English

Berisha me kuadrot e Policisë së Shtetit: Verifikim pasurive të krimit

Tiranë, 12 gusht NOA Lajm dhe foto Update - Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me drejtues kryesorë në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme ku ka folur për ngjarjen e para pak ditëve në Durrës ku mbetën të vrarë katër policë.

Viktimat e Dajtit, ishin Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari.

Në një deklaratë gjatë takimit me drejtues të Ministrisë së brendshme dhe Policisë së Shtetit, kryeministri pasi foli për masakrën e Durrësit, foli për pasurinë e krimit, duke paralajmëruar se do të ketë verifikim të aseteve që dyshohen se vijnë nga afera kriminale.

Kryeministri lajmëroi se do të amendohet edhe ligji për luftën kundër krimit dhe sidomos ekonominë kriminale që krijon ai.   Sipas Berishës, pasuritë mund t'i gëzojnë të gjithë ata njerëz që provojnë se i kanë fituar në mënyrë të ndershme, por jo ata që kanë kryer krime nga më të ndryshmet.

"Dajti"

Berisha u ndal që në fillim në masakrën e Durrësit, duke e cilësuar Dritan Dajtin "një terrorist i vërtetë, i cili përbënte nj rrezik të madh jo vetëm për sigurinë në Shqipëri, por me veprimtarinë e tij, të shtrirë në disa shtete, ai përbënte rrezik edhe për vendet mike".

Berisha pranoi se "e premtja që shkoi ishte një e premte e zezë", duke shtuar se asgjë më të dhimbshme nuk ka për ne, se mungesa sot e katër oficerëve të policisë":

"E premtja që shkoi ishte një e premte e zezë. Por, ishte nje ditë në të cilën heroizmi juaj, trimëria, vendosmëria për zero tolerancë kundër krimit, ishin më kulmore se kurrë. Asgjë më të dhimbshme nuk ka për ne sesa mungesa sot e Fatosit, Kastriotit, Altinit dhe Sajmirit. Por, do të ishte tmerrësisht më e dhimbshme nëse ndaj kësaj bande dhe këtij superkrimineli nuk rezervohej toleranca zero që njësiti i operacioneve speciale u rezervoi atyre atë ditë".

Më tej, Berisha tha se "dua që shqiptarët ta dijnë se katër policët kanë rënë në mënyrë heroike", duke kërkuar kështu t'i japë fund zërave në media se operacioni për kapjen e Dritan Dajtit ishte jo i organizuar mirë:

"Ndërmjet të gjitha varianteve të mundshme, ata zgjodhën më ligjorin, më dinjitozin për një shoqëri dhe vend të lirë. Atyre nuk u kushtonte gjë të qëllonin me breshëri mbi makinën e superkriminelit, por ligji u kërkonte dorëzimin e tij".

Më tej, kryeministri tha: "Unë e di se shumë shqiptarë shtrojnë pyetjen me veten e tyre: Pse të mos i kishin asgjësuar Dritan Dajtin me shokë", theksoi Berisha, duke dhënë përgjigjen se katër policët e vrarë nuk kryen asgjësimin e të dyshuarve për shkak se respektuan ligjin:

"Midis të gjitha varianteve të mundshme për tak, ata zgjodhën më ligjoren, më dinjitozen për një shoqëri të lirë, për një vend të lirë. Atyre nuk u kushtonin gjë breshëritë mbi ata që dolën nga makina, por ligji kërkonte që ata t'i ndalonin, t'i kërkonin atyre, dorëzimin", theksoi kryeministri.

Këtu, Berisha u ka kujtuar të pranishmëve se kanë marrë pjesë në një mori operacionesh, duke shkatërruar rreth një mijë banda kriminale.

Ndërsa kërkoi që lufta ndaj krimit të vazhdojë, duke shprehu "besim të plotë" se "ju nuk keni të ndalur në këtë betejë, se sakrifica sublime e shokëve tuaj, është një nxitje për t'i rezervuar krimit, tolerancë zero":

"Shërbimi që i keni bërë vendit është i jashtëzakonshëm. Asnjë nga sukseset e sotme të Shqipërisë nuk do ishte i mundur pa trimërinë, vetëmohimin, vendosmërinë dhe sakrificën tuaj. Të gjitha arritjet kanë për themel rendin dhe sigurinë që ju i dhatë vendit dhe luftën me zero tolerancë që ju adaptuat". Në këtë kuadër, Berisha ilustroi dhe me kapjen sot në mëngjes të të shumëkërkuarit Selami Hasanaj në Fier.

Menjëherë më pas, Berisha u kujtoi kuadrove të policisë dhe "pastrimin e vetes", duke nënkuptuar se ka abuzim brenda radhëve të policisë.

e.l/NOA /
KOMENTE