English

Berisha si Obama, reformë shëndetësore: Asnjë shqiptar pa kujdes mjekësor

Tiranë, 18 Shtator NOA Update - Qytetarët shqiptarë do të mund të ndjehen qytetarë evropianë, vetëm e vetëm kur kujdesi për shëndetin e tyre, parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve të jetë i standardeve evropiane.

Kështu ka pohuar shefi i qeverisë pasi mori dje mandatin e dytë në krye të ekzekutivit, duke "imituar" Obamën që edhe ai momentalisht, po lufton për të vënë në jetë një paketë reformash shëndetësore.

Ashtu si Obama, edhe Berisha ka deklaruar se qeveria e tij është një sistem shëndetësor ku të gjithë qytetarët të marrin shërbime mjekësore.

"Sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët dhe qeveria angazhohet të marrë përsipër sigurimet shëndetësore për çdo qytetar shqiptar, që nuk është në gjendje t'i paguajë ato", - deklaroi kryeministri, duke premtuar se "në Shqipëri, të pasiguruar nuk do të ketë". Madje Berisha tha se "blerja e shërbimeve për qytetarët do të shtrihet edhe në sektorin privat".

Kryeministri paralajmëroi se reformat në sistemin e shëndetësisë do të jenë edhe reformat e para dhe më të rëndësishme të qeverisë së tij.

Për këtë qëllim, në katër vitet që vijnë, zhvillimi i shëndetit, edukimi shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve do të jenë drejtime themelore të sistemit tonë shëndetësor, - tha Berisha.

Ai siguroi se do të rritet me 60% buxheti për shëndetësinë, kurse do të reformohet tërësisht sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor.

Berisha premtoi se do të vendosen praktikat më të sigurta të luftës kundër korrupsionit në këtë sistem dhe këtu shtoi se "do të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve, duke parakaluar gjashtë vende anëtare të BE".

Kryeministri lajmëroi edhe lehtësira për shërbimin jopublik kur tha se do të zgjerohet partneriteti publik-privat në fushën e shëndetësisë dhe se do të hiqet TVSH për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat.

Në programin qeverisës është menduar edhe më shumë për fëmijët dhe femrat. Berisha tha se kujdesi për fëmijët, vaksinimin e tyre do të ridimensionohet. Po kështu kujdesi për gratë, mamografia dhe pap-testi do të jenë falas, sikundër ekografia për gratë shtatzëna.

a.k/NOA - Komentoni më poshtë, planin për shëndetësinë, të "Berisha 2":

KOMENTE