English

"Suksesit për Gruan", Liri Berisha merr çmimin ndërkombëtar në Uashington

Uashington, 10 Shtator NOA - Organizata e grave demokrate të Washingtonit WIN Women's Information Network - Rrjeti i Informacionit të Grave, organizoi dje në mbrëmje në Washington DC një mbrëmje të veçantë me rastin e dorëzimit znj. Liri Berisha të "Çmimit Ndërkombëtar të Suksesit për Gruan".

Në mbrëmjen e organizuar merrnin pjesë të ftuar nga Kongresi dhe Administrata Amerikane, aktivistë dhe mbështetës të të drejtave të grave, dashamirës të vendit tonë, etj.

Në mbrëmje nderonte me praninë e saj znj. Karen Mulhauser, Presidente e Rrjetit të Informacionit të Grave dhe ish-Këshilltare e Lartë e Presidentit Obama gjatë Zgjedhjeve Presidenciale 2008.

Znj. Karen Mulhauser prezantoi jetën dhe aktivitetin e znj. Liri Berisha në mbrojtje të të drejtave të grave në Shqipëri, punën e saj të palodhur në ndihmë të fëmijëve dhe nënave shqiptare dhe së fundi nismën për ngritjen e muzeumit të shqiptares së shquar Nënë Terezës.

Më tej ajo u shpreh se puna dhe aktiviteti i znj. Liri Berisha është emocionues dhe mbresëlënës, ndaj dhe gratë e Washingtonit ndjehen të nderuara me praninë e znj. Berisha.

Në një moment tejet të ngrohtë dhe emocionues ajo i dorëzoi znj. Berisha "Çmimin Ndërkombëtar të Suksesit për Gruan", akorduar nga organizata e grave demokrate të Washingtonit WIN, me motivacionin: Për përkushtimin tuaj për gratë në botë dhe ato në vështirësi. Për punën tuaj të palodhur për ta bërë botën një vend më të mirë për gratë dhe për të gjithë qytetarët e saj kudo ndodhen".

Më pas përshëndeti të pranishmit znj. Liri Berisha, e cila shprehu emocionin e saj për nderimin që organizata WIN i ka bërë me dhënien e këtij titulli të lartë.

Në fjalën e saj znj. Liri Berisha u ndal edhe tek figura e gruas së madhe shqiptare Nënë Terezës, nderi i shqiptarëve sot në botë, duke përmendur rëndësinë e nismës për ngritjen në Shqipëri të një muzeumi në nderim të kësaj figure, ku qytetarët nga e gjithë bota ta kthejnë këtë muzeum në një vend pelegrinazhi për vlerësimin e një figure të tillë të lartë.

Gjithashtu znj. Karen Mulhauser, duke përfituar nga rasti që Kryeministri Sali Berisha shpalli qeverinë e tij, uroi publikisht z. Berisha për këtë ngjarje, duke qenë e bindur në suksesin e rrugës së reformave të ndjekura prej tij.

E themeluar në vitin 1989, Women's Information Network (WIN) mbetet një nga organizatat më të rëndësishme politike, dedikuar mbështetjes dhe fuqizimit të aktivitetit të grave dhe vajzave demokrate amerikane.

Anëtaret e këtij rrjeti janë gra demokrate, të angazhuara politikisht, të cilat punojnë në Kongresin dhe Administratën amerikane, grupime të mendimit politik, kompani konsulence, etj. WIN bashkëpunon ngushtësisht me Kongresin Amerikan duke pasur pjesë të aktivitete të saj 5 senatore dhe 38 kongresmenë.

/sh.k/e.l/NOA/

KOMENTE