Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Blushi kundër rikandidimit të Ramës në kongres: Ai humbi shanset më 28 qershor
English

Blushi kundër rikandidimit të Ramës në kongres: Ai humbi shanset më 28 qershor

Tiranë, 28 korrik NOA - Socialistët do të thërresin kongresin e jashtëzakonshëm për të përcaktuar kandidaturat për kryetarin e ri, datën e zgjedhjeve për këtë post si dhe miratimin e linjës që kjo parti do të mbajë lidhur me zgjedhjet.

Sot, në asamblenë e kësaj partie u paraqitën dy rezoluta: njëra nga zoti Edi Rama dhe tjetra nga një grup përfaqësuesish të tjerë mes të cilëve spikasin emra të njohur si Ben Blushi apo Arben Malaj, të cilat dallojnë në vlerësimin mbi zgjedhjet dhe kërkesën për nxjerrjen e përgjegjësive për rezultatin e 28 qershorit.

Zoti Blushi, anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste dhe një nga zërat e parë që ka kërkuar publikisht që kjo parti të njohë humbjen në zgjedhje, i dha sot një intervistë Zërit të Amerikës:

Në rezolutën e përkrahur nga ju por edhe në fjalën tuaj kërkohet nxjerrja e përgjegjësive për rezultatet e zgjedhjeve. Nga debatet e sotme a ka shenja që Partia Socialiste apo kryetari i saj Edi Rama do ta bëjnë këtë analizë?

Për fat të keq jo, dhe kjo është një nga gjërat që më bën të mos ndjehem mirë në përfundim të kësaj dite. Nuk shoh një grimë reflektimi nga askush. Asambleja, kryesisht e bazuar në numra u thirr dhe po apelohet që të krijojë një koracë, një imunitet personal për zotin Rama. Kjo do të thotë se jemi futur në një cikël të vështirë, sipas të cilit, partia nuk do të njohë një përgjegjësi, përkundrazi do ta gjejë përgjegjësinë jashtë vetes, kryesisht te kundërshtarët apo tek aleatët që eventualisht na tradhtuan pas datës 28 qershor apo edhe tek njerëz që mendojnë ndryshe brenda Partisë Socialiste. Ky është një cikël për të cilin unë jam skeptik dhe nuk shoh doza vetkorrigjimi brenda partisë. Kjo do të thotë se ajo që na pret në vjeshtë do të jetë një opozitë që nuk do të njohë humbjen, nuk do të njohë arsyen se pse ka humbur, një opozitë e cila do të ketë dy standarde në përgjithësi.

Gjatë gjithë kohës para zgjedhjeve u pa qartë një personalizim i fushatës nga zoti Rama. A është parë me shqetësim ky fakt para 28 qershorit sepse dukej sikur të gjithë ju ishit të sigurt se taktika e tij do të sillte fitore? A nuk përbën kjo përveç pjesës që i takon atij edhe një përgjegjësi të strukturave të partisë që nuk i ngritën në kohë këto probleme?

Pa dyshim. Unë kam folur më parë por edhe sot në Asamble duke thënë se hierarkia e përgjegjësive do të jetë e balancuar. Do të jetë e balancuar nga kryetari i partisë e deri në hallka më poshtë tij. Sigurisht të gjithë kanë të drejtë të na venë neve gishtin, mes të cilëve edhe mua, ndoshta duke na thënë "po ju ku ishit?" Sigurisht, ne mund të kishim folur por kini parasysh se ne ishim në një betejë elektorale dhe në një betejë elektorale nuk mund të kritikosh kapitenin. Ne ishim në ndeshje dhe nuk mund të merreshim me kapitenin sepse përballë kishim kundërshtarë. Po të kthehem mbrapa natyrisht që shumë gjëra mund të ishin bërë ndryshe. Kjo ishte kontrata morale që ne të gjithë kishim me Edi Ramën si kryetar i Partisë. Në katër vjet, kontrata ishte që ne nuk e kushtëzonim atë, nuk i vinim pengesa rrugës, në disa raste madje duke e toleruar atë për shkaqe të demokracisë së brendshme të partisë. Kontrata nuk po respektohej; zoti Rama pati një qeverisje pa kushte brenda Partisë Socialiste dhe megjithëse humbi zgjedhjet, tani po përpiqet ose ta shpërndajë fajin ose të mos e njohë atë. Natyrisht, unë jam i gatshëm të marr çdo kritikë që vjen në adresën time ose të kolegëve të mij por sigurisht që në këtë humbje jo të gjithë kemi të njëjtën përgjegjësi.

Sipas jush cilat duhet të jenë objektivat e Partisë Socialiste tani pas zgjedhjeve, megjithëse rrjedha e diskutimeve ju bën pesimist?

Ka një gjë që mund ta them me bindje që është arritur sot: për shkak të trysnisë që u ushtrua përpara kësaj dite por edhe për shkak të trysnisë që u ushtrua sot në Asamble nga shumë diskutantë, unanimisht - për arsye të ndryshme por rëndësi ka rezultati - Partia Socialiste ka vendosur të mos e bojkotojë parlamentin e Shqipërisë. Kështu që, në këtë humbje të madhe ka një fitore të vogël - vendosëm ta fusim opozitën në parlament. Cilësia e kësaj opozite do të varet pastaj nga vetë opozita, nga mënyra se si ajo do të ndërtojë marrëdhëniet me shoqërinë, marrëdhëniet me partitë e tjera kundërshtare apo aleate dhe sigurisht marrëdhëniet në radhë të parë me veten e vet.

Statuti nuk e pengon zotin Rama të rikandidojë, edhe sot në Asamble pati mjaft zëra që ai të jetë sërish kryetar. Ju jeni treguar skeptik ndaj rikandidimit të tij. Cilat janë arsyet?

Statuti nuk e pengon në gërmë por e pengon në frymë. Në frymë dhe në kod politik. Statuti parashikon që zotit Rama i ndërpritet mandati dhe sot i është ndërprerë mandati gjë që nuk e dimë nëse kjo asamble është duke e marrë. Kjo është arsyeja që thirret një kongres i jashtëzakonshëm që do të jetë një kongres zgjedhor. Pavarësisht se ndërpritet mandati, në frymë statuti nuk parashikon rikandidimin sepse zoti Rama pati një shans të humbur, një projekt personal por qoftë edhe i përbashkët i cili dështoi. Ai tipizonte dhe simbolizonte atë projekt. Ky projekt ka rënë në datën 28 qershor. Unë shoh pak gjasa që ai të ketë frymëzimin e duhur, kohezionin e duhur brenda partisë me këto që po ndodhin pas datës 28 qershor për të ringritur një projekt të ri poltik i cili do ta mbajë Partinë Socialiste të bashkuar, do ta mbajë aty ku i takon, në spektrin e majtë, pa eksperimente të llojit "përtej së majtës, përtej së djathtës". Këto gjëra më duken të vështira duke parë që nuk ka asnjë sens reflektimi, përkundrazi, po shkohet me kokfortësi drejt një opozite e cila nuk pranon rezultatin megjithëse do të jetë në pakicë, pra, pranon numrin por jo parimin.

Ju vetë parashikoni të hyni në garën për kryetarin e Partisë Socialiste?

Kjo nuk është një gjë personale. Unë jam duke u konsultuar me shumë miq. E dimë se shumë kritikë të mi sot, ndoshta edhe nesër, thonë që unë flas për shkak të karrierës. Karriera ime nuk ka asnjë rëndësi dhe po ashtu karriera e zotit Rama nuk do të ketë anjë rëndësi në këtë rast. Akoma nuk ja kam bërë këtë pyetje vetes dhe përsa kohë nuk e kam bërë këtë, për shkak të kontekstit ku kemi hyrë, e kam të vështirë t'i jap një përgjigje pyetjes suaj.

Çfarë përkrahje gëzoni ju brenda Asamblesë socialiste, si do ta karakterizonit atë?

Unë nuk kam dashur dhe nuk dua realisht ta fus Asamblenë në një ballafaqim numrash. Kam kërkuar dhe do të kërkoj deri në minutën e fundit, ndërkohë që mbledhja vazhdon, që Asambleja të ballafaqojë parimet dhe partia po ashtu. Jo gjithmonë parimet mbështeten nga po ata numra. Ka raste që parimet e drejta mbështeten nga pak numra por kjo nuk ka rëndësi. Do të vazhdoj të jem në Partinë Socialiste dhe do të flas në emër të asaj që besoj, qoftë edhe i vetëm, qoftë edhe me shumë pak miq dhe kolegë. Numrat nuk kanë rëndësi për mua. Ka rëndësi e vërteta që mbroj.

KOMENTE