English

Vetëvendosje! përmbys 25 makina të EULEX-it, policia arreston 21 aktivistë

Prishtinë, 25 Gusht NOA - Lëvizja Vetëvendosje! Ka zhvilluar një aksion tubues kundër misionit EULEX në Republikën e Kosovës, i cili precipitoi në arrestimin nga Policia të 21 aktivistëve.

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se "EULEX-i është mision i cili i është vendosur përmbi institucioneve të Kosovës".

Kurse e akuzoi se "nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është përmbi dhe imun ndaj ligjit të Kosovës, si dhe punon haptazi për t'ia hapur rrugën zbatimit të planit 6 Pikësh dhe shtrirjes së Serbisë brenda Kosovës".

Këtu, Kurti pohon faktin se "Serbia e pati pranuar UNMIK-un vetëm atëherë kur UNMIK-u nuk e pranoi Kosovën si shtet, por pjesë të Serbisë nëpërmjet Rezolutës 1244, kurse EULEX-i u pranua nga Serbia vetëm atëherë kur ai u angazhua se do të vijë në Kosovë me Rezolutën 1244 dhe ‘neutral ndaj statusit', pra kundër pavarësisë së vendit tonë".

Sipas Lëvizjes, "EULEX-i e ka partner të bashkëpunimit Serbinë, kurse institucionet e Kosovës po i trajton sikur mjete të nënshtruara për arritjen e qëllimeve të veta".

Kurti denoncoi gjithashtu faktin se në këtë aksion 21 aktivistë janë arrestuar nga policia e Kosovës, duke shtuar se disa prej tyre, janë rrahur e kërcënuar gjatë rrugës për në stacionin policor dhe brenda tij.

Këto zhvillime erdhën pak minuta pasi afro 25 vetura të EULEX-it, xhipa të zinj me targa 000 BG, u kthyen me kokë poshtë sot, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!.

Aksioni e kundërshtonte praninë e EULEX-it në Kosovë, dhe të gjitha veprimet e tij në dhe për Kosovën, përfshirë protokollin që EULEX do ta nënshkruajë me Serbinë.

Sipas Lëvizjes, protokolli i paralajmëruar është vetëm simptoma më e re, duke akuzuar se "EULEX-i i cili thirret në mbështetjen e institucioneve të Kosovës të cilave nuk iu jep llogari dhe mbi të cilat ka fuqi ekzekutive!".

Lëvizja denoncoi si të papranueshëm faktin se njësitet speciale të Policisë së Kosovës, ndërhynë dhunshëm gjatë aksionit të sotëm, duke arrestuar 21 aktivistë të Lëvizjes.

"Kjo ndërhyrje e policisë la të lënduar aktivistin Skënder Blakaj nga Burimi, i cili është dërguar në klinikën emergjente në QKUK-së, ku po qëndron policia në pritje për ta arrestuar", - vuri në dukje Lëvizja.

Sakaq, aktivistët e Lëvizjes Dardan Molliqaj dhe Fatmir Haziri janë rrahur keq nga policët gjatë rrugës për në stacionin policor dhe brenda tij. Lëvizja denoncoi me detaje, se Fatmir Haziri është rrahur nga polici me numër 8062 e po ashtu është rrahur edhe aktivisti Kujtim Kosumi nga polici me numër 8676, si dhe aktivisti Salih Mehmeti nga polici me numër 8272.

Një numër i aktivistëve, përfshirë Dardan Molliqajn dhe Naser Shatrin, janë kërcënuar edhe me pasoja për personin e tyre pas daljes nga arresti, me fjali të llojit "Kur të dilni keni punë me ne…"

Aksioni i Lëvizjes vetëvendosje! Erdhi pasi ajo konstaton se EULEX-i "po e trash bashkëpunimin me Serbinë në kurriz të Kosovës".

Hapi i fundit në këtë drejtim është Protokolli policor EULEX-Serbi. Në këtë protokoll kufiri Kosovë-Serbi quhet ‘kufi administrativ, e jo kufi ndërshtetëror.

Për Lëvizjen, ky nuk është, madje, as neutralitet pasi kështu kufirin e quan vetëm Serbia.

Më poshtë gjeni emrat e aktivistëve të arrestuar:

Salih Zyba, Ramadan Veliu, Naser Shatri, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Kujtim Kosumi, Salih Mehmeti, Fatmir Haziri, Asdren Peci, Arbër Nuredini, Kasim Uka, Bujar Voca, Rron Gjinovci, Faruk Daka, Skënder Mërtyri, Flamur Arifi, Pajtim Demaj, Lirim Gashi, Fatmir Kurti, Kushtrim Zeqiri, Arbër Vokrri, Skender Blakaj

/a.b/e.l/NOA/

KOMENTE