Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bode: Buxheti i ri përfshin dhe kërkesat e LSI
English

Bode: Buxheti i ri përfshin dhe kërkesat e LSI

Tiranë, 15 Gusht NOA - Ministri i Financave Ridvan Bode thotë se në projektbuxhetin e ri që po hartohet, do të përfshihen edhe opsionet që do të hidhen apo janë pjesë e programit elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke siguruar se kjo nuk përbën ndonjë rrezik.

Këtë pohim Bode e bëri dje kur gjatë një interviste në Top Channel, iu përgjigj pyetjes: A do të përmbajë ky projektbuxhet edhe prioritetet e programit të partisë në koalicion, pra LSI-së? Nëse po, cilat do të jenë disa prej këtyre pikave?

Ministri tha se "ajo që do të konsolidohet në program dhe që do të miratohet në Parlament në muajin shtator me formimin e qeverisë, do të jetë platforma mbi të cilën do të mbështeten programet dhe politikat buxhetore. Ne po punojmë bashkërisht që të konsolidojmë një program qeverisës që të respektojë si prioritet e vendit, ashtu dhe prioritetet e partive në koalicion, jo vetëm të LSI-së.

Më poshtë, ndiqni intervistën e plotë:

Kur do të jetë gati drafti për buxhetin e ri?

Administrata është duke punuar në të gjitha dikasteret për të përfunduar me projektbuxhetin e 2010-s brenda këtij muaji dhe ta kalojë për miratim në qeveri po brenda këtij muaji. Qëllimi është që kabineti aktual të përfundojë procedurat për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2010 dhe të dërgohet në Parlament për t'u miratuar, në mënyrë që të mos cenohet kalendari kohor i miratimit të buxhetit 2010, çka do të thotë që t'u japë kohë të gjithë përdoruesve të buxhetit që të përgatitin në kohë brenda vitit 2009 të gjitha procedurat, të gjitha projektet, politikat dhe programet që do të implementohen në vitin 2010 dhe të kemi një fillim të menjëhershëm që nga muaji janar për zbatimin e gjithë programit buxhetor për 2010-n. Pra, do të jetë ky muaj që do të finalizojë përgatitjen e projektbuxhetit dhe prezantimin e tij në Parlament, do të jetë kjo qeveri, ky kabinet që do të përfundojë procedurat e përgatitjes së buxhetit 2010, pasi kuptohet që me ndryshimin e kabinetit mund të ketë probleme, të cilat mund të vonojnë në kohë miratimin e draftit dhe paraqitjen e tij në Parlament. Projektbuxheti i 2010-s, që jemi duke punuar, kuotat, shifrat, parametrat kryesorë të tij reflektojnë prioritetet e deklaruara nga ana e qeverisë dhe që përbëjnë edhe prioritetet e vendit për zhvillimin e shpejtë ekonomiko-shoqëror dhe për një mbështetje më të madhe në investime publike në sektorë prioritarë dhe një rol aktiv i buxhetit në raport me ekonominë reale. Sigurisht që do të ketë përqendrim dhe do të vijojë politika e moscopëzimit të buxhetit, çka do të thotë avullimit të parave përmes një buxheti jo të konsoliduar dhe jo të përqendruar në projekte të mëdha. Edhe më 2010-n do të vijojmë me projekte të mëdha. Do të jenë disa shtylla. Së pari, investime në infrastrukturë, të cilat sigurisht që do të jenë pjesa kryesore e investimeve publike në buxhet. Do të kemi përshpejtim të investimeve në sektorin e bujqësisë, pra kalon një prioritet i ri në politikat tona buxhetore, do të vijojmë me politikat për investimet në infrastrukturën rurale përmes grandeve konkurruese në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës, shkolla, duke ruajtur një nivel të lartë investimesh të tilla dhe do të fillojë një program i ri, që ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë të të gjithë pjesëve të territorit të vendit dhe veçanërisht të pjesës Tiranë-Durrës dhe Ultësirës Bregdetare, që do të mbështeten nga një program i madh dhe i përqendruar investimesh dhe po punohet për ndërtimin e strategjisë për fillimin që më 2010-n të këtij projekti madhor për vendin. Pra, do të jenë këto përqendrime të mëdha që do të mundësojnë implementimin efektiv dhe efecient të buxhetit të vitit 2010. Projektet e mëdha të investimit në infrastrukturë dihen tashmë. Janë përfundimi i rrugës Durrës-Kukës në disa segmente, përshpejtimi i investimeve në Rrugën e Arbrit, Tiranë-Dibër, rruga Qukës-Qafëplloçë, përfundimi i rrugëve në drejtim të Vlorës dhe Tepelenës, pra 2 akset Fier-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Do të fillojë më 2010-n lidhja midis Tiranës dhe Elbasanit për rritjen e përshkueshmërisë në Shqipërinë Qendrore dhe do të ketë investime të tjera, kryesisht të përqendruara në Tiranë, për të filluar unazën e Tiranës dhe për të vijuar në përqendrimet e mëdha të investimeve, të cilat janë me impakt jo vetëm shoqëror, por dhe ekonomik dhe që do të mundësojnë modernizimin e mëtejshëm të vendit nga pikëpamja infrastrukturore dhe që do të krijojnë mundësi për një zhvillim më të shpejtë në territore të caktuara të vendit.

Sa parashikohen investimet dhe a do të ketë përqendrim shpenzimesh në objekte të mëdha si në vitin 2009?

Buxheti në vetvete ruan atë trend që ne kemi miratuar në buxhetimin afatmesëm të vendit dhe ruan konturet kryesore të strategjisë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë në kuadrin e programit që kemi. Vëllimi i të ardhurave do të vazhdojë të rritet në buxhet me një trend të shpejtë sikurse në vitet e kaluara, duke synuar t'i afrohet rreth 28% produktit të brendshëm bruto. Të ardhurat në Buxhetin e Shtetit kryesisht nga të ardhurat tatimore do të ruajnë nivelet e shpenzimeve të buxhetit rreth 31-32% të GDP-së si projektim, investimet publike do të shkojnë deri në 7-7,5% të GDP-së, çka do të thotë rreth 1/5 e shpenzimeve. Në çdo 4-5 lekë, 1 lek do të shkojë për investime publike, përmirësimin e infrastrukturës dhe për mbështetje të zhvillimit të shpejtë ekonomiko-shoqëror të vendit.

Çfarë parashikohet në këtë projektbuxhet për sa i përket mbështetjes sociale dhe cilët sektorë janë prioritare?

Sigurisht që politikat sociale do të jenë prioritet. Në qoftë se në mandatin e parë qeverisës ne arritëm të rritim shpenzimet sociale nga 6% e GDP-së në rreth 8,7%, do të vijojmë t'i përafrohemi mesatares më të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, do të jenë të gjitha shërbimet sociale që ofron Buxheti i Shtetit, do të njohin të njëjtën rritje që kemi parashikuar gjatë mandatit të shkuar. Ajo çka është e rëndësishme në buxhetin e 2010-s është përmirësimi i përdorimit të këtyre fondeve, pra rritja e eficiencës së përdorimit të këtyre fondeve në raport me qëllimin e miratuar, çka do të thotë reformim tërësor i procedurave të asistimit social dhe mundësi për përfitim të këtyre fondeve për ata që kanë vërtet nevojë dhe rritja e këtyre fondeve për të përballuar të gjitha nevojat që kanë grupe të ekspozuara shoqërisht për një mbështetje efiçente nga ana e qeverisë, pra po të punojmë për të parë gjithë skemat dhe për të pastruar skemat nga abuziviteti apo nga përfshirja në mënyrë jo të drejtë të grupeve të caktuara në skemat e mbështetjes shoqërore. Mendojmë se rritja e fondeve, e shoqëruar dhe me një reformë të tillë, do të zbusë pasojat e varfërisë dhe të problematikës që kanë një sërë zonash apo familjesh, duke pasur më pranë ndihmë shoqërore dhe përkrahje nga ana e qeverisë.

A do të përmbajë ky projektbuxhet edhe prioritetet e programit të partisë në koalicion, pra LSI-së? Nëse po, cilat do të jenë disa prej këtyre pikave?

Ajo që do të konsolidohet në program dhe që do të miratohet në Parlament në muajin shtator me formimin e qeverisë, do të jetë platforma mbi të cilën do të mbështeten programet dhe politikat buxhetore. Ne po punojmë bashkërisht që të konsolidojmë një program qeverisës që të respektojë si prioritet e vendit, ashtu dhe prioritetet e partive në koalicion, jo vetëm të LSI-së.

A rrezikon që programi juaj qeverisës i pasqyruar në buxhet të deformohet nga qëllimet tuaja paraprake për shkak të përfshirjes aty edhe të LSI-së?

Asnjë përfshirje e tillë nuk mund të dëmtojë ato që përbëjnë zgjidhje për nevojat dhe prioritetet që ka aktualisht vendi. Mendojmë se është e mundur që në kuadër të këtij bashkëpunimi të mund të identifikohen hapësira të reja, të mund të theksohen elemente të veçanta të kuadrit të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror të vendit për t'u përqendruar, por që nuk besoj se do të prishë shtyllën programore të qeverisë, që ka të bëjë me politikat liberale, politikat e taksave të ulëta, politikat e rritjes së shpejtë të pagave, të përmirësimit të infrastrukturës, ruajtjes së arsimit dhe shëndetësisë si prioritete, mbështetjes më të madhe për bujqësinë. Mendoj se kjo panoramë që ekziston aktualisht përpara politikës shqiptare nuk është e ndryshme, por ritheksimi i elementeve të veçanta në të është i mundshëm, por ndaj është dhe politika.

A parashikoni ndryshime taksash dhe sa do të jenë të ardhurat prej tyre në projektbuxhetin e ri dhe konkretisht ku parashikohet të mbështetet rritja e tyre?

Jemi fatlumë që ekonomia shqiptare nuk u përfshi në vorbullën e krizës dhe sot nuk kemi problemet që kanë vendet afër nesh apo vende të tjera të zhvilluara, që për shkak të impaktit të krizës dhe pasojave që ajo u solli investimeve të mëdha që bënë qeveritë respektive për të minimizuar efektet e krizës dhe të falimentimeve të sistemeve financiare përmes investimeve që ato bënë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo të njëfarë shtetëzimi që bën në sistemin financiar. Shqipëria nuk pati të tilla probleme dhe ne sot nuk jemi në kushtet as të Kroacisë, as të Serbisë, as të Bullgarisë, Maqedonisë, që të ulim pagat dhe pensionet, që të rritim taksat dhe tatimet, siç po ndodh me këto vende. Ne jemi në kushte më komode, me një ekonomi më të stabilizuar. Ajo që ne po bëjmë në këtë fazë është të rregullojmë gjithçka ka të bëjë me kuadrin e përgjithshëm makroekonomik të vendit, me qëllim që, ndërsa bota është duke dalë nga kriza, ne të jemi po ashtu të stabilizuar nga pikëpamja e treguesve makroekonomikë. Ka vende që kanë denatyruar treguesit e përgjithshëm makroekonomikë me një rritje drastike të borxhit, që shkon minimalisht 6,8% dhe 10% të GDP-së. Shqipëria maksimumi në këtë periudhë dy-trevjeçare të përfshirjes së krizës mund të ketë vetëm një rritje rreth 2% në raport me GDP-në të borxhit publik dhe kjo për shkak të kursit të këmbimit. Politikat tona fiskale do të vazhdojnë të jenë të tilla, siç kanë qenë deri më sot aktive dhe mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë dhe të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrueshmëri të treguesve makroekonomikë për të mbështetur programet ambicioze të investimeve dhe të çdo gjëje që ka të bëjë me prioritetet e qeverisë. Pra, politikat tona në fushën e tatim-taksave do të jenë ato që do të mbajnë nivelin më të ulët të tatim-taksave në rajon, për ta bërë Shqipërinë vend tërheqës për investime dhe duke bërë rregullimet e nevojshme për të krijuar jo vetëm një sistem të taksave më të ulëta, por dhe një sistem të taksave më të drejta, çka do të thotë modernizim të brendshëm të sistemit përmes informatizimit dhe përmirësimeve në hallka të veçanta të tij, që të japim atë drejtësi të nevojshme që duhet të ketë një sistem taksash në një shoqëri të tillë.

Ka parashikuar qeveria masa të veçanta antikrizë? A mund të na thoni sa do të jetë projeksioni për rritjen ekonomike gjatë vitit të ardhshëm?

Ne kemi pasur një projektbuxhet afatmesëm që bazohej në një situatë të qetë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit. Sigurisht që ky skenar optimist do të vazhdojë të mbështetet nga ana e qeverisë, por do të bëhen korrigjimet e nevojshme, që të bëjë të mundur që Shqipëria, pavarësisht nga zhvillimet në vendet e tjera, të mund të jetë edhe në këtë fazë, në përfundim të kësaj krize, një vend me tregues tërësisht të stabilizuar. Ndaj ne do të vazhdojmë të ulim borxhin, deficitin buxhetor të qeverisë. Pra, në qoftë se për këtë vit huamarrja e re është programuar 4,2% e GDP-së, pavarësisht nga luhatjet ekonomike që vijnë nga presioni i krizës financiare në botë, pavarësisht nga rritja e vëllimit të investimeve, ne do të mundësojmë që edhe në fund të 2009-s të ruajmë të njëjtët parametra që programuam në fillim të vitit, pra që huamarrja e re të mos jetë më shumë se 4,2% e GDP-së dhe që deficiti përmbi këtë nivel huamarrjeje që kemi miratuar në Parlament të mund të vijë vetëm përmes përdorimit të të ardhurave nga privatizimi dhe jo përmes rritjes së borxhit të vendit. Pra, do të ruajmë parametrat më normalë të borxhimit të vendit. Kjo do të thotë se për 2010-n ne kemi programuar rënie të mëtejshme të deficitit të vendit dhe po ashtu të huamarrjes, çka do të thotë mundësi për të ulur gjithnjë e më shumë parametrat e borxhit. Shqipëria nuk është një vend që ka borxh të madh publik, por mirë është që të jetë vendi me borxhin më të ulët, që të kemi stabilitet të qëndrueshëm afatgjatë dhe që të kemi mundësi jo vetëm për stabilitet ekonomik dhe për rritje ekonomike të vendit, por stabilitet në të gjitha sferat: ekonomike, financiare, shoqërore, në raport me biznesin privat, në sektorë specifikë të ekonomisë etj. Së dyti, do të synojmë që Shqipëria të kthehet në nivelet e larta të rritjes ekonomike. Nëse për 2009-n programimet tona shkojnë në 5% në rritjen ekonomike të GDP-së, mendojmë që për 2010-n t'i afrohemi prapë nivelit 6%, për të tentuar që më 2011-n dhe 2012-n të kapim prapë nivele rritjeje si viti i kaluar, me 8% apo 9% të rritjes së GDP-së. Pra, ky është trendi. Ne mendojmë përshpejtim të rritjes ekonomike për 2010-n dhe kuadri ynë monetar fiskal mundëson dhe synon një rritje të tillë ekonomike, por gjithashtu një përmirësim nga pikëpamja e strukturës së realizimit të të ardhurave. Ne marrim në konsideratë efektet që vijnë nga impakti i krizës ndërkombëtare, të cilat janë shfaqur gjatë këtij viti në sistemin doganor përmes një ngadalësimi të ritmeve të rritjes së të ardhurave në sistemin e doganave për shkak të rënies së çmimeve për grup-mallrash kryesore, me peshë në ekonominë shqiptare, si karburantet. Mendojmë se të gjitha këto duhen marrë në konsideratë. Prandaj kemi programuar që për 2010-n të kemi një rritje ekonomike në terma realë rreth 6% dhe në terma nominalë prej 9%. Do të kemi rritje të të ardhurave në buxhet që është mbi këtë nivel, pra mbi shumatoren e të 2 elementeve përbërëse, që rritin masën e ekonomisë në terma nominalë. Pra, do të jetë një kujdes më i madh për të konsoliduar parametrat më normalë të treguesve makroekonomikë, uljen e deficitit buxhetor, mbajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe për mbështetje të vëllimit të investimeve dhe të prioriteteve të qeverisë.

KOMENTE