English

Kërkohej nga "Karaburun 2006", SHKB heton lirimin nga policia të një të kërkuari

 Tiranë, 27 Shtator NOA - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vënë nën hetim katër persona të cilët akuzohen se u bënë shkaktarë për arratisjen e dytë të Alfred Beqirit, pas lirimit të tij nga komisariati i Vlorës.

Drejtoria Rajonale Vlorë, Komisariati nr. 5, si dhe në Drejtorinë e përgjithshme e Krimeve të Rënda janë vënë në shënjestër, si përgjegjëse për mossigurimin në kohë të informacionit për 30-vjeçarin, i cili ishte depërtuar nga Italia për mos pajisje të tij me dokumente të rregullta.

Mësohet se katër persona mes të cilëve edhe një femër, punonjës në Drejtorinë e Kufirit Vlorë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit, po hetohen për të gjitha veprimet e kryera nga ta, për lirimin e Beqirit, katër ditë më parë.

SHKB-ja është duke hetuar se kush urdhëroi lirimin, si dhe kush nisi verifikimet duke sjellë edhe konstatime të rreme që Beqiri nuk ishte person i shpallur në kërkim, - i thanë agjencisë së lajmeve NOA, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shtetit.

Nga hetimet e para, ka dalë se Beqiri është paraqitur në kufi më datën 24 shtator 2009, kur i është nënshtruar verifikimeve policore.

Pas dyshimeve se ky person ishte në kërkim nga komisariati i policisë nr.5 Tiranë, policia e Vlorës mori një përgjigje negative dhe menjëherë Beqiri u la i lirë.

Por pas lirimit të tij mësohet se janë kryer verifikime në sistemin TIMS, ku ka rezultuar se Alfred Beqiri, nga Domja e Tiranës akuzohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori i grupit "Karaburun 2006", grup i cili u arrestua më 4 tetor të tre viteve më parë.

Gjatë atij operacioni nga Sektori i Luftës Kundër Drogës dhe ai i Operacioneve Speciale pranë Ministrisë së Brendshme, dhe Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, ranë në pranga fillimisht dhjetë persona, por kreu i saj u shpall në kërkim.

Të pandehurit akuzoheshin për trafikun e rreth një ton heroinë, arrestimi i tyre është bërë nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim, po ashtu është sekuestruar një sasi prej 93 kg e 224 gram lëndë narkotike marijuanë.

Fillimisht është mundësuar kapja dhe arrestimi në flagrancë i Blerim Shehaj 25 vjeç, lindur në Vranisht dhe banues në Vlorë, të cilit në automjetin e tij tip "Opel" me targë TR 3002 G, i janë gjetur e sekuestruar 91 pako me peshë 93,224 kg mariuanë.Â

Operacioni më pas vazhdoi me ekzekutimet e urdhrave të ndalimit lëshuar nga Prokuroria për Krime të Rënda për:

Edmond Beqiri 30 vjeç, lindur dhe banues në Domje,Tiranë

Bernard Ali, 33 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, lagja "O.Haxhi".

Frederik Ali, 45 vjeç banues në Vlorë, lagja "Isa Buletini".

Mustafa Zahaj, 44 vjeç lindur dhe banues në Vlorë.

Arben Maskaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Genci Arapi, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Spartak Myslimi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Admir Hoxha, 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Kujtim Drazhi, 41 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në fshatin Domie, Komuna Kashar, Tiranë.

Në kuadër të këtij proçedimi penal, për një periudhë kohe prej 3 muaj, si rezultat i ndjekjes në dinamikë të veprimtarisë kriminale të personave të implikuar, u bë e mundur që në 5 raste të mëparshme të mundësohej sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë dhe heroinë dhe të arrestohen bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal:

Alket Mucaj 27 vjeç, lindur dhe banues në Vllahinë, Vlorë

Roland Kapxhiu 22 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në lagjen"Bashkia" Vorë

Michele Guarino 23 vjeç, lindur dhe banues në Corigliano Calabro, Itali

Selam Binaj, 45 vjeç lindur dhe banues në Vlorë

Hysen Mehmeti, 50 vjeç lindur dhe banues në Vlorë, fshati Gorisht

/b.a/e.r/NOA/

KOMENTE