English

Dhuna ne familje, ‘rebelohen' gratë, në 6 muaj 546 denoncime

Nga Blerina Ahmetaj

Tiranë, 25 shtator NOA-Gjashtëmujori i parë i vitit 2009 ka shënuar një bum denoncimesh për dhunën në familje.

Ndryshe nga vitet e shkuara, gratë duken më të ndërgjegjësuara çka ka bërë që numri i denoncimeve të jetë 546, më i lartë se vitin e shkuar.

Duke folur për agjencinë NOA, drejtoresha për Barazi Gjinore e Shanse të Barabarta në ministrinë e Punës, Ana Xheka tha se raportimet për dhunë në familje janë rritur këtë vit si pasojë e punës ndërgjegjësuese që kanë bërë qoftë shoqëria civile që operon në këtë fushë, qoftë policia e shtetit e përfshirë në projekte të vazhdueshme.

"Nga raportimet e policisë së shtetit nuk mund të themi se ka shtime të rasteve të dhunës në familje, por ka më shumë raste të denoncuara, që tregon se femra shqiptare sot është më e ndjeshme ndaj të drejtave të saj", tha Xheka.

Sipas saj, brenda shifrës zyrtare të raportuar nga Policia e Shtetit janë dhe 5 raste denoncimi të dhunës ndaj fëmijëve, një prej tyre vrasje në familje e katër të tjerë braktisje të prindërve të cilët kanë shkaktuar dhunë.

Drejtoresha për Barazi Gjinore e Shanse të Barabarta ka shpjeguar se në bazë të ligjit për masat ndaj dhunës në familje, të gjithë rasteve iu është ofruar shërbimi i nevojshëm.

"Në bazë të ligjit për masat ndaj dhunës në familje, paraprakisht ndihma e parë është ajo shëndetësore, ku viktimës së dhunës në familje, qoftë burrë, grua apo fëmijë, i ofrohet menjëherë ndihma shëndetësore e shpejtë, paralelisht punohet me gjykatën, nëse viktima kërkon të ngrejë padi, e paralelisht me këtë janë shërbimet sociale të cilat operojnë për çdo rast për t'i ofruar shërbimin e duhur, qoftë në strehim, ndihmë ekonomike apo punësim", u shpreh Xheka.

Në fillim të vitit të ardhshëm, ministria e Punës do të përfundojë projektin për ngritjen e një strehe për viktimat e dhunës në familje.

Në të do të përfshihen të gjitha subjektet, fëmijë, gra apo burra të cilëve do tu ofrohet asistencë nga specialistë të fushës.

KOMENTE