English

Berisha: Nuk kam kundërshtar më komod se Edi Rama

Laç, 7 gusht NOA - "Rama je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty" Kryeministri Berisha nuk kishte sesi të mos fliste për kundërsharin e tij gjatë fjalimit në Laç ku inauguroi disa punime.

Gjatë fjalimit të tij, për premtimet që do të realizojë në zhvillimin e qytetit të Laçit, kryeministri Berisha e ndali fjalën e tij edhe te kreu i PS-së.

"Garantoj gjithë qytetarët e mbarë Kurbinit dhe të gjithë Shqipërisë, se 28 qershori nuk kishte qytetarë të humbur, se projektet tona janë të vlefshme për çdo qytetar shqiptarë. Por 28 qershori kishte një humbës të madh, humbi Edi Rama dhe nastradinizmi i tij. Ai ju parashtroi shqiptarëve doktrinën e mashtrimit. Shqiptarët e hodhën atë, aty ku meritonte, në koshin e humbjes" deklaroi Berisha.

"Prapë nuk nxjerr mësim. "Jo - thotë, - do të vazhdoj mandatin se nuk kam humbur". Gënjen veten tënde zoti Edi, se prapë do të humbasësh, prapë do të humbasësh e prapë do të humbasësh. Do të kalosh nga 28 qershori në 28 qershor, nga Ballagati në Ballagat. Absolutisht je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty. Do të qëndrosh, qëndro sa të duash! Ne do të vazhdojmë me veprat tona. Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se qeveria do të financojë çdo projekt për këtë qytet dhe për ju qytetarët e mrekullueshëm të Kurbinit" përfundoi kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE