English

Xhaçka: Berisha të reflektojë për kërkesat e opozitës sa nuk është vonë

Tiranë, 11 shtator NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka doli sot në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur se pazari i kryeministrit Sali Berisha me Ilir Metën është bërë para 28 qershorit.

"Sali Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme.

Kryeministri i Gërdecit nuk pushoi së gënjyeri dje shqiptarët duke arritur të thitë se ka pasur ofertë nga Edi Rama për të bërë një qeveri pa Ilir Metën, por sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pazari i tij me Ilir Metën për mashtrimin e një pjese të popullit opozitar është bërë përpara 28 qershorit" deklaroi Xhaçka.

Sipas saj, Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, po nuk mund ta ulë dot kurrë në gjunjë Partinë Socialiste dhe nuk mund ta mbajë dot kurrsesi në këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit duke mbajtur në errësirë të vërtetën e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit.

"Sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pas krimit shtetëror të Gërdecit nuk qëndron thjesht Fatmir Mediu, po vetë Sali Berisha, i cili kërkon ta kthejë Shqipërinë në një feud ku zgjedhjet grabiten, ku populli gënjehet e mashtrohet përditë dhe ku qeveris një oborr feudal të korruptuarish, të pandehurish e të kërkuarish nga populli për mashtrim publik.

Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike po dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë" përfundoi deputetja e PS-së.

k.k/NOA

KOMENTE