English

LSI për aksidentet: Pushuesit të tregojnë kujdes në rrugë, policia në gatishmëri

Tiranë, 27 korrik NOA - LSI ka reaguar sot më anë të zëdhënësit të saj, për aksidentet rrugore që kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit të cilat shkaktuan vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

LSI u bën apel pushuesve të tregojnë më shumë kujdes ndërsa inkurajon policinë dhe ndihmën e shpejtë të rrisin gatishmërinë.

"Duke ngritur shqetësimin tonë për aksidentet rrugore të ditëve të fundit, dëshirojmë të theksojmë se siguria e jetës së qytetarëve në rrugët e Shqipërisë është e kërcënuar prej mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit dhe trafikut të dendur.

LSI i bën apel së pari pushuesve shqiptarë që udhëtojnë këto ditë të nxehta, dhe në veçanti emigrantëve shqiptarë që janë kthyer në atdhe për pushime, të tregojnë kujdes maksimal në rrugët e Shqipërisë duke respektuar rregullat e qarkullimit dhe duke iu përmbajtur kufijve të shpejtësisë në mënyrë që të minimizohen shanset e aksidenteve vdekjeprurëse" deklaroi Ralf Gjoni, zëdhënësi i LSI-së.

"Inkurajojmë gjithashtu forcat e policisë rrugore dhe ato të ndihmës së shpejtë të tregojnë gatishmëri më të lartë dhe efikasitet në ushtrimin e detyrës duke u siguruar për zbatimin e rregullave të qarkullimit prej motoristëve, për marrjen e masave ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit pa toleruar asnjë rast, si dhe për dhënien në kohë të ndihmës së shpejtë në mënyrë që probabiliteti i humbjes së jetës për të aksidentuarit të reduktohet në maksimumin e mundshëm" shtoi më tej Gjoni.

k.k/NOA

KOMENTE