English

Autoriteti i Konkurrencës: Hetim tregut bankar për abuzim me klientët

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 26 Shtator NOA - Sa i mbrojtur është konsumatori shqiptarë nga bankat e nivelit të dytë dhe a janë çmimet e shërbimeve që ofrohen konkurruese?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta japë

së shpejti, Autoriteti Shtetëror i Konkurrencës, i cili konfirmoi sot për agjencinë e lajmeve NOA, se ka nisur një hetim të detajuar në tregun bankar.

Pas ankesave të komunitetit të biznesit se kohët e fundit janë rritur komisionet për disa shërbime, në mënyrë jo transparente, ky autoritet do të gjykojë sjelljen e bankave të nivelit të dytë në vend, përballë konsumatorit.

"Ka patur një shqetësim publik se disa prej kostove të transaksioneve apo shërbimeve bankare janë rritur. Ndaj pyetja që shtron institucioni ynë është: A janë këto çmime konkurruese, sa janë kostot dhe përfitimet ?"- thotë kryetarja e këtij autoriteti Lindita Milo.

Sipas zonjës Milo, Autoriteti kërkon të rrisë avokatinë për konsumatorin ndaj dhe ka ndërmarrë një hetim të përgjithshëm të tregut.

Por znj. Milo është e mendimit se bankat në Shqipëri duhet të kujdesen më shumë për klientët e tyre, pasi ky treg e ka kaluar fazën fillestare të ngritjes së biznesit.

"Unë mendoj se ky treg është në një fazë maturimi dhe duhet të kujdeset më shumë për klientin, jo vetëm për kreditë dhe depozitat por edhe për çdo shërbim tjetër që ofrohet".

Komuniteti i biznesit dhe individët po ankohen në mënyrë të vazhdueshme për kostot e larta më të cilat përballen ndaj shërbimeve që ofrojnë bankat.

Në shumë raste këto kosto nuk bëhen transparente, çka detyroi Bankën Qendrore të nxirrte një rregullore për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë duhet të informojnë publikun.

/r.l/e.r/NOA/

KOMENTE