English

Mos na mbështetni për muri

Nëse shefi i EULEX-it Yves de Kermabon na detyron dhunshëm që t'i nënshtrohemi shtetit serb me forma banale të bashkëpunimit rajonal, institucionet tona e kanë obligim që të na hapin perspektiva tjera. Njëra prej tyre është bashkimi me Shqipërinë.

Nga Berat Buzhala

Ekziston një slogan patetik "Go Home!", të cilin mediat vendore në këto 10 vjet e kanë rezervuar për misione, apo zyrtarë të huaj, që nuk silleshin në përputhje me interesat e Kosovës. Fillimisht, mediat i janë drejtuar kështu shefave të huaj të kompanive publike, për të cilët dyshohej se nuk janë në nivelin e detyrës. U janë drejtuar edhe shefave të misioneve të ndryshme. E u janë drejtuar edhe vet misioneve. Disa qindra herë ky slogan ishte përdorur për UNMIK-un. Nuk ka mbetur gazetë as komentator, prej atyre më jo anglishtfolësve, që së paku njëherë nuk i është shfryrë UNMIK-ut me një: "UNMIK Go Home!". Nuk po flas këtu për lëvizjet radikale, të cilat misionet e huaja i kanë ftuar të kthehen në shtëpitë e tyre ende pa zbarkuar në vendin tonë, por për media relativisht të moderuara. Këto ditë, me një parashikueshmëri të pagabueshme, jam duke e pritur një vërshim të tillë titujsh në mediat kosovare. Vë bast që në mungesë të ndonjë titulli më kreativ disa prej gazetave vendore do ta ftojnë EULEX-in, në gjuhën angleze, që të kthehet në shtëpi, në momentin kur shefi i këtij misioni do ta marrë guximin që ta nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e policisë serbe, Ivica Dacic. Sado që e thjeshtë që do të duket në fillim dhe sado që ky mision i Bashkimit Europian do të provojë që ta fusë nën tepih ketë shfryrje, ky do të jetë momenti kur popullata shqiptare do të fillojë ta shohë me armiqësi misionin ndërkombëtar. Ky do të jetë momenti kur EULEX-i do t'i përngjajë milimetrikisht misionit të UNMIK-ut. Ka qenë viti 2001, kur Hans Haekkerup, një kryeadministrator karagjoz i UNMIK-ut, pati marrë guximin që të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi, me Nebojsa Çoviçin, atëbotë shef i qendrës koordinuese për "Kosovë dhe Metohi" në qeverinë e ish Jugosllavisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar pak ditë para zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, kurse Haekkerup si koncesion prej Çoviçit e kishte nxjerrë një ftesë të ish Kryeministrit Vojislav Kostunica drejtuar serbëve të Kosovës, që këta të fundit të merrnin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë. Kryeadministratori u kishte premtuar serbëve se qeveria e parë e Kosovës nuk do të mund ta shpallte pavarësinë e Kosovës dhe e kishte rikonfirmuar autoritetin de jure të Jugosllavisë mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244. Klasa politike shqiptare në Kosovë po shkulte flokët pas kësaj marrëveshje, kurse në Beograd festohej. Çoviçi e kishte shitur marrëveshjen me Haekkerupin si fitore serbe dhe si argument bindës që Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet i pavarur. Dorën në zemër, ajo marrëveshje nuk ndikoi shumë në jetën tonë të përditshme. As nuk na trembi pavarësinë, që erdhi pas nja 7 vitesh, por përfundimisht e rrënoi autoritetin e UNMIK-ut përpara syve të popullatës shumicë në Kosovë. Pikërisht si pasojë e kësaj marrëveshjeje dhe veprimeve tjera të papërgjegjshme të zyrtarëve të UNMIK-ut, Kosova ishte kallur flakë në mars të vitit 2004, kurse titujt "UNMIK Go Home!" po shumëzoheshin, tashmë jo vetëm nëpër gazeta, por edhe nëpër mure të shtëpive. Misioni i EULEX-it që prej fillimit nuk e ka pasur fatin që të pritej me duar të hapura nga popullatës shumicë në Kosovë. Ishin gjashtë pikat e hidhura të Ban Ki Moonit dhe një kompromis në mes OKB-së dhe Beogradit që i ngrysën fytyrat tona përball misionit të BE-së. Madje, për dallim nga EULEX-i, misioni i UNMIK-ut në fillimin e tij ka qenë shumë më simpatik. A ju kujtohet sharmanti Bernard Kouchner që shëtitej me plis të bardhë rrugëve të kryeqytetit? Ky mision i OKB-së më vonë erdhi duke u stërkequr dhe degraduar. Kurse EULEX-i, në vend se të përpiqet të na blej zemrat, është duke punuar në të kundërtën. Është duke e gërryer plagën ende të pashëruar, dhe për më keq, po na sjell ndërmend emra kaq të urryer për ne, si ai i Ivica Dacicit. Pak ka lidhje për të ardhmen tonë nënshkrimi apo jo i këtij protokolli me palën serbe. Pas disa kohësh edhe kjo marrëveshje do të harrohet, sikur ajo Haekkerup - Çoviç, sepse për ketë nuk ka pëlqim të shumicës së banorëve të këtij shteti. Mirëpo kjo marrëveshje, nëse realizohet, do ta afektojë në mënyrë direkte, më së shumti, të ardhmen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Krejt pjesa tjetër e rrëfimit për nevojën e saj janë dokrra. Ky nënshkrim dhe kjo marrëveshje nuk e sjellë asnjë beneficion për qytetarët e Kosovës, në emër të të cilëve provon ta nënshkruajë Yves de Kermabon. Kryetarit i Serbisë, Boris Tadic, vetëm para disa ditësh ka deklaruar në mënyrë raciste se terrorizmi është i shtrirë atje ku ka shqiptarë. Nëse do ta respektonte marrëveshjen e bashkëpunimit, Kermabon do të duhej t'i niste për në Beograd dosjet e të gjithë shqiptarëve të dyshimtë për Beogradin, e kjo do të nënkuptonte të secilit prej nesh, duke filluar prej Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili për Serbinë edhe më tutje konsiderohet terrorist. Kjo marrëveshje është vetëm se një aktrim i turpshëm për gjoja rritjen e bashkëpunimit rajonal, sepse sipas EULEX-it, të tilla marrëveshje janë bërë edhe me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Për dallim prej tyre, Serbia jo vetëm që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilën gjë nuk po provojmë ta ngushtojmë për momentin, por nuk i ka njohur as të drejtat më humanitare të banorëve të Kosovës - pasaportat, letërnjoftimet, targat e veturave. Dhe ketë nuk e bën pse aty shkruan "Republika e Kosovës", por sepse dëshiron ta ngulfat secilën lëvizje të mundshme. Serbia kurrë nuk i ka njohur as pasaportat e UNMIK-ut. Shteti serb u bën thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale (madje Haekkerup e kishte zhvatur ketë koncesion). Pra, me fjalë tjera, Serbia me krejt fuqinë që e ka në dispozicion e minon jetën tonë të përditshme. E rëndon atë me krejt potencialin e saj. Na fyen në baza etnike - si terroristë. Në burgjet tona aktualisht ndodhen edhe disa punëtorë të Shërbimit Inteligjent të Serbisë që kanë kryer aktivitete të rënda kriminale. Shumë të tjerë gjenden në terren. Shteti serb e bojkoton të gjithë prodhimtarinë e Kosovës, ndërsa në Kosovë shet i papenguar. Kurse Yves de Kermabon flet për bashkëpunime të sinqerta rajonale dhe kërkon mirëkuptim për punën që po e bën. Një qasje e tillë brutale për dy milionë qytetarë, na nxit ta mendojmë për një formë tjetër të mbijetesës - Bashkimin me Shqipërinë. "Go Home!" është tejkaluar.Â

(*) Kryeredakto, "Express", Prishtinë

KOMENTE