Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Alternativa e fshehtë
English

Alternativa e fshehtë

Moçali si moçal ka mundur të maskohet në këtë periudhë euforike pas shpalljes dhe konsumimit të pavarësisë dhe të ‘lumturisë' të grabitjes së tenderëve pa asnjë konkurrencë, por ky tashmë ka nisur të kutërbojë rëndë dhe në mënyrë komprometuese. Dhe zgjedhjet lokale, që duken si sfidë e lehtë, mund të krijojnë masën kritike për paraqitjen e një alternative tjetër, më serioze, sfiduese edhe për pozitën edhe për opozitën.

Nga Shkëlzen Maliqi

Tani që po hyjmë ne një periudhë të fushatës më intensive parazgjedhore, do të shtrohet doemos pyetja e faktorëve në garë: a do të mbesin votuesit kosovarë me këtë zgjedhje relativisht të kufizuar të subjekteve politike, apo ka gjasa edhe për ndonjë alternativë? Kjo zgjedhje e kufizuar dihet se në formën më të reduktuar përmblidhet në dy emra: o je për Hashimin, o për Ramushin, si rivalë që kanë potenciale, apo për në shumicë të subjekteve të tjera, që kanë role dytësore, ose prej figurantëve fare. Rolet dytësore ua kanë dhënë vetës pa dyshim edhe disa parti më të mëdha si AKR, LDD e madje edhe LDK, por kjo e treta me një konkubinat të pushtetit aktual, që sikur injoron rëndësinë e zgjedhjeve lokale, ose llogaritë që të paktën kjo parti nuk do të ketë shumë probleme në bastionet që i kanë mbetur nën kontroll nga "perandoria" e dikurshme e kohës kur në krye ishte i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova.

Nga ana tjetër beteja aktuale mes Hashimit dhe Ramushit, edhe pse tashmë ka pasur tone më të ashpra të një konfrontimi më ballafaques dhe të pakompromisë, në esencë i ngjan më shumë një paraloje, ku ambiciet e Hashimit është që të mbajë formulën e shumicë aktuale në pushtet të padëmtuar nga konfiguracione eventualisht lëkundëse lokale, ndërkaq që ambicia e Ramushit është që të kapërcejë pragun magjik e 20 % në total, gjë që do ta kualifikojë për rritje edhe më të madhe në zgjedhjet e përgjithshme, sidomos nëse siç pritët do të ketë shfryrje të konsiderueshme të ‘balon' partive të krijuara vetëm për një a dy përdorim, siç konsiderohet se janë LDD-ja ose edhe AKR-ja, dhe po kështu në një format tjetër edhe LDK-ja, me një goditje të re të ‘humbjes së rrugës në oborr të vetin" pas mosukssesit të ri eventual në zgjedhjet e nëntorit. Në këto kalkulime paraprake zgjedhjet e nëntorit shikohen si një test i ndërmjetëm për kahjen gjenerale të procesit të rikonfigurimit të skenës politike, që herën e fundit sikur mbeti në gjysmë rruge dhe krijoi këtë formulën aktuale të koalicionit të madh, që nga jashtë krijon idenë e stabilitetit, ndërkaq që përbrenda gërryen fuqishëm shtyllat kryesore të këtij stabiliteti. Nëse do të mund të karakterizohej procesi i tashëm ende pa u shpalosur deri në fund strategjia e subjekteve të ndryshme në garën që po afrohet, do të mund të thoshim se ky cikël i zgjedhjeve lokale nuk do të sjellë asnjë risi thelbësore, por vetëm rimatjen e forcave në një konfiguracion me proporcione tashmë të përcaktuara. I vetmi ndryshim që mund të pritet, e thashë më parë, do të ishte kapërcimi i AAK-së përtej 20 përqindëshit, çka do të mund të ndikonte në fuqinë ndikuese dhe negociuese të Ramushit për të bërë gjah në votat e pakënaqura të LDK-së, si dhe paraqitjen e AAK-së si një bosht për tubimin e të gjithë të pakënaqurve dhe atyre që me këto zgjedhje lokale do t'i shpenzojnë edhe atomet e fundit të ambicieve që të marrin pushtetin ose participojnë në të, duke udhëhequr partitë humbëse. Por, a është megjithatë e imagjinueshme paraqitje e ndonjë subjekt të ri, që do të mund të peshonte më shumë në zgjedhjet lokale, si një alternativë e tretë e mundshme, me potenciale për të ardhmen. Në horizont deri më sot nuk kishte asnjë alternativë të këtillë, dhe madje edhe prej disa subjekteve të vogla që është pritur performansa më e guximshme dhe eventualisht tentimi për rritje, nuk ka pasur asnjë tentim ambicioz. P.sh. edhe pse gjendja aktuale praktikisht ua impononte partive të vogla që të bëjnë aleanca dhe të kërkojnë formulat e bashkimit dhe të bashkëveprimit, ato mbeten krejtësisht inerte dhe edhe pa ndonjë strategji të dukshme se po punohet në këtë drejtim. Partia Ora që praktikisht edhe në zgjedhje të fundit do të duhej t'i kishte kaluar 5 % e pragut, por i ka ‘humbur' votat e çmueshme në disa komuna ku nuk ka pasur komisionerë dhe kontrollues të numërimit të votave, nuk ka ndërmarrë hapa për të krijuar koalicione paraprake me subjektet tjera, ose edhe nëse ka pasur këso përpjekjesh, nuk ka hasur në përkrahje. Befason sidomos performansa tejet indolente e PSDK të ish Kryeministrit Agim Çeku, i cili fillimisht e pat refuzuar ofertën mjaft galante të ish drejtuesve të Orës, që startin ta ketë afër 5 %, për ta marrë pastaj PSDK-në që nuk ka pas asnjëherë as 1 %, dhe në ndërkohë nuk është parë se po punon diçka në zgjerimin e rrjetit dhe të anëtarësisë, e as në krijimin e koalicioneve që nëse jo në zgjedhjet lokale, atëherë në ato të përgjithshme, do të paraqiste një alternativë pak më premtuese. Është shumë e çuditshme kjo indolencë e subjekteve të vogla ose të atyre që po shthuren ashiqare, dhe nuk po gjejnë fuqinë e brendshme për korrigjime dhe përshtatje rrethanave në mënyrë më refleksive. Madje edhe ata që provuan me reflektua, si Berim Ramosaj me propozimin e ribashkimit të LDD-së me LDK-në, dolën vetë humbës. Më parë kështu kaloi edhe reformisti i LDK-së, Blerim Kuçi, i cili u detyrua të kalojë në taborin e AAK-së. Kjo amulli gati e përgjithshme nuk është diçka që siguron stabilitet në afate të gjata, dhe kjo është diçka që duhet të brengosë sidomos Hashim Thaçin, i cili nga moçali i tashëm dhe fuqia stabile e elektoratit të tij, ka krijuar bindjen se nuk ka forcë që mund të sfidojë seriozisht primatin e PDK-së jo vetëm në zgjedhjet e radhës, por as në ato të përgjithshmet që duhet të mbahen me gjasë në vitin 2011. Moçali si moçal ka mundur të maskohet në këtë periudhë euforike pas shpalljes dhe konsumimit të pavarësisë dhe të ‘lumturisë' të grabitjes së tenderëve pa asnjë konkurrencë, por ky tashmë ka nisur të kutërbojë rëndë dhe në mënyrë komprometuese. Dhe zgjedhjet lokale, që duken si sfidë e lehtë, mund të krijojnë masën kritike për paraqitjen e një alternative tjetër, më serioze, sfiduese edhe për pozitën edhe për opozitën. Si e ka emrin sfiduesi eventual, tani nuk e dimë. Por, disponimi për kthesë mbase tashme po kristalizohet.Â

"Express"

KOMENTE