English

Mesatarja, LSI: Vendimi i Universiteti të Vlorës jo transparent, të regjistrohen studentët

Tiranë, 23 shtator NOA - LSI i ka bërë thirrje sot Rektoratit dhe Senatit të Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë të regjistrojë të gjithë konkurrentët të cilët deri më tani kanë mbetur jashtë liste për shkak të mesatares nën notën 6.

"Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua ti bëj thirrje sot Rektorit dhe Senatit të Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës që në përputhje me rregullat e pranimit dhe regjistrimit të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të fillojë regjistrimin e rreth 400 kandidatëve për studentë të cilët ende janë duke qëndruar jashtë dyerve të këtij universiteti" deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besjan Pesha.

"Është e vërtetë se ky Universitet ka marrë një vendim në senatin e saj që përveç rregullave të përcaktuara nga MASH kriter tjetër pranues të jetë edhe mesatarja e notave të marra gjatë shkollës së mesme, por ky vendim nuk është bërë asnjëherë transparent për maturantët dhe asnjë prej kandidatëve për studentë nuk ka qenë në dijeni për këtë kriter gjatë momentit të aplikimit. Ne e respektojmë totalisht autonominë e universiteteve shqiptare por është e papranueshme që vendimet e Universitetit të merren me korrespodencë, në fshehtësi dhe pa bërë asnjë lloj transparence për publikun. Nëse kandidatët për studentë do të ishin në dijeni për kriterin e vendosur nga Rektori dhe Senati atëherë ata nuk do të aplikonin për tu regjistruar në Universitetin e Vlorës' shtoi më tej Pasha. sipas LSI-së vendime të tilla shumë të rëndësishme duhet të koordinohen me MASH në të ardhmen në mënyrë të tillë që të evitohen gabime të rënda që cenojnë pa të drejtë të ardhmen e qindra të rinjve dhe familjeve të tyre.

k.k/NOA

KOMENTE