English

Raporti i BSH: Rikthehet rritja e kredidhënies në bankat shqiptare

Tiranë, 16 Shtator NOA - Në mbledhjen e tij të datës 16 shtator 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim gjendjen e sistemit bankar në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009 ku konstatoi se kredidhënia ka rinisur duke shënuar rritje të mëtejshme.

Raporti evidenton se totali i aktiveve të sistemit bankar përllogaritet në fund të tremujorit të dytë të vitit në nivelin e rreth 832 miliardë lekëve.

Megjithëse me ritme më modeste, edhe këtë tremujor kredidhënia duket të ketë patur rritje të mëtejshme. Konkretisht, kjo rritje përllogaritet me rreth 4.4 miliardë lekë (1.05 për qind), kundrejt rritjes prej 20.84 miliardë lekë (5.25 për qind) gjatë periudhës paraardhëse, megjithëse kjo e fundit ka qenë në fakt kryesisht rrjedhojë e ndryshimeve në kursin e këmbimit.

Mbi bazë vjetore (qershor'08-qershor'09) rritja e portofolit të kredisë përllogaritet në nivelin e 21.7 për qind apo 75.2 miliardë lekëve, duke arritur kështu në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2009 në nivelin e 422 miliardë lekëve.

Kredia në valutë ka rënë me rreth 2.75 miliardë lekë ose me 0.9 për qind si rrjedhojë e rënies së kredisë në monedhën e përbashkët evropiane (euro) në masën rreth 19 milionë euro, apo rreth 2.5 miliardë lekë ndërkohë që kredia në Usd u rrit rreth 1.4 milionë usd, ose rreth 130 milionë lekë. Kredia në monedhën vendase (Lekë) u rrit me rreth 7.1 miliardë lekë ose me 6.2 për qind.

Bankat e mëdha vlerësohet të kryejnë mbulim më të mirë ndaj rrezikut indirekt të kredisë nëpërmjet luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit kundrejt bankave të mesme dhe të vogla, ndërsa të gjitha grupbankat duket të kenë ulur ekspozimin e tyre ndaj këtij rreziku.

"Ky zhvillim vlerësojmë se ka ardhur edhe si pasojë e orientimit më të mirë të kredidhënies në monedhën vendase edhe në reflektim të masave rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë", - deklaroi sot Këshilli Mbikëqyrës.

Edhe këtë tremujor, në vijim të trendit të atij paraardhës, kredia për bizneset është rritur më shpejt, konkretisht me 1.3 për qind (3.3 miliardë lekë), kundrejt rritjes me vetëm 0.5 për qind (750.6 milionë lekë) të kredisë për individët.

Vihet re ndërkohë një rritje e dallueshme e kredisë ovërdraft për bizneset, që do të thotë se kërkesa për likuiditete vijon të ketë qëndrueshmëri.

Si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme (+16.8 për qind apo 5.3 miliardë lekë), në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste (+1.05 për qind), treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73 për qind, nga 7.55 për qind në fund të muajit mars'09.

Bizneset shfaqen më problematike me kredi me probleme rreth 10.1 për qind të totali të portofolit të kredive. Ndërkohë, ky tregues për individët përllogaritet rreth 7.3 për qind.

Cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84 për qind nga 8.5 për qind për kredinë në lekë.

Analiza e cilësisë së kredisë sipas degëve të ekonomisë dallon sektorët e "industrisë përpunuese" dhe të "tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë", veçanërisht për shkak cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi.

Banka e Shqipërisë, evidenton se rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit 2009, raportohet rreth 385 milionë lekë apo 40 për qind më shumë se tremujori i parë i vitit.

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009 norma e mjaftueshmërisë së kapitalit përllogaritet 16.85 për qind, shumë më e lartë se niveli minimal rregullator prej 12 për qind.

e.l/NOA

Â

KOMENTE