English

A do të lejohet shkelja e sovranitetit të Kosovës, më 16 gusht?!

Paralajmërimet për zgjedhjet e (jashtë)zakonshme serbe në Kosovë

Kriza e përgjithshme sociale ka filluar ta përfshijë edhe Serbinë dhe po përhapet në përmasa të dukshme brenda territorit të saj. Njerëzit duken të uritur dhe të hidhëruar në pushtetin aktual. Trazirat rreth çështjeve sociale në Serbi janë të pashmangshme, madje mund të jenë të përmasave edhe më të mëdha se trazirat që ndodhën në Greqi. Nëse ndodhë kjo, sigurisht se në Serbi do të ketë zgjedhje të parakohshme, apo krijim të qeverisë së unitetit.

Përkundër kësaj, pushteti aktual në Serbi, po tenton që edhe këto sfida t'i tejkalojë nëpërmjet fenomenit Kosovë. Qeveria e Serbisë, duke provokuar e bartur kriza në Kosovë e rreth Kosovës, po përpiqet të justifikohet, për të shmangur goditjet nga brenda të grupeve të revoltuara. Kjo ndoshta është edhe njëra ndër arsyet kryesore të Serbisë, që tema e Kosovës, madje edhe artificialisht, të gjendet në krye të listës së problemeve politike në Serbi, veçanërisht nga Vuk Jeremiqi, ministër aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, ngase gjithnjë e më shumë në Serbi po kuptohet se Kosova është e humbur dhe se preokupimi me këtë çështje nuk sjellë kurrfarë përmirësimi të jetës në Serbi.

Krijimi i një gjendjeje të tillë në Serbi dhe veçanërisht tendencat e vazhdueshme serbe për ta mbajtur edhe më tutje kontrollin mbi Kosovë, sjellin telashe shtesë për Kosovën. Struktura të caktuara të këtyre grupeve janë të pranishme edhe brenda partive politike serbe. Pra, ky fenomen reflektohet edhe në partitë politike, ku dallimet duken të jenë të mëdha.

Problemet e një krize të thellë që po e përfshinë Serbinë, ku kriza më e thelluar do të jetë gjatë vjeshtës së këtij viti, kohëve të fundit kanë Â filluar të dalin në sipërfaqe. Inflacioni dhe papunësia kanë shënuar një shtim të jashtëzakonshëm. Për ta përballuar këtë krizë qeveria e Serbisë ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar një ndihmë prej 3 miliardë eurosh. E gjithë kjo po ndodhë kur Ballkani është goditur nga një krizë e rëndë globale. Duhet cekur se Serbia shumë më shumë është goditur nga kriza globale financiare sesa Kosova.

Në ngjarjet e këtij rrafshi, vija e nacionalistëve serbë në shumë drejtime po vazhdon të bëjë trysni që Beogradi të lidhet me Rusinë e t'ua kthejë shpinën ambicieve për anëtarësim në BE. Për ta përfituar përkrahjen e Rusisë për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, Serbia bëri marrëveshjen e njohur për shitjen e NIS-it (Industrisë së Naftës së Serbisë) Gazpromit rus, për 550 milionë euro, edhe përkundër faktit se vlera reale e NIS-it ishte mbi 2 miliardë euro. Pra, shumë më lirë se sa çmimi real i tregut. Edhe pse kjo marrëveshje është në disfavor të Serbisë, Tadiq dhe Jeremiq, Â llogarisin se në këtë mënyrë do ta sigurojnë vazhdimin e përkrahjes së Rusisë për pozicionet e Serbisë rreth Kosovës.

Pos krizës ekonomike që ka filluar ta pllakosë Serbinë, siç u tha edhe më lart, Serbia në vazhdimësi gjendet në krizë politike. Edhe pse Brukseli dhe Perëndimi përgjithësisht i kishin varur shpresat dhe donin të besonin se skena politike në Serbi pas zgjedhjeve të 11 majit 2008, do të jetë më stabile, ndodhi e kundërta, pikërisht për shkak të mungesës të reformave të mirëfillta politike në Serbi, të cilat po ballafaqohen me probleme të mëdha politike dhe ekonomike. Grumbullimi i këtyre problemeve në një vend nuk po lejon dot të krijojë një pushtet funksional, i cili do të siguronte stabilitet politik dhe ekonomik në vend.

Në anën tjetër, me gjithë problemet e mëdha të brendshme që e kanosin Serbinë, ajo është duke e përmirësuar pozicionin e saj në BE, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Brukselit dhe vet Bashkimit Evropian dhe ka gjasa që gjatë vitit 2009, ta fitojë statusin e "shtetit kandidat" për të hyrë në Bashkimin Evropian, edhe pse kushti kryesor për këtë nuk është plotësuar - arrestimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i cili akuzohet për krime të rënda në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore, dhe dorëzimi i tij në Tribunalin e Hagës për krime lufte.

Me gjithë krizën e madhe që ka përfshirë Serbinë dhe problemet politike të brendshme, duke filluar nga divergjencat e mëdha mes partive politike dhe mosfunksionimin si duhet të koalicionit të tanishëm qeverisës në Serbi, ajo edhe më tutje vazhdon ta luajë rolin e "viktimës" në raport me çështjen e Kosovës.

Loja e Serbisë me Kosovën vazhdon të jetë aktuale edhe pas 17 shkurt 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën e Pavarësisë, duke marrë për bazë Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Ardhshëm të Kosovës dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Edhe përkundër kësaj shpalljeje, UNMIK-u vazhdon të mbetet në Kosovë edhe pse me mandat të rikonfiguruar. Në anën tjetër, pothuajse 1/3 e territorit të Kosovës është sërish e kontrolluar nga strukturat paralele të Beogradit, të cilat mjaft mirë janë të organizuara dhe të mbështetura në shumicën e rasteve nga partitë opozitare radikale serbe.

Ditë më parë i ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe në Kosovë ka kritikuar politikën e Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës, duke i cilësuar veprimet e Beogradit zyrtar si tradhti. Deklarimet e tilla të këtij kuvendi kanë shënuar pikën më të lartë të përkeqësimit të raporteve të Qeverisë së Beogradit me përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në Kosovë. Në shumicën e rasteve, Qeveria e Serbisë ka deklaruar se nuk e ka ndikimin mbi strukturat paralele, ngase ato kontrollohen nga partitë opozitare radikale serbe. Kjo politikë i mundëson Serbisë të bëjë veprime radikale në Kosovë dhe të mos merr përgjegjësi shteti direkt.

Pos çështjeve që u përmendën më lart, brenda Serbisë ekziston edhe një krizë tjetër, ajo e Vojvodinës dhe e Kosovës Lindore të cilat kanë filluar të paraqesin opsionet e hapëta për pavarësim dhe ndarje nga Serbia. Madje, liderët politikë të Kosovës Lindore kanë paraqitur opsionet e tyre për t'ju bashkangjitur Kosovës, duke u mbështetur në vullnetin e shqiptarëve, të shprehur me referendum në vitin 1992.

Mu në këtë kohë nga kongresisti amerikan, Rohrabaker, ka dalë propozimi për shkëmbim territoresh, përkatësisht që Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) t'i takojë Kosovës, kurse veriu i Kosovës t'i takojë Serbisë. Megjithatë, shkëmbimi territorial është opsion, ngase siç është parë historikisht gjer më tani, Serbia është mësuar të bëjë gllabërime të territoreve në dëm të trojeve shqiptare, e mbështetur nga Evropa dhe aleatët e saj.

Pos tjerash, Serbisë i duhet që deri në fund të këtij viti të integrojë kufijtë për shkak të liberalizimit të vizave, që do të thotë se Serbia në bashkëpunim edhe me EULEX-in, të vendosin doganat me Kosovën. Kjo e bën situatën edhe më delikate në shumë fusha.

Strukturat e shërbimeve sekrete serbe në bashkëpunim me qeverinë e Serbisë, janë duke tentuar që të bëjnë legalizimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, duke tentuar ta bëjnë realitet krijimin e entitetit serb në Kosovë. Në këtë kontekst kanë qenë tendencat e Serbisë për të organizuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë (më 11 maj 2008) edhe në Kosovën e pavarur. Edhe pas mbajtjes së atyre zgjedhjeve kemi struktura paralele serbe të cilat nuk e njohin pushtetin e Kosovës, nuk e njohin kushtetutën dhe ligjet në fuqi, kemi gjykata paralele, arsim paralel dhe pushtet serb që dirigjohet nga Beogradi në Kosovë.

Sërish Serbia paralajmëron zgjedhje në Kosovë, pikërisht mbajtjen e "zgjedhjeve të parakohshme" në komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës, më 16 gusht 2009, gjë që Â është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme serbe, parashihet të mbahen në komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës, pasi që për këto komuna ishte anuluar rezultati i zgjedhjeve të 11 majit të vitit 2008. Lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve bartë mbi vete rreziqe të shumta. Kjo është edhe një sprovë tjetër që i vë në dyshim disa koncepte të pavarësisë dhe legjitimitetit tonë, të krijuar pas shpalljes së pavarësisë. Tolerimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme, kërcënim i sigurisë dhe shkelje e sovranitetit të Kosovës. Lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë, në një mënyrë, i rilegjitimon edhe një herë strukturat paralele serbe në Kosovë, duke lejuar funksionimin e pushtetit paralel. Â

Kosova ka arsye të plotë dhe kapacitete të mjaftueshme që të mos e lejojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve serbe në Kosovë. Edhe ashtu faktori ndërkombëtar ka qenë duke zhvilluar konsulta dhe negociata të gjithanshme për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit që do të zhvillohen në Kosovë. Megjithatë, Serbia zyrtarisht ka apeluar tek qytetarët serbë në Kosovë që t'i bojkotojnë këto zgjedhje. Edhe përkundër presioneve që vijnë nga Serbia, një pjesë e lidershipit serb të Kosovës është përcaktuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës, më 15 nëntor, të paktën kanë paraqitur subjektet e tyre politike pranë Komisionit Qendror Zgjedhor. Në anën tjetër, institucionet tona vendore kanë kërkuar shuarjen e strukturave paralele, me çka do t'i hapej rrugë krijimit të komunave të reja me shumicë serbe, të parapara me pakon e Ahtisarit. Mu në këtë kohë Beogradi zyrtar paralajmëron mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ndonëse Beogradi ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për institucionet paralele serbe në dy komuna të Kosovës, për Komunën e Prishtinës (në Graçanicë) dhe atë të Pejës (në Gorazhdec), lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka dalë me ndonjë qëndrim të prerë.

 Secili prej nesh e di se në asnjë shtet nuk lejohet organizimi i zgjedhjeve të shtetit tjetër. Në këtë rast, Beogradi nuk ka kurrfarë mandati që të organizojë zgjedhje në territorin e Kosovës, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme. Ne duhet t'i tregojmë Serbisë se jemi shtet i pavarur dhe sovran, i cili ka institucionet e veta, të cilat nuk tolerojnë mbajtjen e kurrfarë zgjedhjeve të shteteve tjera në territorin e Kosovës dhe shkeljen e sovranitetit të vendit. Edhe institucionet kompetente ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë (BE dhe ICO), këtë çështje duhet ta trajtojnë me seriozitetin e duhur. Është jologjike dhe joligjore që organizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, të vazhdojnë me avazin e UNIMK-ut se "nuk i organizojnë, por as nuk i pengojnë zgjedhjet serbe në Kosovë".

Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kësaj radhe duhet të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Lejimi eventual i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nënkupton lejim të qëllimshëm të shkeljes së sovranitetit të shtetit të Kosovës.

(*) Autori është drejtor i OJQ-së për Hulumtime dhe Ndriçime Historike "Anatema" - Prishtinë

KOMENTE