English

Konfirmohet rasti i parë me grip derri

Prishtinë, 27 Korrik NOA Update - Ministria e Shëndetësisë konfirmoi rastin e parë me grip derri në Kosovë. I infektuari është një nëntëvjeçar me banim në Londër,, i cili në Kosovë ka ardhur për pushime para pak ditësh. Rasti tjetër i dyshuar ka rezultuar negativ, kurse dy mostra tjera nuk janë analizuar fare.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi thotë se i infektuari nuk është i shtrirë në klinikë, meqë tashmë supozohet se i ka kaluar fazat klinike të sëmundjes. "Ne ju konfirmojmë rastin e pare të gripit H1N1 në Republikën e Kosovës. I infektuari me virusin H1N1është në gjendje të mirë shëndetësore dhe tërë familja e tij. I infektuari është i moshës 9 vjeçare, i rritur dhe i lindur në Mbretërinë e Bashkuar, nxënës i një shkolle e cila për shkak të dyshimit në grip, është mbyllur para një kohe". "Nxënësi ka ardhur në pushime në vendin tonë. Gjatë rrugës për në Kosovë në Budapest nuk e ka ndjerë veten mirë edhe mjetet i kanë rekomanduar që pas arritjes në destinacionin e fundit të paraqitet te mjeku. Pacienti, tash i infektuari është paraqitur në institucionet shëndetësore në vendin ton dhe nuk ka pasur shenja klinike", tha Gashi, i cituar nga radio Evropa e Lirë. Nga ana tjetër përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) iu bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës, që të mos kenë panik. Epidemiologu Isuf Dedushaj pohon se janë marrë të gjitha masat e duhura për këtë sëmundje. "Ju them në emër të IKSHP se nuk ka nevojë për asnjë panik e frikë, marrë parasysh se në ballë të kësaj sëmundje qëndron një ekip shumë i mirë i IKSHP-së me përvojë shumëvjeçare", tha Dedushaj. Në anën tjetër, ministri Gashi pohon se Qeveria e Kosovës ka siguruar doza të mjaftueshme të medikamentit "Tamiflu" për këtë fazë epidemiologjike. "Ministria e Shëndetësisë me ekzekutim të vendimit të kryeministrit dhe të Qeverisë ka siguruar doza të mjaftueshme të Tamiflu-së për këtë fazë të zhvillimit të gripit A". "I tërë informimi, mjekimi dhe terapia paguhet nga Qeveria e Kosovës si për qytetarët e vendit tonë ashtu edhe të vizitorëve të jashtëm. Për evitim të panikut dhe vonesave, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë doza të mjaftueshme të Tamiflu"-s në të gjitha repartet e vendit tonë dhe në Klinikën Infektive të vendit tonë Prishtinë", tha Gashi. Ndryshe, javën që lamë pas janë dërguar për analiza në Institutin Torlak në Beograd katër mostra të të dyshuarve se janë të prekur nga virusi A/H1N1. Me rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dy nga mostrat janë analizuar, nga të cilat njëra ka rezultuar pozitive e tjetra negative. Ndërsa, dy të tjerat nuk janë analizuar fare, meqë të dyshuarit nuk kanë pasur shenja klinike të sëmundjes dhe nuk ka pasur nevojë të bëhen analiza të tilla.

KOMENTE