Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Arbër Xhaferri: Marrëveshja e re shqiptaro-maqedonase, sipas modelit perëndimor
English

Arbër Xhaferri: Marrëveshja e re shqiptaro-maqedonase, sipas modelit perëndimor

Shkup, 31 korrik, NOA - Kryetari i Kuvendit të PDSH-së, Arbër Xhaferi, thekson se Marrëveshja e Re shqiptaro-maqedonase në Maqedoni, është një kontratë e bazuar në analiza të përvojave të deritashme të shteteve perëndimore, në mënyrat se si ato kanë arritur t'i qetësojnë konfliktet ndër-etnike në formacionet e tyre shoqërore. Në një intervistë për "Infopress" ai ka dhënë detaje dhe këndvështrime të kësaj marrëveshje, si mund të jetë ajo.

PDSH ka prezantuar një dokument 12 pikësh si një marrëveshje e re e mundshme shqiptaro- maqedonase. Pse erdhi deri te kjo ide?

- Për shkak se me nxjerrjen e ligjit për (mos) përdorimin e gjuhës shqipe, përfundoi një farsë që quhet "implementimi i Marrëveshjes së Ohrit". Ligji që në mënyrë të rrufeshme u vendos në rend dite në orët e vona të mbrëmjes dhe u votua pa debate si dikur në periudhën e komunizmit dëshmoi se lufta e vitit 2001 ishte e kotë dhe se të gjitha prurjet që u arritën në negociatat e Ohrit shkuan dëm. Në Ohër u zhvilluan beteja të vështira rreth përkufizimit të karakterit të kryengritjes dhe u arrit që faji, apo shkaktari të lokalizohet në përmbajtjen e kushtetutës së R. Maqedonisë, të nxjerrë më 17 nëntor 1991. Krahas anulimit të këtyre arritjeve, duhet theksuar edhe një fakt po aq i rëndësishëm që ka të bëjë me mosrespektimin e ligjit të amnistisë. Sipas këtij ligji, pjesëtarët në konfliktin e vitit 2001, amnistohen për veprat e kryera gjatë asaj periudhe, qysh prej parapërgatitjeve e deri në përfundimin e konfliktit. Aktualisht qeveria maqedonase e kryesuar nga Gruevski, bën kërdinë në të gjitha planet, sidomos ai krenohet me arritjet kundër kërkesave të shqiptarëve. Suspendimi dhe anashkalimi i skajshëm i Marrëveshjes së Ohrit deri në anulim, mund të argumentohet lehtë nëse bëhet një krahasim elementar ndërmjet dokumentit bazë të MO-së dhe ligjeve të votuara pa debat. Arroganca e kësaj qeverie është poshtëruese dhe fyese për të gjithë shqiptarët, veçmas për ata që për ideale u angazhuan në konfliktin e vitit 2001. Marrëveshja në mënyrë analitike konstaton këdo modifikime të MO-së dhe ofron zgjidhjen e problemit përmes një platforme të re që konkretizon në mënyrë të detajuar, kërkesat e shqiptarëve dhe propozon mekanizmat për realizimin e tyre, si dhe masat ndëshkimore aty ku shfaqen hapur ngecjet.

Reagimet ndaj marrëveshjes së re bëhen në mënyrë komode, sidomos nga ata që janë në qeveri. Përdoret një frazë e neveritshme se e gjithë kjo po bëhet për shkaqe të marketingut politik, ose duke e parashtruar pyetjen se përse PDSH-ja nuk i realizoi këto kërkesa kur ishte në pushtet. Përgjigjja është shumë e thjeshtë: ajo nuk u pajtua me modifikimet e ofruara, prandaj edhe u shpallën zgjedhjet e parakohshme për të gjetur partnerin e përshtatshëm për t'i imponuar modifikimet. Kritikuesit në vend që ta lexojnë marrëveshjen e re dhe përmes metodave krahasuese të vendosin në peshore edhe modifikimet e marrëveshjes paraprake, ata naivisht e nxijnë ofertën për zgjidhje të problemeve si dhe aktin që në fakt e përforcon pozitën e tyre në qeveri.

Çka parasheh ky dokument ndryshe nga Marrëveshja e Ohrit dhe sa do ta përmirësonte pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?

- Marrëveshja si nocion sugjeron idenë që problemet brenda një shoqërie

të zgjidhen në mënyrë qytetëruese, racionale, por që nuk është e obligueshme ngaqë në të nuk parashikohen masat ndëshkuese për mospërfillje të saj. Në rastin konkret, marrëveshja e re e iniciuar nga PDSH-ja, ofron zëvendësimin e këtij nocioni me termin "kontratë" që, nga aspekti juridik është një formë më obliguese sesa marrëveshja. Gjithashtu eliminon nevojën që të ringjallen format e vjetra cinike të bashkëjetesës, të bashkim vëllazërimit, por ofron një kontratë që lidhet mes dy popujve për interesa të përbashkëta. Në këtë "Marrëveshje të Re", saktësisht kontratë, gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare, pa segregime, mekanizmi i konsensusit zgjerohet edhe për çështje që nuk kanë të bëjnë thjeshtë vetëm me interesin kulturor të shqiptarëve, por edhe me interesat e tjera, siç është ndarja e drejtë e buxhetit të shtetit, partneriteti i saktësuar me ligj në qeverisje, në vendimmarrje, pastaj decentralizimi i mirëfilltë, rishikimi dhe ndarje e re territoriale të komunave me intencën që pak nga pak Maqedonia të hyjë në binarët e shtetit federal jo territorial, ashtu siç funksionon sot Belgjika.

A keni marrë ndonjë përgjigje apo vlerësim rreth saj nga faktorë relevantë shqiptarë në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, nga maqedonasit dhe nga faktorë ndërkombëtarë?

- Shqiptarët, në këtë fazë të zhvillimit politik kanë vënë në plan të parë interesin partiak dhe jo atë kombëtar dhe shtetëror. Krijohet një distancë sanitare që përfill një formë të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe harrohet realiteti. Verifikimi i pretendimeve të PDSH-së lidhur me dështimin e "Marrëveshjes së Ohrit" mund të bëhet fare lehtë përmes internetit, duke hyrë në ëeb-faqen e Kuvendit të R. së Maqedonisë, sobranie@sobranie.mk Në të do të gjejnë "Marrëveshjen e Ohrit", sugjeroj variantin në gjuhën angleze, ligjet që burojnë nga ajo, veçmas atë për përdorim "zyrtar" të gjuhës shqipe dhe Ligjin për amnisti dhe pas kësaj të marrin qëndrime objektive.

Çdo variant tjetër është i kotë, sidomos mbajtja e një qëndrimi formal neutral. Askush nga ndërkombëtarët nuk ka interes që të rihapet çështja e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, natyrisht as maqedonasit, veçmas nëse merret parasysh se partia shqiptare në pushtet i miraton këto modifikime që e gudulisin sedrën e kryeministrit narcisoid, Gruevski. Z. Sollana, edhe pse i informuar për këto zhvillime, i heshti modifikimet kryesore dhe kërkoi të respektohet vetëm aspekti i përfaqësimit adekuat. Natyrisht ai nuk mundet t'i ruajë rezultatet e arritura të shqiptarëve, nëse ata vetë nuk e bëjnë këtë.

A mund të ketë një ndarje federale të Maqedonisë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve?

- Nëse merret parasysh koncentrimi gjeografik i vendbanime të shqiptarëve si dhe ligji për ndarjen administrative të komunave, mendoj se koncepti klasik i federatës territoriale, hëpërhë, nuk është në favor të shqiptarëve. Shoqëritë janë organizma të gjalla ku zhvillohen procese, herë në interes të një faktori, herë të faktorit tjetër. Në këtë konstelacion të faktorëve veprues, mendoj se për shqiptarët opsioni më i përshtatshëm është federata jo territoriale. Ky koncept i zgjidh problemet aktuale, por njëkohësisht nuk pengon zhvillimin e proceseve demografike. Për mua varianti më funksional, që i zgjidhë të gjitha telashet është shteti nacional.

NOA-INA

KOMENTE