English

Berisha: Do ja japim komunës tokën e atij që nuk e punon

Tiranë, 5 gusht NOA - "Toka e papunuar është një dëm i rëndë i interesit publik për vendin. Unë frymëzohem kur shoh përpjekjet e tyre për të mbjellë edhe mikroparcela, në mënyrë që të mund të mbijetojnë, ndërkohë në zona të tjera të ultësirës bregdetare dhe jo vetëm të saj ka mijëra hektarë që nuk punohen" Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se qeveria do të adaptojë një qëndrim të ri ndaj tokës së papunuar. Ministria e Bujqësisë do të përgatisë projektligjin që vendos kalimin e tokës së papunuar në fondin e komunës dhe dhënien e saj me të dhjetë.

"Toka e papunuar, - u shpreh Kryeministri - është një dëm i rëndë i interesit publik për vendin. Shqipëria është një vend me pak tokë, është një vend malor dhe zonat malore që përbëjnë dhe 2/3 e territorit të saj kanë probleme shumë të mëdha. Ndërkohë ka zona të tjera, ku gjeni të mbjellë çdo metër katror".

"Unë frymëzohem kur shoh përpjekjet e tyre për të mbjellë edhe mikroparcela, në mënyrë që të mund të mbijetojnë, ndërkohë në zona të tjera të ultësirës bregdetare dhe jo vetëm të saj ka mijëra hektarë që nuk punohen. Këtë tokë e kemi ndarë me ligjin 7501, një ligj që është bazuar në parimin ‘toka atij që e punon' dhe ‘atij që jeton aty'. Unë nuk them se do t'i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t'ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë i detyruar ta japë me të dhjetë. E dhjeta është taksa e librave të shenjta, taksa më e lashtë e të gjitha kohërave, më e drejta dhe më e ndershmja. Ndaj, duke e kaluar në fondin e komunës, kjo e fundit do të ketë të drejtë t'ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit, që i ka kthyer shpinën tokës, t'i paguajë të dhjetën. Nuk mund të lëmë as edhe një metër tokë të papunuar në vend" tha më tej kryeministri.

Kryeministri kërkoi Ministrisë së Bujqësisë që projektligji të paraqitet brenda muajit gusht në qeveri, në mënyrë që t'i jepet fund situatës së papranueshme me tokat e papunuara.

"Ne kemi shumë pak tokë. Mbi gjysmë milioni qytetarë shqiptar jetojnë me një sipërfaqe toke për frymë jashtëzakonisht të papërfillshme. Nëse shkoni në Kurvelesh apo Mirditë, do të shihni sesa tokë ka për frymë. Ndërkohë që ka fusha të tëra që rrinë djerrë. Kjo do të marrë fund. Ligji do të jetë brenda muajit gusht. Toka do të jepet me të dhjeta. Të lësh papunuar tokën në ultësirën perëndimore është mëkat. Ndërkohë që nëse shikoni në kodrat midis Peqinit dhe Kavajës do të mahniteni, sesi në majë të saj kanë punuar një parcelë edhe pse në dimensione jo të mëdha. Po ashtu në Kuç, Progonat jetojnë me mikroparcela, në një kohë kur qindra e mijëra hektarë tokë rrinë të papunuara. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar varfërinë dhe varfëria më ekstreme sot është në zonat malore"Â tha Berisha.

k.k/NOA

Â

KOMENTE