Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ranjit Nayak, përfaqësues i BB: Sfida e Kosovës, furnizimi optimal me energji
English

Ranjit Nayak, përfaqësues i BB: Sfida e Kosovës, furnizimi optimal me energji

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak ka thënë nw njw intervistw për BBC se një nga sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit është furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike. Ai tha se kriza financiare globale ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në tërheqjen e dy investitorëve të huaj nga projekti për ndërtimin e termocentralit të ri. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar do t'i mundësojë asaj që të ketë qasje në burimet financiare për zhvillimin e vendit.

Z.Nayak, Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Çfarë do të përfitojë vendi nga ky anëtarësim?

- Kosova do t'i takojë një klubi të përzgjedhur të shteteve, që janë gjithsej 186.

Ajo do të ketë qasje në pesë agjencitë tona: Agjencionin Ndërkombëtar për Zhvillim që ofron grante, Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim që jep hua me norma të volitshme, Korporatën Financiare Ndërkombëtare që punon në sektorin privat, Agjencionin për Garantimin e Investimeve Multilaterale që ofron garanci për investitorët që punojnë në mjedise të vështira politike si dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Konflikte në Investime që është një organ i arbitrazhit financiar.

Pra Kosova do të ketë qasje në të gjitha këto institucione, do të ketë qasje në shumë njohuri dhe në shumë burime financiare për zhvillimin e saj.

Pasi është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova është zotuar se do t'i paguajë të gjitha borxhet e jashtme që i ka trashëguar nga ish Jugosllavia. A mendoni se ajo do të jetë në gjendje që t'i paguajë këto borxhe duke pasur parasysh se është vendi më i varfër në rajon?

- Sa i përket borxhit ndaj Bankës Botërore, Banka Botërore ka themeluar një fond mirëbesimi shumë-donatorësh ku donarët mund të vendosin burimet e tyre për të ndihmuar Kosovën. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Evropian janë kontribuesit e parë në këtë fond, por në të ardhmen mund të shohim edhe donatorë tjerë, kështu që tani për tani kjo nuk ndikon në burimet e vogla buxhetore që ka Kosova.

Z.Nayak, si do t'i vlerësoni arritjet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, sidomos në fushën ekonomike?

- Është ende herët të flitet për këtë, ne ende nuk kemi bërë as dy vjet pas pavarësisë, por deri tani sinjalet janë të mira. Ne po shohim një qëndrueshmëri në rritje dhe shpresojmë që ky trend do të vazhdojë. Po ashtu, qeveria ka shumë partnerë që e ndihmojnë atë për zhvillimin e Kosovës.

Cilat janë sfidat për Kosovën?

- Kosova ka shumë sfida. Ka sfidën për të siguruar që burimet e saj energjetike të transformohen në energji të qëndrueshme, në mënyrë që të kemi zhvillim të sektorit privat dhe rritje më të mirë ekonomike.

Së dyti, ne do të donim ta shihnim Kosovën duke zhvilluar institucionet e saj, që ato të jenë të fuqishme dhe të qëndrueshme dhe kjo do të ndihmonte shumë për një rritje të fortë ekonomike.

Kosova gjithashtu duhet ta shohë në të ardhmen popullsinë e saj të re, shumica e së cilës është e papunë, duke kërkuar punë në tregun e punës në sektorin privat.

Kjo është një sfidë dhe një tjetër është ajo e varfërisë. Varfëria është e pranishme kryesisht në zonat rurale të Kosovës. Kjo nuk është varfëri e thellë, por është një varfëri e cekët dhe programet për zhvillim në shëndetësi dhe arsim mund të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problemeve në zonat rurale të vendit.

Z.Nayak, ndërkohë në Kosovë dy kompani janë tërhequr nga projekti për ndërtimin e termocentralit të ri. A ju shqetëson kjo?

- Ne po jetojmë në një mjedis që nuk është ideal, ne kemi një krizë financiare gjithandej botës, është shumë vështirë për kompanitë që të kenë qasje në burimet kredituese dhe financiare. Kompanitë po bëhen shumë përzgjedhëse se ku duan të investojnë për shkak të ndrydhjeve të tyre të brendshme, kështu që ne po veprojmë në një mjedis shumë të vështirë, por ende kemi dy investitorë dhe ne shpresojmë që ata do të jenë të interesuar dhe do të vazhdojnë me procesin e ndërtimit të termocentralit të ri dhe hapjen e minierës së re.

Pra ju mendoni se vetëm kriza financiare ka ndikuar në tërheqjen e dy investitorëve nga ky projekt, apo janë edhe procedurat e gjata të qeverisë për ndërtimin e termocentralit të ri?

- Mendoj se pjesërisht ka pasur ndikim kriza financiare dhe pjesërisht fakti që Kosova ka kaluar në shumë gjëra gjatë 3-4 vjetëve të fundit, kemi pavarësinë, kushtetutën e re, sistemin e ri ligjor dhe po shkojmë drejt një stabiliteti më të madh financiar, ekonomik, ligjor dhe politik.

Të gjitha këto janë sinjale të mira dhe gjithashtu ka përceptime të investitorëve të huaj jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit. Pra, ka shumë gjëra që kanë ndikuar, por mendoj se kriza financiare ka pasur rolin më të madh në këtë sektor.

Në një raport të lëshuar së fundmi nga Banka Botërore, Kosova është rradhitur si vendi i 113-të për nga reformat e bëra për zhvillimin e biznesit. Sipas kësaj del se vendi nuk është atraktiv për të tërhequr biznese. Çfarë duhet të bëjë qeveria për të tërhequr më shumë investitorë?

- Mendoj se qeveria duhet të vazhdojë të bëjë atë që e ka bërë deri tani. Mendoj se është vetëm çështje kohe kur do të vendosen të gjitha institucionet dhe sistemet dhe do të përmirësohet mjedisi, mendoj se ka mundësi të bëhen përmirësime.

Unë personalisht besoj se radhitja e Kosovës do të jetë më e mirë gjatë viteve të ardhshme dhe më shumë investime do të vijnë në vend.

Z.Nayak, cilat janë projektet dhe përparësitë e Bankës Botërore për të ardhmen e afërt në Kosovë?

- Aktualisht ne po ndihmojmë Kosovën në sektorin energjetik, ne gjithashtu jemi të angazhuar shumë në arsim, do të përgatisim projekte për kadastër dhe bujqësi.

Ne vazhdojmë të ndihmojmë qeverinë për modernizimin e sektorit të saj publik dhe në këtë kuadër jemi në dialog të vazhdueshëm për transportin, shëndetësinë si dhe do të ketë mundësi që të shikojmë edhe sektorin privat, në të cilin Korporata Financiare Ndërkombëtare po interesohet të financojë me partnerët e saj privat.

Pra, ka një shtrirje në rritje në të ardhmen. Tani po përgatisin strategjinë për një apo dy vitet e ardhshme. Ky do të jetë një dokument publik, kështu që ju do të keni mjaft informacione se çfarë planifikojmë të bëjmë në të ardhmen.

BBC

KOMENTE