English

Raporti i Bankës Botërore: Në Shqipëri, më e lehtë të bësh biznes

Uashington, 9 shtator, NOA - Shqipëria është ngritur nga vendi 89 në 82, përsa u përket lehtësive për të bërë biznes brenda territorit të saj. Një fakt i tillë përmendet në raportin e vjetor të Bankës Botërore për gjendjen e biznesit nëpër botë, publikuar së fundmi.

Sipas tij, Shqipëria hyn në vendin e 46 në grupin e atyre vendeve ku hapja e një biznesi të ri është e lehtë. Po ashtu dhe kushtet për tregtinë ndërkufitare të Shqipërisë, janë të favorshme, thuhet në raportin e Bankës Botërore, "Biznesi në 2010: Reforma në Kohë të vështira".

Ndërkaq, bie në sy se Shqipëria renditet edhe atij numri rekord ekonomish në gjithë botën, të cilat reformuan rregullat e biznesit gjatë vitit fiskal 2008 - 2009.

Sipas Bankës Botërore 131 vende nga 183 ekonomitë e përfshira në raport reformuan praktikën e bizneseve të tyre, pra 70% e tyre, një shifër rekord kjo brenda një viti, që nga botimi i raportit të parë të këtij tipi në vitin 2004. Madje ky përparim vjen pikërisht në periudhën e një krize ekonomike botërore. Në raportin e Bankës Botërore "Biznesi në 2910: Reforma në Kohë të vështira" konstaton kryerjen e 287 reformave në periudhën qershor 2008 - maj 2009, që përbëjnë një ngritje prej 20 përqindësh krahasuar me një vit më parë. Për Shqipërinë konkretisht, thuhet se miratoi një ligj të ri për falimentimin dhe agjencinë që do ta mbikqyrë atë, ligj i cili sanksionon edhe afatet kohore për kompanitë që veprojnë me humbje dhe norma kualifikimi për administratorët që do të mbikqyrin procesin e falimentimit.

"Fillimi i bizneseve në Shqipëri u lehtësua, duke e bërë regjistrimin elektronikisht, gjë që natyrisht shtoi edhe kapacitetin e ruajtjes së të dhënave. Po ashtu u ul ndjeshëm shuma e kapitalit fillestar për të hapur një biznes të ri dhe u eliminua kërkesa për ta regjistruar biznesin në Dhomën e Tregtisë. Gjithashtu, përdorimi i softuerëve për financat dhe instalimi i pajisjeve të skanimit kontribuan në pakësimin e kohës së kalimit të mallrave nëpër pikat doganore", thuhet në raportin e Bankës Botërore lidhur me Shqipërinë. n.e/NOA

KOMENTE