edhe për shumë kohë. Do ti bijën puplat edhe Beogradit se nuk ka kush kohë me të shkojë pas politikës mesjetare të tij. Megjithëse Europa akoma vazhdon ta përkëdhele dhe kjo është një tregues rreziku për shqiptarët që kërkon prej tyre të jenë shumë vigjilent për të mbrojtur veten, pasi Europa jam i sigurt se po të kishte fuqi edhe një herë i kishte shitur si bagëti për interesat e Serbisë.

Mendimi juaj si Gjeneral i Divizionit të Kukësit, sa janë të vërteta akuzat se në Kukës gjatë luftës në Kosovë ka patur qendra ku janë ekzekutuar civilë serb. Nga kush mendoni se dalin këto akuza dhe sipas jush cili është qëllimi?

Ajo kohë ishte koha e lavdisë kombëtare shqiptare. Nuk ka qenë kohë kriminelësh. Në atë kohë kishte madhështi dhe jo shfrytëzim vrimash, sic po tenton dikush të deklaroj. Por kjo është një temë në vete nuk mund të sqarohet me një pyetje tuajën.

Në Kukës nuk ka patur serbë. I vetmi serb që është zënë, është sjellë në Kukës dhe i është dorëzuar OSBE-së para gjithë medieve të botës.

Mos harroni, në Kukës në atë kohë, përveç popullit të Kukësit ishin edhe 120 mijë të shpërngulur, që jetonin brenda në qytet. Ishte media e gjithë botës nga një cep i botës në tjetrin, ishin gjithë shërbimet informative të botës deri edhe CIA, KGB-ja, UDB-ja, Asfalia e mjaftë të tjera, sepse aty në atë kohë ishte qendra e informacionit botëror. Aty ishte shërbimi informativ shqiptar dhe ai i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj. Si mund të mendohet se mbeti një diçka e tillë e pa zbuluar në atë kohë dhe mbeti për ta zbuluar një palogazetar sot? Vetëm kjo nuk është e besueshme e as e pranueshme. Çdo gjë është e montuar nga ata që duan të krijojnë duetin kriminal shqiptaro-serb. Por kjo nuk do të ecë.

Mua nuk më shqetëson kjo se ç'po bëjnë serbët e bashkëpunëtorët e tyre. Por kur gazetarët shqiptar, në mediat shqiptare, nuk shqetësohen fare se akoma në Kosovë janë rreth 2000 shqiptar të zhdukur, por shqetësohen shumë se Serbia pretendon se i janë zhdukur në Kosovë 300 serb, që mund të jetë thjeshtë një montim. Realisht dhe shpirtërisht të tillë gazetarë bëjnë mirë të shkojnë në mediat serbe në Beograd a diku tjetër dhe të mos lënë gjë pa thënë kundër bashkëkombësve të tyre shqiptar, sepse ata a kanë shitur jo trupin, por edhe gjakun e tyre. Ndërsa kur ata deklarohen nga mediat shqiptare e në disa momente edhe me pagat e shteti shqiptar, kjo më duket shumë banale dhe poshtëruese.

Keni dhënë kontributin tuaj edhe në Luginë të Preshevës, vlerësimi juaj çfarë u arrit dhe çfarë nuk u arrit me luftën e UÇPMB?

UÇPMB-ja ishte një ushtri shumë simpatike, unë i kam njohur shumë prej atyre djemve, veçanërisht drejtuesve të saj. Por unë kam thënë që në atë kohë që ajo nuk mund të ishte Ushtri Çlirimtare. Ajo ka qenë ushtria e vetë sakrificës, që është vepër shumë më madhështore.

Ushtria e vetësakrificës nuk mund ta çlirojë vendin. Ajo vetëm mund të identifikojë të vërtetën e qenies së asaj toke shqiptare të pushtuar dhe këtë ajo ushtri e lavdishme e bëri shumë mirë.

E keqja në ato treva është sot kur ish luftëtarët po masakrohen nga serbët. Kështu që duke parë këtë situatë është mirë që shqiptarët të ndërgjegjësohen e të binden se mentaliteti sllav për shqiptarët edhe aktualisht nuk ka ndryshuar fare, prandaj duhet të jenë vigjilent dhe të kërkojnë unitetin e tyre për të siguruar akoma mbijetesë në marrëdhëniet me sllavoballkanasit.

Po ashtu, gjatë vitit 2001 keni ndihmuar luftën e UÇK në Maqedoni të drejtuar nga Ali Ahmeti, mendimi juaj a u arritën qëllimet e luftës me Marrëveshjen e Ohrit?

Jo. Nuk mund të them se Marrëveshja e Ohrit, ishte plotësisht ajo që kërkonin shqiptarët me grykën e pushkës. Por ajo ishte një kompromis dhe kompromiset asnjëherë nuk janë të kënaqshme.

Dhe mirë që u arrit në një kompromis, sepse unë mendoj që bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe sllaveve në Maqedoni duhet të vazhdojë. Ajo që më shqetëson mua është fakti që ajo marrëveshje nuk po implementohet as me dëshire, as pa dëshirë dhe nuk ka një ekip mbrojtës së saj. Ajo marrëveshje e pa implementuar i ka lënë akoma shume djem në arrati, i ka lënë shumë djem pa identitet, i ka lënë shumë familje në rrezik, i ka lënë disa krahina nën pushtim, e ka lënë gjithë popullin shqiptar në pozitat e para luftës. Kjo nuk është vlerë politike, kjo nuk mund të pretendohet se është politike dhe respekt për një popull që ngre pushtetin në Maqedoni, siç janë shqiptarët.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kishte objektiva madhore kombëtare. Ato i di shume mirë Ali Ahmeti. Nëse i ka realizuar le tu thotë shqiptarëve që objektivat e luftës u realizuan, edhe unë do të isha shumë i gëzuar, nëse nuk i ka realizuar prapë është në madhështinë e tij, tu thotë shqiptareve që mbeta në rruge e nuk po mundem tu qoj më tej.

Shqiptarët historikisht i kanë zgjidhur problemet e tyre. Edhe këtë problem do të dinë ta zgjidhin. Për këtë jam i sigurt.

Të ndalemi më tepër këtu në Maqedoni, edhe pas 8 viteve nuk kemi ligj për familjarët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, shumë epror të UCK janë vrarë në rrethana akoma të pandriçuara, shumë të tjerë mbahen nëpër burgje dhe për disa tjerë si Hoxha dhe Kushtrimi janë në arrati për procese të montuara, mendimi juaj?

Lama: Kjo është dobësia e qytetarisë shqiptare. Më duket se në kushtet tona të gjitha arritjet kombëtare i kemi produkte të politikave ilegale. Dhe këto politika ilegale, sapo legalizohen bëhen formale dhe humbasin forcën shtytëse për arritjen e synimeve të nevojshme.

Nuk duhet të vazhdohet më që të bëhet politike e "mirëkuptimit", vetëm që të qëndrohet në pushtet. Vërtet e njoh këtë fakt dhe më vjen keq. Po të isha në pozicionin e politikanëve sllavomaqedonas, do ti kisha fyer politikanët shqiptar. Do të kisha bërë një ligj, ku do ta kisha shpallur luftën e vitit 2001 vlerë qytetare maqedonase dhe të gjithë pjesëmarrësit do ti kisha nderuar, të dy krahëve. Do të kisha nderuar dëshmorët dhe do të kisha pensionuar veteranët dhe invalidët.

Pra, këtë e them se do ta kisha bërë si sllav i Maqedonisë, nëse do të isha i tillë. Ndërsa se çfarë do të kisha bërë si shqiptar, këtë unë e kam shumë të qartë, por kjo punë nuk u bëka me receta.

Realisht pa vlerësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, nuk mund të ketë arritje serioze në Maqedoni për shqiptarët e politikën e tyre. Mënyra si po vlerësohet ajo deri tani duket sikur është bërë një veprimtari për interesa private.

Qeveria e Maqedonisë ka hapur debat për identitetin e saj se janë me origjinë antike maqedonase dhe se janë pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë, por ka edhe të tillë si ish kryeministri Ljupco Georgievski të cilët mendojnë se maqedonasit janë sllavë të ardhur nga Karpatet, mendimi juaj, cila është e vërteta? dhe çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në këtë rast?

Duke filluar përgjigjen nga fundi i pyetjes do të thosha, se shqiptarët është mire të flasin si Ljupco Georgievski. Shqiptarët e kanë për detyrë të mos lejojnë ndryshimin e emrit të Maqedonisë as për hatër të grekëve e as për hatër të sllavëve. Nëse grekeve u prishet interesi keq për ta. Maqedonia duhet të mbaj emrin e saj.

Ndërsa porsa i përket identifikimit të sllavomaqedonasve me Aleksandrin e madh, ky është një blof. Dhe mos kujtoni se nuk e dinë këtë edhe sllavomaqedonasit. Ata e dinë shumë mirë që me Aleksandrin i ndajnë 13 shekuj. Kur kanë ardhur sllavët në këto treva Aleksandri kishte rreth 1300 vjet që kishte vdekur. Kështu që mes tyre nuk ka asnjë lidhje. Këtë histori e dinë edhe sllavët e Maqedonisë e edhe gjithë evropianët. Por heshtin dhe bëjnë veprime antihistorike për t'i dhënë vetës identitet nga pozitat e forcës.

Identifikimi i sllavomaqedonasve me Aleksandrin e madh është vërtet një akt qesharak. Por është një akt që ata e ndërmarrin për tu mbrojtur mbas gishtit. Banorët e vërtetë të atyre trevave që quhet Maqedoni, janë shqiptarët. Ata janë pasardhësit e Aleksandrit të Madh, ata kanë të drejtën të jenë krenar me paraardhësin e tyre. Sidoqoftë, kjo është diçka që nuk kërkon vërtetim historik. Është një hap i bërë nga dëshpërimi i sllavëve, se nuk gjejnë asgjë për të vërtetuar identitetin e tyre dhe duan të hyjnë në trupin e identitetit tonë. Kjo është keq për ta.

Nuk mund të jenë ata aq të fuqishëm sa të ndërrojnë origjinën e Aleksandrit të Madh, sepse jetojmë në kohët moderne, kur është vështirë të mashtrosh. Sot kush tenton të mashtroje, e vetmja gjë mund të bëjë është që të mashtrojë veten. Këtë po e bëjnë edhe sllavomaqedonasit, se të kishin vepruar ndryshe duke u vëllazëruar me shqiptarët, shumë gjëra do të ishin ndryshe sot e shumë gjëra do të bëheshin shumë më mirë për të ardhmen. Ndërsa ata edhe aktualisht tentojnë tu vjedhin historinë. Kjo ndodhë vetëm me sllavët dhe greket. Nuk di tjetër se mundohet ndonjë komb të vjedhë historinë e një tjetri.

Megjithatë, jam i sigurt se historia kombëtare shqiptare do të dalë në dritën e diellit, ne gjithë përmasat e saj, duke evidentuar edhe faktin se edhe perandorët e Romës e të Bizantit flisnin shqip e se edhe në sheshet e Athinës së lashtë leksionet e filozofëve mbaheshin në gjuhën shqipe.

Mendimi juaj për subjektet politike në Maqedoni, BDI, PDSH dhe DR?

Dua t'i nderoj por më duket sikur në mjaftë raste bëjnë gabime që janë me pasoja të rënda kombëtare. Në zgjedhjet e fundit për presidentin e Maqedonisë, nuk e di me qëllim apo pa qëllim nuk mund ta di ata vepruan kundër interesave kombëtare.

Thjeshte dalja në zgjedhje me 3 kandidate, bëri që për shqiptarët këto zgjedhje ta humbasin vlerën.

Nëse do të kishin dalë në zgjedhje me një kandidat për president, jam i sigurt se populli shqiptar që vërtetë në Maqedoni përbën shumicën, pavarësisht nga mënyrat e numërimit që bëhen atje, do te kishte dalë 100 për qind në zgjedhje dhe kandidatin e tij do ta kishte dërguar në balotazh. Jam i bindur që edhe presidenti i ShBA do të kishte ardhur në Shkup për të ndikuar që të zgjidhet një sllav si president sepse do të konsiderohej e rrezikshme që në Ballkan të krijohej edhe shteti i trete shqiptar.

Unë e di që partitë politike pushtetin e kërkojnë për interesat e tyre dhe mirë bëjnë. Por shtetin duhet ta ndërtojnë për popullin që i dërgon në pushtet.

Dua të shpresoj që politikanët në Maqedoni të drejtojnë luftën e tyre në radhë të parë kundër atyre që janë vërtetë kundërshtarët e tyre, sllavomaqedonasit. Nëse ata do të dinë ose do te duan ta bëjnë këtë do të jenë të nderuar prej popullit të tyre dhe do të jenë shumë të fuqishëm, nëse jo do të jenë të përkohshëm dhe kombit do ti bëjnë shumë dëm.

Politika e partive politike në Maqedoni është më e vështirë se e atyre në Tiranë apo Prishtinë. Prandaj edhe Tirana e Prishtina duhet të jenë në ndihmë të tyre. Por kjo më duket se nuk është në nivelin e duhur.

Kohë më parë nga ana e Këshillit Komunal të Prizrenit, u shpallet qytetar nderi i Prizrenit, çdo të thotë kjo për ju?

Lama: Një përkëdhelje që më ka dhënë shumë kënaqësi. Prizreni është kryeqyteti i vërtetë i shqiptarëve kudo ku janë. Te respektohesh në këtë kryeqytet mua më duket sikur të ka përkëdhelur perëndia. Unë vetëm lus zotin që të kem forcë për të qene ai të cilin e donë vërtetë Prizreni. Që unë të përmbush ato standarde për të cilat më ka zgjedhur ky qytet si qytetar nderi të tij. E konsideroj vetëm shumë me fat, që kam mundur të jem në këtë nivel sa të meritoj këtë nderim.

Shumë mirënjohje keni marrë në Kosovë për kontributin tuaj për çlirimin e Kosovës, ndërsa në asnjë moment nga ana OVL së UCK në Maqedoni nuk është përmendur emri juaj, ju bën nervoz kjo apo?...

Jo, sepse unë nuk kam bërë asgjë që t'u shërbejë individëve dhe nuk pres asgjë nga individët. Unë kam punuar e luftuar për të kryer detyrën time para atdheut e kombit. Dhe nëse atë e kam kryer në një farë mase jam krenar. Nuk më intereson nëse të tjerët më falënderojnë për këtë, sepse askush nuk është aq i madh sa të falënderojë një luftëtar për veprën e tij përveç atdheut e kombit.

Unë vërtetë bëhem nervoz kur shikoj se luftëtarët e kaluar në politikë nuk janë në nivelin e duhur për të bërë politikën që kanë marrë përsipër. Kur ata duke u thirrur në emër të luftës, përpiqen të rrisin abuzivisht vlerat e vetvetes dhe vihen në shërbim të rrethit të tyre familjar. Kjo vërtetë më revolton, pasi nuk dua që pjesa ime e luftës të bjerë në nivelin e shërbimit ndaj interesave individuale të individëve abuziv.

Në qoftë se në Maqedoni, punohet fortë për zbatimin e normave kombëtare shqiptare dhe për vlerësimin e shqiptareve si force vendimtare për shtetësinë, unë ndihem shumë i vlerësuar. Në qoftë se do të punohet shumë për të drejtat qytetare të shqiptarëve, për mbrojtjen e trojeve etnike kombëtare, për mbrojtjen e simboleve kombëtare, për gjuhën shqipe, për lirinë e plotë kombëtare, unë do të kuptojë se ish-luftëtarët janë gjallë dhe dinë të mbrojnë kombin e atdheun e aty jam edhe unë. Nëse do të punohet fortë, për të vlerësuar Luftën Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si bartëse e saj, unë do të ndihesha tepër i vlerësuar dhe i falënderuar. Nëse do të punohet që dëshmorët të vlerësohen me ligj si krenari e Maqedonisë, që ish luftëtarët të vlerësohen më ligj si siguri e ardhmërisë së Maqedonisë, që invalidët të nderohen se me sakrificën e tyre kanë bërë që Maqedonia të jetë më e fortë, që familjet e ish luftëtarëve, invalidëve e dëshmorëve të jenë krenarë për veprën e familjarëve të tyre, unë do të ndihesha tepër i respektuar. Por nëse ata nuk i bëjnë këto, unë nuk dua të më vlerësojnë e respektojnë fare. Sepse ka një logjikë, se ai që nuk di e nuk mundet të vlerësojë e respektojë veprën e tij, nuk mundet me vlerësuar askënd. Të tillët është keq që kanë qenë në luftë, se turpërojnë edhe luftën.

Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve në rajon?

Nëpër rrugën e vështirë por të pakthyeshme për të fituar vlerat e tyre si themelues të kulturës botërore. Kjo është pamja që kam çdo ditë në sy e në mendje për shqiptarët. Jam i sigurt se shqiptarët do të shkojnë drejtë një të ardhme shumë të ndritur.

Kjo nuk është dëshirë. Kjo është e vërtetë. Duhet të kemi parasysh se ka jo pak por mbi 3 mijë vjet që njihet historia e shqiptarëve në këtë rajon. Ata kane kaluar 2600 vjet duke luftuar për mbrojtjen e trojeve të tyre prej pushtuesve të ndryshëm. Nuk ka profesion tjetër që shqiptarët e njohin më mirë se luftën. Prandaj edhe gjeni i tyre ka fituar shumë siguri.

Mua më rezulton se prej vitit 1844 e deri në vitin 1999, në trojet shqiptare nën ish jugosllavi janë zhdukur 77 për qind të shqiptarëve dhe shqiptarët që i banojnë sot këto troje janë pasardhës të vetëm 23 për qind të shqiptarëve të këtyre trevave në këtë periudhe kohore dhe nuk janë pak, por plot 4 milion. Ky është treguesi më domethënës se shqiptarët janë vital dhe do të dinë të nxjerrin në dritën e diellit gjithë vlerat e tyre.

Pa folur që shqiptarët janë sot një komb i madh, sepse janë vetëm në Ballkan mbi 7 milion indipendent dhe shumë shpejt do të jenë mbi 10 milion, të jeni të sigurt, duke u bërë kombi më i madh në këtë rajon.

Mesazhi juaj drejtuar lexuesve tanë?

Do të dëshiroja që të kishit shumë lexues. Dhe nëse vërtetë keni të tillë, do t'u them që të jenë të qartë në qëndrimet kombëtare. Nuk është e thënë që të gjithë duhet të jenë patriotë dhe trima, por është vlerë edhe kur këta që nuk i kanë cilësitë e patriotit e të trimit, nuk u zënë rrugën atyre që kanë lindur të tillë.

Biografia e rrëfyer nga Kudusi Lama

Jam Kudusi Halit LAMA, kam lindur më 09 maj 1951 në fshatin Kalis të Lumës, shkollën e ciklit të ultë e kam kryer në fshatin e lindjes, shkollën e mesme në Peshkopi, ndërsa shkollën e oficereve në Tiranë. Karrierën e oficerit e kam filluar në korrik të vitit 1972, prej asaj kohe kam patur një karriere të mire, duke arritur deri në gradën e gjeneralit. Kam kryer disa kualifikime me rezultate të shkëlqyera, si janë Akademia 2 vjeçare e mbrojtjes, Kolegji i Mbrojtjes, Akademia Diplomatike etj. Njëkohësisht kam mbrojtur edhe provimet pas universitare dhe në vitin 1996 kam mbrojtur disertacionin për gradën e Doktorit te Shkencave Ushtarake. Kam punuar në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, ku kam patur në vazhdimësi rezultate të mira dhe shumë të mira. Karrierën e kam mbyllur në qershor të vitit 2006, kur kam dalë në rezervë.

NOA/INA

KOMENTE