English

Dëshmitari okular: Ju rrëfej si e zhdukën Remzi Hoxhën

Tiranë, 8 Shtator NOA - Ekonomisti i kompanisë së fluturimeve "Albatros" ka treguar sot momentin e marrjes së Remzi Hoxhës nga punishtja e tij.

Astrit Sula që ju shihni në foton e sotme, ka sqaruar Gjykatën e Krimeve të Rënda se Remzi Hoxha ishte marrë nga dy persona të cilët kishin kërcënuar punonjësit gjatë momentit që ata tentuan ta ndalonin.

Pas kundërshtimit të dëshmisë prokurori shpjegoi se Sula në procesverbalin e datës 13 qershor të vitit 2006 ka deklaruar se "punonjësja Violeta Radi më lajmëroi për marrjen e Remziut. Kam qenë në magazinë duke bërë inventarin".

Kurse ka shtuar në rrëfimin e tij: "Kam shkuar menjëherë te porta ku kam parë gjithë punonjësit dhe dy makina. Njëra ishte e zezë, targën nuk munda ta fiksoj, kurse tjetra ngjyrë qumështi me targë TR 2648 C. I thashë punëtorëve ta fiksonin mirë këtë targë".

"Më pas, - vijoi dëshmitari kyç dëshminë e tij, - kam dërguar dy punonjëse të kryenin denoncimin. Kam shkuar të pi kafe pas kësaj ngjarjeje, kur pas dy orësh kanë ardhur dy persona të tjerë".

"Jam njoftuar, - vazhdoi Sula, - nga kolegët e mi dhe më pas kanë shkuar tek punishtja. Dy personat kanë marrë disa paketa cigaresh tek makina e Remziut dhe më pas janë larguar. Benet Frashërit, njërit prej punonjësve të firmës i bëri përshtypje që njëri nga personat e kishte dorën më të shkurtër se tjera".

Debate polici-prokurori

Pas dëshmitarit prokuroria ka debatuar me gjykatën për adresat e dëshmitarëve. Dëshmitari Riza Shehu sipas policisë rezulton të jetë në Amerikë prej 10 vitesh, fakt ky i kundërshtuar nga akuza, e cila ka shpjeguar se pas verifikimeve të kryera ky dëshmitar gjendet në vendin tonë.

Pikërisht prokurori Xhevat Hana ka dorëzuar dy akte me hyrje-daljet e dëshmitarit ku rezulton se më datën 7.5.2008 ai është larguar nga vendi ynë, ndërsa më datën 28.8.2008 ka hyrë sërish në Shqipëri dhe nuk është larguar më.

/a.r/e.n/NOA/

KOMENTE