Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Speciale/ Ditë intensive në Elbasan, për vrasjen e Dodës
English

Speciale/ Ditë intensive në Elbasan, për vrasjen e "Dodës"

Elbasan, 28 Korrik NOA - Dita e sotme ishte tejet intensive në lidhje me vrasjen e "Dodës" që njihet si ish-krahu i djathtë i Edmond Kosenit, ish-drejtor i Policisë së Elbasanit, tejet i përfolur për dhunë deri në vdekje ndaj një numri qytetarësh.

Gjatë ditës së sotme, policia konfirmoi arrestimin e të riut Marius Tafa, i akuzuar si bashkëpunëtor i tretë në vrasje dhe menjëherë pas tij, edhe të katërtit të dyshuar, Shkëlzen Shkrepi.

Po sot, policia konfirmoi dyshimin se vrasja e Roland Rexhepit ishte një atentat i planifikuar dhe i mirëorganizuar.

Po sot, dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e "Dodës", dolën për masë sigurie në Gjykatën e Rrethit Elbasan, siç i shini në këto foto të NOA-s.

Dhe po ditën e sotme, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka mbajtur një minutë heshtje, në nderim të "Dodës", për shkak të detyrës së tij, si një ish-punonjës policie.

Kapet i treti dhe i katërti

Policia e Elbasanit publikoi sot dy arrestime të tjera për vrasjen e bujshme që enden mban të shokuar këtë qytet.

Marius Tafa dhe Shkëlzen Shkrepi, të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e 42-vjeçarit Roland Rexhepi, u arrestuan sot pasdite, pak orë pasi përfunduan seancat intensive të marrjes në pyetje, të dy të dyshuarve të tjerë, Arben Jaçe nga Tirana dhe Armando Llakaj nga Elbasani.

"Në lidhje me ngjarjen e datës 22 korrik 2009 ku është vrarë me armë zjarri, Roland Rexhepi, 42 vjeç, pas hetimeve paraprake të kryera dhe në bazë të provave ligjore të grumbulluara, sot më datë 28 korrik 2009, është bërë i mundur ndalimi i të dyshuarve si autorë:

Marius Fatmir Tafa, 21 vjeçar, lindur dhe banues ne Elbasan lagjja "Haxhias" dhe Shkëlzen Shefki Shkrepi, 30 vjeçar, lindur dhe banues në Elbasan, lagjja "Haxhias", - konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA, Drejtoria e Policisë së Elbasanit.

Ajo sqaroi se "ndalimi i tyre u be mbi bazën e Urdhrave të ndalimit, lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi këta shtetas në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Arben Jaçe, janë të dyshuar si autorë të vrasjes së Roland Rexhept".

Në këtë mënyrë, edhe këta të rinj, janë tani nën akuzë për "Vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtje pa leje të Armëve dhe Municioneve luftarake", vepra penale të parashikuara nga nenet 78, 25 e 278 te Kodit Penal.

Policia, deklaroi se po punohet për zbulimin e plotë të motivit të ngjarjes, duke pranuar se ende nuk është në gjendje të dalë me një version të qartë dhe përfundimtar.

Grupi hetimor i zgjeruar që po merret me vrasjen e "Dodës", gjithsesi, po i përforcon dyshimet se kemi të bëjmë me një krim të menduar mirë, të kryer nga një grup i organizuar kriminal që kishte si qëllim eliminimin e tij.

Një minutë heshtje

Një minutë heshtje ka mbajtur Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në nderim të "Dodës". Propozimi u bë nga këshilltari i Partisë për Demokraci dhe Integrim, Gëzim Hoxha.

"Unë propozoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të ish-punonjësit të policisë, Roland Rexhepi", tha Hoxha dhe ky propozim është respektuar nga të gjithë këshilltarët bashkiake që iu përgjigjën kërkesës.

Por Hoxha në vijim të mbledhjes së sotme, ka ngritur një tjetër kërkesë: "Lagjja Banesat ose "Vullnetari" siç e ka emërtesën, duhet medoemos të ketë një vëmendje më të madhe policie, ndaj unë propozoj këtu që të miratohet dhe të vihet në jetë menjëherë, ngritja e një rajoni policor të posaçëm", - sugjeroi z.Hoxha.

Në fakt, lagjja "Vullnetari", ka në gjirin e saj në vite, persona problematikë dhe sidomos persona me precedentë penalë. Që në fundvitet e diktaturës komuniste dhe më tej, ngjarjet më të rënda të Elbasanit kanë ndodhur te "Vullnetari" dhe po ashtu krimet më të rënda në këtë qytet, kanë pasur për protagonistë, pikërisht banorë të kësaj lagjeje në pjesën e sipërme të qytetit Elbasan.

Masa e sigurisë

Gjykata e Rrethit të Elbasanit ka bërë sot vlerësimin e masës së sigurisë së arrestit me burg që kishte vendosur policia dy ditë më parë, për të dyshuarit Armand Llakaj 33 vjeç me banim në lagjen "Haxhias" në Elbasan (pranë lagjes "Vullnetari" dhe Arben Jaçe 28 vjeçar, me banim në Tiranë.

Që të dy, ata akuzohen për vrasjen e ish-punonjësit të policisë Roland Rexhepi. Kryeprokurori i Rrethit, Elvin Gokaj, kërkoi nga gjyqtarja e gatshme Pajtime Fetahu, që masa e arrestit në burg të vazhdonte të mbetej në fuqi për dy të rinjtë e arrestuar.

Prokurori tha se ekzistojnë dyshime të besueshme, gjurmë gishtërinjsh dhe prova të tjera, të mjaftueshme për të përligjur kërkesën e ngritur.

Provat dhe debati në seancë

kryeprokurori i Elbasanit, si provë kryesore që e cilësoi dhe si të pakontestueshme, përmendi atë të gjurmëve të gishtave që u gjetën në motorin që policia sekuestroi dhe që i përkisnin pikërisht dy të rinjve që sot dolën për rivlerësim mase sigurie, si dhe fije floku që janë gjetur në maskat e kokoret e sekuestruara.

Prokurori Elvin Gokaj përmendi dhe provat materiale kur tha se kishin sekuestruar si prova materiale janë administruar motorin tip "Liphan" që ju shihni në foto, një armë zjarri që tha se ishte arma e krimit, "Kallashnikov" që ju po ashtu shihni në foto, maska, 13 gëzhoja plumbash "Kallashi", si dhe fugoni.

Prokurori Gokaj, deklaroi se motori me të cilin autorët janë larguar pas krimit, është gjetur i braktisur pranë magazinave të qendrës spitalore të Elbasanit, me parafango të thyer si pasojë e përplasjes me një nga shtyllat elektrike, përgjatë rrugës së ikjes me shpejtësi.

Fugoni i markës "Renault", i cili u gjet pa targa, ishte blerë vetëm para pak ditësh në Lushnjë dhe policia dyshon shumë se blerja e tij ishte bërë pikërisht për të realizuar vrasjen që grupi hetimor vlerëson se ishte e paramenduar dhe planifikuar mirë nga një grup i organizuar kriminal.

Në fugonin e sekuestruar nga policia, që e shihni në foto, janë gjetur tre age që forcojnë dyshimin për përdorim lënde të fortë narkotike, si dhe bishta cigaresh të cilat prokurori Elvin Gokaj tha se po i nënshtrohen provave shkencore-biologjike dhe biokimike.

Ndërsa në fund, Gokaj tha se i pandehuri Llakaj, i kishte deklarimet e tij kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.

Në këtë pikë, ka reaguar në kafaz pas hekurave, i pandehuri Llakaj. Ai e akuzoi për prova të pavërteta prokurorin Gokaj dhe kërkoi nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, shkarkimin e tij nga çështja.

Kjo kërkesë, u hodh poshtë nga gjyqtarja e çështjes.

Në përfundim të kohës së tij në këtë seancë të parë, Prokurori i Rrethit Elbasan që ka marrë përsipër të çojë këtë çështje delikate për shqyrtim gjyqësor, renditi për dy të pandehurit, akuzën e vrasjes në bashkëpunim të Roland Rexhepit dhe akuzën tjetër të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Në seancën e sotme, kanë folur dhe dy të pandehurit. Fare shkurt, secili prej tyre, ka deklaruar se janë arrestuar padrejtësisht dhe se nuk kishin të bënin fare me vrasjen që u atribuohej.

Në sallën e gjyqit, Llakaj dhe Jaçe u shprehën se "jemi të pafajshëm". Më tej, kërkuan që "të lirohemi që këtu në sallë të gjyqit". Kurse shtuan se provat që përmendi prokurori, ishin të pavlefshme.

Kurse Gëzim Veleshnja, avokati mbrojtës i të pandehurit Arben Jaçe, ka këmbëngulur se "klienti im nuk ka të bëjë me vrasjen e 22 korrikut 2009".

Veleshnja tha se atë ditë, i dyshuari Arben Jaçe gjendej në Tiranë me disa miq të tij.

Kurse sa i përket gjurmëve të gishtave që u gjetën në motorin që policia thotë se ka shërbyer gjatë vrasjes, avokati Veleshnja, nxori faktin se i dyshuari Jaçe, ka një servil të licencuar për riparim motorësh, duke shtuar se "është normale që shenjat e gishtave të klientit tim të ishin në atë motor".

I dyshuari Llakaj, kishte kërkuar që Leonard Lame të ishte avokati i tij mbrojtës. Meqë ai nuk u paraqit, Llakaj u mbrojt nga avokati Murra.

Po ashtu këmbëngulës ishte edhe avokati Ilir Murra që mbronte të pandehurin nga Elbasani, Armand Llakaj. Ai akuzoi policinë se e kishte marrë në pyetje të pandehurin pa praninë e avokatit mbrojtës.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Pajtime Fetahu, pasi dëgjoi të dyja palët, deklaroi vendimin për të pranuar kërkesën e prokurorit që lë në burg pa afat dy të pandehurit.

/a.k/b.a/e.l/NOA/

Shënim: Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i materialeve, prodhime të agjencisë së lajmeve NOA. Mediat që do të abuzojnë, do të denoncohen publikisht dhe do të përballem me klauzolat ligjore

KOMENTE