English

Pavarësia konfederale

Gjithnjë duke e shtjelluar konceptin konfederalist të "pavarësisë" së 17 shkurtit, lindin këto pyetje: si shpjegohet ky referim i vazhdueshëm tek Rezoluta 1244? Si shpjegohet referimi i pambarim se kufiri i Kosovës me Serbinë është veç administrativ e jo shtetëror?

Nga Salih Mehmeti*

(*) Burgu i Dubravës, Pavijoni II, Jug, Qelia nr. 3

Një nga dokumentet tharm, nga ku u mbrujt fati i Kosovës është dokumentin 14 Pikësh i Wolfgang Ischinger-it, dokument i cili sintetizoi një për një qëndrimin kompromisaxhi të Prishtinës tradicionalisht lëshimtare dhe qëndrimit jokompromisaxhi të Beogradit, tradicionalisht kërkues dhe hegjemonist. Dhe çka pastaj? Pikërisht në njërën nga pikat kardinale të këtij dokumenti, që po hidhte arkitekturën e një konfederate Serbi-Kosovë, vihej theksi në domosdoshmërinë e bashkëpunimit (krahas dhjetëra bashkëpunimeve konfederale) edhe sa i përket sigurisë, nënteksti i pashkruar i të cilit nuk qe vështirë të lexohej: lipsej bashkëpunim i strukturave policore të Kosovës me ato të Serbisë, përherë për Kosovën. Protokolli Serbi-EULEX nuk është asgjë tjetër përveçse jetësim i njërit prej neneve të këtij dokumenti. Kur junta politike çirrej me histerizëm me 17 shkurt 2008, nuk ishte as më shumë e as më pak se sa një përpuqje me atë deklarimin e Sllobodan Samarxhiqit, dhënë agjencisë Reuters: "ne jemi të gatshëm t'i ofrojmë Kosovës një pavarësi të brendshme, me kushtin që Serbisë t'i ruhet një membranë e sovranitetit të saj në Kosovë. Në të gjitha çështjet e brendshme që rrokin fushën e arsimit, administratës e kulturës, shqiptarët do të kishin një vetëqeverisje, përveç që Serbisë t'i ruhen kufijtë e jashtëm". Gjithnjë duke e shtjelluar konceptin konfederalist të "pavarësisë" së 17 shkurtit, lindin këto pyetje: si shpjegohet ky referim i vazhdueshëm tek Rezoluta 1244? Si shpjegohet referimi i pambarim se kufiri i Kosovës me Serbinë është veç administrativ e jo shtetëror?

Është thënë e po thuhet se nënshkrimi i protokollit Serbi-EULEX është një anashkalim i rëndë i institucioneve të Kosovës. Çështja nuk është se vetëm ky protokoll anashkalon institucionet të Kosovës, që veç emrin e kanë të pavarura,. Çështja është më shumë se kaq: bëhet fjalë për një sistem të huaj ndërkombëtar të ankoruar në Kosovë, që "pavarësinë" e 17 shkurtit e rrëfen si një akt të pavlerë. "E përsëris se 6 Pikëshi dhe protokolli janë çështje të mbyllura", thotë Hashim Thaçi. Si i mbylli ai këto dokumente? Mosi i shfuqizoi përmes një akti qeveritar? Sigurisht se jo! Atëherë, ngjanë që këto dokumente e shfuqizuan, ose më saktë, e bënë të dukshëm shfuqizimin e Qeverisë së Kosovës, e cila orë e çast ia përsërit përkushtimin padronëve të huaj. 6 Pikëshi nuk vdiq se Thaqi e shpalli të vdekur: Thaçi vdiq pse e shpalli 6 Pikëshin të vdekur. Mbyllja dhe "vdekja" e 6 Pikëshit dhe protokollit është një mbyllje e problematizimit të tyre, me fjalë të tjera fashitje mediale. Referimi i vazhdueshëm i EULEX-it dhe i protokollit në 6 Pikësh, na vërtetoi aq qartë se 6 Pikëshi s'është i vdekur siç e pandehën mendjelehtët, por i gjallë si "Hanibali te porta".

Ghetto-t e BE-së

Ky protokoll aq i leverdishëm për Serbinë, po jep edhe një pasqyrë tjetër të politikës diferencuese të BE-së, e cila në vend të shantazhit dhe kushtëzimit të Serbisë po kushtëzohet dhe shantazhohet nga vetë Serbia. Nuk është koha e shantazheve, do të thotë dikush. Po a nuk është shantazh rasti i Shqipërisë? Ç'është kjo që Shqipëria duhet të vazhdojë plotësime të këtij e atij kushti, kurse Serbia shkelje të atij e këtij kushti. Serbisë më së lehti në Evropë iu dha mundësia e nënshkrimit të MSA-së dhe më pas edhe ajo e liberalizimit të vizave. Autoritariste në Kosovë e Bosnje, misionet ekzekutive të BE-së vazhdojnë sundimin, në vende buzë varrit ekonomikisht e të përçara nga kufijtë e brendshëm. Të kujtojmë këtu se para disa vitesh Oli Rehn i nxirrte kajde boshnjakëve se si po i largohen BE-së si pasojë e policive të ndara në vend, në kohën kur vetë BE-ja lejoi atje që të etnizohet çdo gjë sipas skicave të Dejtonit. Krejt kjo po ia jep Serbisë aureolën e një padroneje të rajonit ose një shtet pari. Krijimi i entiteteve serbe dhe mirëmbajtja e vazhdueshme në Bosnje e Kosovë, Serbisë po i jep krah që të fuqizohet politikisht, në kurriz të këtyre dy të fundit. Prandaj, këto dy vende dhembshurisht të sakrifikuara po fshihen me ngadalë nga harta politike e ekonomike të Evropës, duke u shndërruar në ghetto të mëdha. Çdo mbëltim apo mugullisje ekonomike bëhet e pamundur në të dyja ghetto-t, sepse duke qenë të plasaritura aq keq etnikisht ku gurgullojnë flluskat e një magme gati për të shpërthyer, tremb edhe investitorin më trim që ka bërë nijet të investojë. Nuk është qëllimi dhe as vendi i tërheqjes së ndonjë paraleleje, por sidoqoftë rasti i Abhazisë dhe Osetisë Jugore, shtete këto që u aneksuan nga Rusia vitin e kaluar, vazhdojnë të jenë shënjestër e një Rusie tamam cariste, që për interesa gjeopolitike u ndihmoi të shkëputeshin nga Gjeorgjia. Ndonëse perëndimi hiqet mospërfillës ndaj këtyre shkëputjeve, megjithatë ato janë faktike. Për dallim nga Kosova, Abhazia nuk është e tredhur dhe e cunguar territorialisht. Kryeministri i këtij vendi Alexander Ankvab për gazetën gjemane Der Spiegel tha: "Abhazia brenda një dekade mund të bëhet si Monako. Asnjë investues nuk është i brengosur për statusin tonë. Singapori së fundi kërkoi të blejë çdo gjë, hotelet, aeroportin, plazhet. Paksa shumë shpejt për ne". Sigurisht që po! Po meqenëse nuk kanë dhe nuk janë si junta politike e Kosovës, që edhe dy vjet pas "pavarësimi" nuk e mëkëmbën asnjë grimë ekonomikisht, përpos që e rrënuan edhe më keq nga ç'ishte. Abhazia është e njohur vetëm prej dy vendeve, kurse Kosova prej gjashtëdhjetedy, por është kjo e fundit që s'po jep asnjë shenjë ringjalljeje ekonomike, sepse një vend që shkërmoqet nga të çarat e ndarjeve etnike e që nuk ka sovranitet as politik e as ekonomik, ekonomia do t'i shkatërrohet. Të tjerë do të kundërargumentojnë duke thënë se në Kosovë ka pasur e po ka investime nga privatizuesit e ndërmarrjeve të shitura (lexo: të falura), mirëpo çdo investim i tyre është i prirë drejtpërdrejt në krijimin e makro dhe mikrostrukturave eksploatuese.

Segregacioni

21 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojmë të jemi të paraburgosur në burgun e Dubravës, Pejës dhe Gjilanit. Përmes këtij veprimi të pastër segregativ, EULEX-i po e ravijëzon rolin e tij, që ne si aktivistë e patëm paralajmëruar kaherë: EULEX-i është një hallkë shtypëse në zinxhirin e autoriteteve ndërkombëtare, përbërësit organikë të të cilit janë regjimentet me policë kundërqytetar e ato me gjykatës e prokurorë, më të zi se ata të romaneve të Kafkës. Aktakuza e ngritur djallëzisht nga EULEX-i përmes një nëngjykate vartëse, siç është Gjykata Komunale e Prishtinës, synon stigmatizimin jo vetëm të njëzetenjë aktivistëve, por edhe të mbarë Lëvizjes sonë duke vënë me marifet në lojë terma të llojit: "dëmtim i pronës së luajtshme". Duke na vënë të tilla cilësime, ata përçapen që ta fshehin burgosjen tonë që është kokekëmbë politike. Sikur EULEX-i të shqetësohej për jetët njerëzore në rend të parë e pastaj për dëmtim të pronave të luajtshme e të paluajtshme, atëherë do të duhej të penalizonte strukturat paraushtarake të armatosura serbe që mu para hundëve të EULEX-it qe dy vjet ushtrojnë terror fizik e psikologjik ndaj lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës. Së fundi, plagosja e 10 shqiptarëve dhe pengimi i vazhdueshëm policor i ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve te Kroi i Vitakut, sikur nuk janë gjë për këta kadinjtë e EULEX-it. Një regjim me gjykatës e prokurorë aparteidi e me përmbajtje politikisht kundërkombëtare (Rezoluta 1244) nuk ka se si të sjell drejtësinë, sepse çfarëdo evokimi i drejtësisë do të zbulonte antropologjinë e padrejtësisë së vet qenies së EULEX-it.

Kakarisjet histerike të zëdhënëses së Havier Solanës, Cristina Gallach, që aksionin protestues te Lëvizjes sonë e quajti "vandal" të bërë nga "ekstremistë", janë asgjë tjetër përpos një përpjekjeje e dëshpëruar për të fshehur diskreditimin e misionit që gjoja e na qenka këtu për të "asistuar" shtetin e "pavarur" të Kosovës. Njëzetenjë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, që po mbahemi padrejtësisht në paraburgim, jemi e vërteta demantuese e EULEX-it.

KOMENTE