English

Deklarata politike e shqiptarëve, Lugina e Preshevës, bashkim me Kosovën?!

Preshevë, 3 gusht, NOA - Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkimit të saj me Kosovën, në rast të një ndryshimi të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se në rast të ndryshimit të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare Lugina e Preshevës do të riaktivizonte referendumin e vitit 1992, me të cilën kërkohet bashkimi me Kosovën.

Deklarata e Kamberit pasoi qëndrimin e një ligjvënësi amerikan, Dana Rohrabacher, për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan. Por mundësia e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar nga sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i cili ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet as kushtetuese dhe as politike për një zgjidhje të tillë. Ai tha se të dyja palët duhet të ulen për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk ka patur bisedime në nivel ndërkombëtar për shkëmbim territoresh dhe kanë vlerësuar se Beogradi ende nuk është një partner serioz për të biseduar për çfarëdo çështje.

Nga ana e tyre, këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, në një seancë të mbajtur të shtunën kanë nxjerrë një deklaratë politike, ku ndër të tjera ka kërkuar parandalimin e përkeqësimit të situatës politike dhe të sigurisë në Luginë dhe ndërprerjen e aksioneve të policisë speciale si dhe çmilitarizimin e rajonit.

Deklarata e Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës

"Kuvendi shpreh brengosjen më të thellë për tensionimet e vazhdueshme të situatës politike dhe të sigurisë në Luginë të Preshevës e cila vjen si pasojë e: - incidenteve të fundit në rajon, - arrestimeve të dhunshme spektakolare të shqiptarëve, - deklaratave agresive dhe të pabaza të zyrtarëve shtetërorë dhe fushatës antishqiptare të mediave proshtetërore; - mungesës konstante të vullnetit politik të Qeverisë së Serbisë për qasje më serioze në zgjidhjen e çështjeve jetike të shqiptarëve e rajonit sipas Programit të vitit 2001, Marrëveshjes së Konçulit dhe Marrëveshjes për riorganizimin e Trupit Koordinues (mars 2009); - ekzistimit të problemeve të pazgjidhura në sferën politike, të ekonomisë, arsimit, kulturës, informimit, integrimit, shëndetësisë etj, Meqë si pasojë përfundimtare e të gjithë këtyre çështjeve të pazgjidhura vjen zvogëlimi i vazhdueshëm i substancës kombëtare shqiptare në Luginë të Preshevës, Kuvendi: - Kundërshton fuqishëm çfarëdolloj dhune që sjell destabilizimin Luginës së Preshevës, sikur dhe ndërmarrjen e aksioneve të dhunshme spektakulare të xhandarmerisë dhe policisë speciale, por, edhe kërcënimet paushlle për arrestime të reja të ish pjesë tarë ve të UÇPMB-së , me pretekst të futjes së frikës në popullatën civile shqiptare - Vlerëson se aksionet e fundit të xhandarmërisë dhe policisë speciale janë në vazhdën e përpjekjeve të pandërprera për kriminalizimin e shqiptarëve si kolektivitet, në vazhdimësi përmes manipulimit politik me çështjen krimit dhe "ekzistimit të terrorizmit" tentohet të shmanget vëmendja e opinionit ndërkombëtar nga mosrealizimi i obligimeve të marra nga ana e shtetit me Marrëveshjen për riorganizimit të Trupit koordinues të marsit 2009; Programin qeveritar të vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001; -Gjykon përpjekjet e politikës shtetërore që në emër të "luftës kundër krimit" ta legjitimojë praninë e shtuar të xhandarmerisë dhe forcave speciale në Luginë, si dhe ta kamuflojnë tendencën për eliminimin e Zonës Tokësore të Sigurisë. Duke i mbetur besnik parimit se "zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes së Luginës së Preshevës nënkupton respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve sipas standardeve më të avancuara rajonale dhe europiane në suaza të proceseve eurointegruese" Kuvendi kërkon: - Parandalimin përkeqësimit të situatës politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës dhe ndërprerjen e aksioneve të policisë speciale si dhe çmilitarizimin e rajonit; - Përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në strukturat e organeve shtetërore dhe institucioneve publike, veçanërisht në polici lokale dhe atë kufitare; - Gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për njohjen e Diplomave të Universitetit të Prishtinës, të lëshuara pas 17 shkurtit 2008; - Lirimin e të arrestuarve shqiptarë në dhjetorin e vitit 2008, dhe procedimin e lëndës së tyre nga ndonjë mekanizëm juridik ndërkombëtar, meqë politizimi i skajshëm i kësaj çështje, dhe inkriminimi i të gjithë pjesë tarë ve të ish UCPMB-së pa përjashtim, nuk i len kredibilitet sistemit gjyqësor në Serbi për procesim objektiv të lëndës; - Krijimin e kushteve për kthim të të zhvendosurve dhe kompenzimin e dëmeve materiale të shkaktuara në pasurinë e tyre, gjatë dhe pas konfliktit të armatosur, - Lejimin e frekuencave për TV Presheva dhe Radio Bujanoci, nga institucionet përgjegjëse republikane, - Nisjen e iniciativës për krijimin e institucioneve rajonale të shqiptarëve, por, dhe formimin e rajonit të posaçëm të Luginës së Preshevës, në frymën e Platformës Politike të janarit 2006; - Nxitjen e bisedave ndërkombëtarisht të ndërmjetësuara mes Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve legjitim institucional dhe politik shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për ta dinamizuar ecurinë e procesit politik të rifilluar në marsin e këtij viti, konform standardeve më të avancuara rajonale dhe evropiane".

n.e/NOA

KOMENTE