Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sa e konkurron Blushi, mitin e Kadaresë
English

Sa e konkurron Blushi, mitin e Kadaresë

Pyetjes a e ka konkurruar Ben Blushi mitin e Kadaresë me këtë libër, vështirë t'i gjendet përgjigje, por mund të thuhet haptazi se, përkundrazi, ky roman...

Nga Artan Mullaj

Kur Fatmir Toçi i Toenës më tha se Ben Blushi është duke iu afruar mitit të Kadaresë, unë, por edhe një zë instiktiv brenda meje, thamë njëherësh: Deklaratë e guximshme!

Por në vazhdim, kur unë kisha në dorë dhe shfletoja romanin "Otello, Arapi i Vlorës", fjalët e botuesit i ndjeva mes një trazimi si një kurth, apo si një yshtje provokuese përmbi dashamirësinë që zakonisht kam për penën e Blushit.

Aq sa, herë me vetëdije dhe herë emocionalisht, ndjeva se strukturat e nevojshme për krahasime po ngriheshin nxitimthi brenda meje...

I gjendur nën këtë ndikim, duke lexuar romanin e Blushit, kërkoja analogji vlerash të tij me Kadarenë, me romanet e tij, me stilin e tij, me teknikën e tij superiore, dhe faqe pas faqe, nisa të kuptoj se sa i vështirë do të ishte krahasimi pirat mes dy shkrimtarëve, ndërsa nuk vigjëloja kurrkund ngjashmërira në stil, ne sintakse dhe në kompozim, …

Por tamam atëherë kur në thellësi të romanit nuk gjendeshin imitime apo përsiatje me dinastinë kadareiste, çka do t'i jepte logjikë dhe mundësi bërjes së një vlerësimi, në ndarjen dhe detajet ku asgjë nuk ngjante me asgjë dhe asgjë nuk bashkohej, si dy drejtëza në plane të ndryshme, supozimi se shkrimi i Blushit nuk afronte gjëkundi me romanet e Kadaresë, më shtyu në bindjen e papritur se kjo mosngjashmëri në trajtën e një autonomiteti profesional, pikërisht kjo mosngjashmëri, kjo diferencë autoritetesh dhe realitetesh krijimi mes dy autorëve, ishin në fakt ato gjëra që mund të përligjnin krahasimin e një shkrimtari të ri, që është vetvetja, me një shkrimtar të madh.

Dhe prandaj kjo përligjje, ky krahasim, të cilin leximi i Otellos ta indukton së brendshmi pothuaj pakuptuar, pikërisht kjo optikë që natyrshëm ve energjitë e tyre të krijimit përballë njëra-tjetrës, duke qenë një vlerë për shkrimtarin e ri, mund të jetë në të njëjtën kohë krenari për shkrimtarin e madh të shqiptarëve...

Sepse "Otello" i Ben Blushit, është një roman që instalon një interes të sinqertë por tjetërlloj në perceptimin e atyre që dinë të lexojnë dhe duan të lexojnë…

Nëse do jetë e nevojshme të radhitim këtu vlerat e nje libri që është konceptuar qysh në fillim me madhështi si një konkurrent inteligjent mes veprave të tjera, natyrisht, kjo do të qe e vështirë të bëhej në një artikull, pasi romani befasues meriton frazë pas fraze një analizë të detajuar të hollësirave artistikë dhe filozofike që smeraldojnë në fakt çdo fjalë, cdo faqe dhe cdo kapitull. . . Nuk është qëllimi im këtu të bëj një analiza kritike të mirëfilltë letrare, por është një përpjekje dashamirëse kolegu, drejt një përgjithësimi të momenteve të asaj që unë mendoj se i kanë dhënë shkëlqim dhe madhështi reale këtij libri…

Në këtë mënyrë, nëse duam të flasim për madhështi dhe nëse do ta quanim me të drejtë "kalërim ëndrre" leximin e romanit, i cili është në fakt si një ndjesi udhëtimi në mjegull, me shumë të papritura, filozofia e sinqertë në të, nganjëherë enkas edhe naive, (ndryshe nga cndodh zakonisht në librat e kohës me metafora të metabolizuara), pra kjo filozofi e brishtë, është magjia, është pikërisht magjia që të ngjiz me këmbëngulje në tru përshtypjen se brishtësia mund të shoqërojë edhe sarkazmën, nëse brumi i historisë ku qëllimisht ato përdoren, gatuhet mjeshtërisht…

Përzierja sureale e brishtësisë dhe ndjeshmërisë artistike me sarkazëm dhe ironi humori të thellë, kanë ndriçuar qartazi magjinë intelektuale të autorit, i cili, rastësisht ose jo, ka krijuar një frymë të re krijimi, një stinë të re, një miksim të panjohur perceptimesh letrare. Kjo teknikë e re, për meritë konstruktive të tij, nuk ka ndikime dhe ngjashmëri as me Kadarenë, as me realizmin magjik të Markezit, as me pragmatizmin e Tuenit apo Hemingueit, as me letërsinë klasike me shumë filozofi dhe romantizëm, të dy shekujve të fundit, por është si një mall i ri dhe i fortë në treg, i aftë të tregtohet në origjinalitet, dhe si çdo mall i ri që vlen, mes të tjerëve, që shpesh janë konsumuar, provokon vëmendje, premton interes dhe premton sukses gjithashtu. . .

Filozofia fantastike e Blushit duket se ka energjinë e mjaftueshme të të joshë drejt shtigjeve të reja, të pashkelura ende në letërsi, ku ka klimë të trazuar, klithma, kundërshti por edhe siguri që vjen nga vetëdija e autorit se asgjë nuk është më shumë madhështi se guximi për ta synuar atë...

Me autoritet, me modesti, por edhe me indiferencë, autori i Otellos shqiptar këqyr nga larg historinë, duke hedhur mbi të dritë aforizmash dhe karikuar filozofi të shëndetshme, mënyra e shtjellimit të së cilës në roman, shpjegon bindjen e shkrimtarit se të gjitha filozofitë në këtë botë kanë një pikë takimi, të vërtetën se kjo është një botë që nuk e pranon të vërtetën. . Në këtë supozim, kjo do të thotë se ne jemi pjesë e një botë që është e padrejtë, e ndarë gabim dhe aq zhgënjyese sa zhgënjyese është edhe hapësira e të menduarit njerëzor që zoti i ka taksur me shumë kursim njeriut. . Si nje gjenerim shpirtëror, misioni personal i autorit, shfaqet në horizont si një energji virtuale: Energjia e së vërtetës…që nuk ekziston.

Gjithsesi, përplasja e filozofisë së tepruar me lirikën, e cila edhe pse është e derivuar në roman, nuk ndihet fort si mungesë, përplasja e ironisë me etikën, këto janë dy momente të stisura në projektin e Blushit, me aq sukses sa ky sukses është thjeshtësisht i lexueshëm. ***

Talent befasues nganjëherë edhe vulgar, por jo nga ai që krijohet prej përsëritjes dhe artificialitetit, cka i shton më shumë shkëlqimin, shkrimtari sfidon autoritetin e kohës në të njëjtën mënyrë si luan edhe me mungesën e informacionit, (e cila në një prodhim fantazie si ky libër, është njëlloj normale sa edhe ekstremitetet e tij), duke dalë njëherazi mbi meskinitetin intelektual edhe politik në përgjithësi.

Ben Blushi është futur përsëri në "manastirin e librave" si një profet murgëror me modesti dhe madhështi pas romanit të tij të parë që më shumë se sukses të sigurtë, solli polemika që qartësojnë imazhin e trishtë se ky vend nuk është ende gati për histori të vërtetë, për letersi të vërtetë dhe libra seriozë. . Edhe pse shitjet e romanit "Të jetosh në ishull" ishin spektakolare, të tilla që konkuruan dhe sfiduan shitjet e librave të Kadaresë në Shqipëri, debatet që ai provokoi, më shumë se vlerësim e dashamirësi, sollën të kundërtën. . Si për të korigjuar në vetmi orientimin e gabuar të mentalitetit shqiptar dhe kritikës shqiptarë që në asnjë rast nuk është denjësisht e tillë, por edhe të opinionistëve xhelozë dhe mediokër, që kanë monopolizuar tregun mediatik, Ben Blushi i afroi sërish një libër të ri komunitetit, ku ka pak histori, shumë fantazi dhe shumë inteligjencë... Liderët meskinë të platformave nacionaliste, që e shqyejnë zakonisht ndërgjegjen me iluzione në mbrojtje të një Historie me eklipsime të shumta, dyshimet e fletëve të saj dhe mungesën e trishtë të kujtesës kombëtare, duan t'i kompensojnë duke drejtuar armët e meskinitetit drejt autorëve që guxojnë të hedhin dritë qiriri mbi terrin e informacionit që sjell nga thellë shekujve kjo mungese. . Dhe fakti që "Otello" ka shumë mendim, shumë shqartësi, shumë emocion, dhe pak histori, (ndoshta aspak), është me sa duket arsyeja që të ndërsyerit e djeshëm, sot janë veshëvarur dhe një heshtje disi dashamirëse po mbështjell Otellon, sepse ata që zakonisht bëjnë zhurmë, këtë herë nuk kanë motive dhe janë shumë meskinë për të duruar filozofi të mëdha në shpirtrat e tyre…

Ky është një roman ndjeshmërie, robërisë të së cilës autori i ka shpëtuar duke filozofuar nga larg dhe shpërfillur zhvillimet. . Mbase këtu mund të pranojmë një ngjashmëri të Blushit me Kadarenë. Të dy dalin mbi ngjarjet, "profetojnë", sipas disa projekteve të hyjshme shpirtërore ku është e ndaluar keqardhja dhe mëshira...

Kjo ndjeshmëri e programuar për të funksionuar kundër vetvetes, është mbase mënyra e vetme për të shkruar sfida të tilla të mëdha, sic është Otello-ja i Vlorës...

Pyetjes a e ka konkurruar Ben Blushi mitin e Kadaresë me këtë libër, vështirë t'i gjendet përgjigje, por mund të thuhet haptazi se, përkundrazi, ky roman, i cili është plotësisht i denjë të rrijë në bibliotekë ngjitur pas çdo vepre të Kadaresë apo Agollit, e ka pasuruar atë dhe letërsinë shqipe.

Komentoni dhe ju këtë opinion / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE