English

Historia 12, Skënderbeu, Partizanët dhe Berisha

"Historia 12 duket se është kthyer në një literaturë partiake. E këtu ka një rrezik të madh, se edukimi shkollor, mund të degjenerojë me përgjigje militanteske. Kështu, pyetjes, "përse qeveritë socialiste të viteve 1997-2005 ishin mjaft të korruptuara?, i bie që duhet t'u përgjigjen vetëm fëmijët e demokratëve. Kurse ata të socialistëve të heshtin. Ndaj gjatë lëndës së Historisë mos u çudisni kur të shihni ndonjë grusht për motive politike në klasë"

Nga Klodiana Kotorri

Gjithçka që na kishin servirur librat e Historisë në shkolla për epokat e ndryshme ku as prindërit tanë nuk kishin ardhur në jetë, kishin qenë lehtësisht të besueshme, pavarësisht nëse historia ishte shtrembëruar apo jo, për favore të caktuara.

Sigurisht që pajtoheshim gati-gati verbërisht me faktin që turqit, fashistët, gjermanët etj., që na pushtonin dhe që Skënderbeu me taborë apo partizanët të cilët luftonin me ta, gjithmonë fitonin, dhe këtë pse jo, duhet ta besonim ndoshta dhe për ndjerë edhe një farë krenarie për të parët tanë.

Kështu edhe kur historitë me luftë pasuan ngjarjet historike të cilat tregonin fundin e diktaturës shqiptare deri diku ishin një fakt pozitiv për të frymëzuar nxënësit.

Por duket se historitë me luftë në librat shkollorë që më tepër i ngjajnë Leximit ku mësohen përralla të ndryshme, nuk kanë mbaruar dhe vijojnë edhe në dekadën e fundit.

Veçse lufta nuk është më një çështje patriotike madje as civile deri diku, por partiake.

Gjimnazistët të cilët mësojnë këtë Histori, janë në prag të 18-vjetorit pikërisht atëherë kur duhet të votojnë dhe në vigjilje të daljes në jetë, po detyrohen të mësojnë në shkollë se njëra parti që "sundoi" disa vjet, e shkatërroi dhe e mbyti vendin me korrupsion.

Kulmi arrin në fund të kapitujve mësimorë, kur autori i teksteve parashtron disa pyetje të detyrueshme për nxënësit, përgjigjet e të cilave, gjenden në tekst.

"Pse qeveritë socialiste të viteve 1997-2005 ishin mjaft të korruptuara?", është një nga pyetjet e shumta kundër Partisë Socialiste në fund të mësimeve në lëndën e Historisë(!!).

Kështu, nxënësit mësojnë dhe duhet të përgjigjen detyrimisht, mbi vetëm atë që thonë autorët, por a duhet të besohen autorët?

Kur, kush, dhe si e vërtetuan autorët e teksteve se nga vitit 1997 dhe deri më 2005 vendi u mbyt nga korrupsioni, kur pa fakte ose jo, për paaftësi ose jo, për neglizhencë të qëllimshme ose jo, drejtësia nuk dha asnjë vendim dënimi për afera korrupsioni të lartë qeveritar. E ca më tepër, vrulli i paparë i akuzave opozitare të Berishës në atë kohë, ndaj Nanos dhe Metës, reshti kryekëput me të ardhur në pushtet, fillimisht për të parin e tani vonë dhe për të dytin.

Le të shtrojmë një tjetër pyetje: Mos vallë autorët kanë bërë sondazhe para se të krijojnë tekstet shkollore ku varet fati i nxënësve? Apo mos e kanë ngatërruar me ndonjë libër "Best Seller" të cilin e shkruan si të duash dhe akuzon cilin të duash, paçka se nuk flitet për një libër privat, por për HISTORINË E SHQIPËRISË, E DETYRUESHME PËR TË MËSUAR NGA BREZI I RI.

Atëherë pa e lodhur shumë logjikën, duket qartë se autorët janë përdorur, me apo pa dëshirën e tyre, apo thjesht servilizëm për forcë zakoni, këtë nuk e kemi shumë të qartë.

Por nga kush janë përdorur, nëse po?

Në tekstet e Historisë duket qartë se heroi që shpëtoi Shqipërinë njësoj si Skënderbeu para 500 vjetësh dhe partizanët 60 vjet më parë, është Sali Berisha.

Madje autori i librit të Historisë 12, thotë se Sali Berisha solli një epokë të re kundër korrupsionit.

Këtu, pa paragjykuar ose analizuar nëse kryeministri aktual e ka arritur këtë epokë, por thjesht për hir të të qenit të paanshëm, lipset të pyesim: Si arriti deri në këtë përfundim autori?

E pra, Historia 12 duket se është kthyer në një literaturë partiake.

E këtu ka një rrezik të madh, se edukimi shkollor, mund të degjenerojë me përgjigje militanteske. Kështu, pyetjes, "përse qeveritë socialiste të viteve 1997-2005 ishin mjaft të korruptuara?, i bie që duhet t'u përgjigjen vetëm fëmijët e demokratëve. Kurse ata të socialistëve të heshtin.

Ndaj gjatë lëndës së Historisë mos u çudisni kur të shihni ndonjë grusht për motive politike në klasë.

Shënim i NOA: Shkrimet e rubrikës "Opinion" nuk paraqesin domosdoshmërisht, qëndrimin editorial të agjencisë NOA

KOMENTE