Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Pse na shohin si një bandë masive që duhet disiplinuar
English

Pse na shohin si një bandë masive që duhet disiplinuar

Edhe EULEX-i sikurse UNMIK-u nuk e pranon Kosovën si të pavarur, nuk ka afat se deri kur do të qëndrojë në Kosovë, dhe nuk i jep llogari asnjë institucioni kosovar anipse ka fuqi ekzekutive mbi ta

Nga Albin Kurti*

Përderisa ne demonstrojmë këtu, 21 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s mbahen në burg dhe merren në pyetje nga prokurorët. Ata i përmbysën 25 xhipa të EULEX-it, ia bënë një dëm të vogël një dëmtuesi të madh. Për këtë ata u rrahën kur u arrestuan, u rrahën kur u dërguan në stacion të policisë dhe u rrahën edhe në stacion. Policinë e Kosovës e urdhëruan kundër VETËVENDOSJE!-s ashtu siç urdhërohet ajo që të mos i prek strukturat e Serbisë në veri, e sot t'ia ruajë EULEX-it ndërtesën nga VETËVENDOSJE!

Pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i ndryshoi vetëm emri, u bë Republikë e Kosovës. Njësoj, edhe UNMIK-u e ndryshoi vetëm emrin - u bë EULEX. Personeli i UNMIK-ut kaloi në EULEX, ndërtesa e UNMIK-ut iu dha EULEX-it, kurse xhipat e bardhë të UNMIK-ut u bënë të kaltër. Edhe EULEX-i sikurse UNMIK-u nuk e pranon Kosovën si të pavarur, nuk ka afat se deri kur do të qëndrojë në Kosovë, dhe nuk i jep llogari asnjë institucioni kosovar anipse ka fuqi ekzekutive mbi ta. As Institucionet e Republikës së Kosovës që i kemi sot nuk po dallojnë prej IPVQ-ve që i kishim dje. Kosova është sovrane vetëm jashtë atje ku i ka ambasadat e saj por jo edhe brenda vendit, në territorin e institucionet e saj. Por ndoshta kjo s'duhet të jetë e çuditshme: më të mira janë tekstet e disa njohjeve të pavarësisë që na kanë ardhur nga shtete të ndryshme sesa teksti i deklaratës së pavarësisë.

Protokollet për dogana dhe gjyqësi do të jenë edhe më të këqija sesa ky për policinë. Pavarësia e Kosovës është bërë si një qyp të cilin po e gërryejnë nga të dy anët. Serbia e 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it e gërryejnë prej jashtë, kurse EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës nga brenda. Ky qypi i pavarësisë jo vetëm që është i zbrazët por ai po bëhet shoshë sepse po ia gërryejnë muret edhe ashtu të holla.

Edhe në Kosovën e pavarur nuk ngucen strukturat paralele të Serbisë, nuk ka kurrfarë drejtësie për viktimat e luftës dhe nuk akuzohet askush nga politikanët e lartë për korrupsion. EULEX-i nuk na sheh neve si njerëz në krizë ku mungojnë drejtësia dhe zhvillimi ekonomik por si njerëz të krizës që duhet menaxhuar për të mos shpërthyer. EULEX-i nuk na sheh si viktima të krizës në të cilën ndodhemi, por si fajtorë potencialë në rast të shpërthimit të saj. Të papunët e ish luftëtarët, mësuesit e arsimtarët, profesorët e mjekët, pensionistët e minatorët, bujqit e zejtarët janë në gjendje të mjerë si asnjëherë më parë. Ama nuk është kjo mënyra se si na sheh neve EULEX-i. Ai nuk e sheh vendin tonë si vend i njerëzve me të drejta e si shoqëri me nevoja. Ai na sheh si një bandë masive që duhet disiplinuar. Prandaj, nuk na kanë sjellur ekspertë të ekonomisë e bujqësisë, të arsimit e shëndetësisë, por na kanë sjellur policë të armatosur e gjykatës që nuk i nënshtrohen ligjit që e zbatojnë mbi neve. Nuk është dallimi themelor midis EULEX-it dhe protokolleve të tij me Serbinë, por midis një shtet sovran dhe një shteti me EULEX mbi kokë.

Përderisa Kosovën nuk e forcojnë as ekonomikisht kurse Serbinë e forcojnë edhe politikisht, është e qartë se ku shpie kjo rrugë. Kjo rrugë po na çon drejt gjakderdhjeve të reja që ne më së paku i duam. E keni parë se si po thonë që pavarësia është e pakthyeshme. Çka ka nevojë të thuhet se pavarësia është e pakthyeshme nëse ajo është përnjëmend e pakthyeshme? Kur një gjë është e pashmangshme askush nuk e merr mundin ta përmend atë. P.sh. askush nuk thotë se dielli do të lind nesër në mëngjes. Kur thonë se pavarësia është e pakthyeshme, ata po thonë se është e mundur të kthehet por ja që nuk do ta lejojmë këtë gjë. Me këto protokolle e plane si 6 Pikëshi, Kosova po shkon prapa. Të vetmit që po përfitojnë janë krerët e institucioneve e partive.

Çka bënë këta lidhur me këtë protokoll? Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi bënin naze para se ta pranonin, Jakup Krasniqi u bë zëdhënës i EULEX-it kurse Ramush Haradinaj nuk guxoi ta thoshte asnjë fjalë. Duket që Jakupi e Ramushi po e ndjekin shkollën e Sejdiut e Thaçit: urtë e butë është rruga përpjetë. Nuk duhet të harrojmë që të gjithë këta janë pasuruar në Kosovën e varfër. Këta nuk kanë interes që ndryshojë gjendja. E patë mbrëmë se si Thaçi na sugjeroi që të bëhemi parti e të kërkojmë votat e qytetarëve. Kjo tregon më së miri se ku e ka mendjen ai. Te votat e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, jo te Kosova që po protokollohet me Serbinë. Prandaj ai shkon në Anamoravë që të prejë shirita edhe të kanalizimeve ndërkohë që në anën tjetër e copëton Anamoravën përmes decentralizimit. Ai mendon për vota dhe vetëm për to, sepse, votat e qytetarëve bëhen pare për të.

Njëherë Sejdiu e Thaçi e shpallën të mbyllur temën e protokollit e pasi që u nënshkrua ai, thanë se këta s'janë palë në protokoll. Nuk e kishin hallin se çka po ndodh me Kosovën, por vetëm që këta të mos fajësohen. Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi i duan privilegjet e pushtetit por jo edhe përgjegjësinë në fund. U tha që Hashim Thaçi na i paska kërcënuar ndërkombëtarët se do të jep dorëheqje. Por, ai s'jep dorëheqje dhe ndërkombëtarët e dinë këtë më mirë se ne. Nuk mund të japë dorëheqje ai që ka hequr dorë prej çfarëdo parimi a ideali. Ne jemi në këtë gjendje pikërisht për shkak se kemi politikanë që për asgjë nuk do të jepnin dorëheqje, se kemi politikanë që duan poste sa më të larta, privilegje sa më të mëdha, për tërë pjesën e jetës që u ka mbetur dhe me çdo kusht.

Ne dëshirojmë që Kosova ta ketë të drejtën për t'u anëtarësuar në BE e jo regjime policore e neokolonialiste të BE-së në Kosovë. Ne duam zhvillim shoqëror e ekonomik në vendin tonë dhe jo përkëdhelje të Serbisë në llogari të vendit tonë.

Unë nuk kam takuar në asnjë vend tjetër popull bujar, mikëpritës, dashamirës, të durueshëm e të qëndrueshëm si populli ynë. Unë nuk kam takuar në asnjë vend tjetër rini dinamike, masive e të shëndoshë sikurse rinia jonë. Por ne të gjithë jemi të mbyllur e të ngujuar. Ne të gjithë jemi të shtypur nga politika zyrtare vendore e ndërkombëtare që na kanë bllokuar në varfëri, papunësi e n'mjerim. Nga jashtë do të vijnë vetëm kërkesat për më shumë stabilitet; zhvillimi e përparimi vijën e bëhen vetëm nga brenda. Energjitë e këtij populli, potenciali i kësaj rinie, duhet të çlirohen dhe jam i bindur që gjërat do ta marrin rrugën e tyre të mbarë. Prandaj, le ta përfundojmë këtë demonstratë, që s'është e para e aq më pak e fundit, duke përkujtuar se populli dhe rinia jonë, më parë se për t'i ndihmuar kanë nevojë që të mos pengohen.

(*) Fjalimi në demonstratën kundër EULEX-it dhe protokolleve të tij me Serbinë, kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë, e për sovranitetin e Kosovës

KOMENTE