English

Kthehet në atdhe Kontigjenti i 4-t Paqeruajtës në Herat të Afganistanit

Tiranë, 29 korrik NOA - U kthye mbrëmë në atdhe Kontigjenti i 4-t Paqeruajtës në Herat të Afganistanit.

Trupat Paqeruajtës kanë zbritur mbrëmë në aeroportin "Nënë Tereza", ku u zhvillua një ceremoni e veçantë për pritjen e tyre.

Pas zbritjes nga avioni, trupat paqeruajtëse i priti dhe i takoi nga afër Ministri i Mbrojtjes Oketa.

Ai përgëzoi ushtarakët paqeruajtësit për përmbushjen me nder të misionit të ngarkuar. Oketa nënvizoi se këta misionarë u larguan nga atdheu 6 muaj më parë si ushtarakë të një vendi aspirant në Aleancë dhe kthehen tani krenarë duke mbajtur jo vetëm Flamurin tonë Kombëtar por edhe Flamurin e NATO-s, si ushtarakë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Për këtë kontribut të veçantë, Ministri Oketa i falënderoi misionarët shqiptarë.

Kontigjenti i 4-t Paqeruajtës shërbeu në Herat të Afganistanit nga muaji janar 2009 deri në këto ditë të fundit të muajit korrik. Ai mori pjesë në misionin paqeruajtës ISAF, nën komandën e kontigjentit italian.

Gjatë kësaj periudhe ai kreu detyra të rëndësishme dhe të vështira si: kryerja e operacioneve siguruese dhe stabilizuese; ruajtja, mbrojtja dhe sigurimi i personelit, infrastrukturës dhe pajisjeve të bazës ushtarake në Heart etj.

Ky mision ishte vazhdim i 28-të misioneve të kryera nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe i 4-ti në Herat, në mbështetje të operacioneve paqeruajtëse.

Trupat e këtij Kontigjenti kthehen në atdhe me vlerësime optimale nga aleatët tanë për realizimin me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të lartë të të gjitha detyrave që përmbante misioni i tyre. Â

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral brigade Agim Lala, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve.

k.k/NOA

Â

KOMENTE