Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryetar i ri i PS, Edi Rama: S'ka bashkëpunim me qeverinë nese nuk zbardhet krimi elektoral
English

Kryetar i ri i PS, Edi Rama: S'ka bashkëpunim me qeverinë nese nuk zbardhet krimi elektoral

 Tiranë, 28 shtator NOA-Pas rikonfirmimit në krye të selisë rozë, kryetari i saj Edi Rama, ka përsëritur edhe njëherë prerë e me forcë qëndrimin e PS se nuk do të bashkëpunojë me qeverinë nëse nuk plotësohen kushtet që ajo ka kërkuar të plotësohen.

 Në një konference për shtyp, Rama ka deklaruar se nuk ka marrëdhënie normale me kuvendin derisa të dëgjohen kërkesat e socialistëve të cilëve sipas tij iu shkel vota më 28 qershor.

"Nuk ka marrëdhënie normale me këtë parlament të dalë nga zgjedhje të grabitura, në qoftë se nuk na jepet e drejta për hetim parlamentar të pavarur të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi me këtë qeveri të dalë nga manipulimi, korrupsioni elektoral e mashtrimi publik i 83 mijë qytetarëve që votuan largimin e Sali Berishës, në qoftë se nuk na njihet e drejta për të bashkëjetuar në këtë vend si të barabartë përpara Kushtetutës e ligjit dhe për t'i dhënë fund në Shqipëri shkrirjes së shtetit me pushtetin për qëllime elektorale, kërcënimeve të gjithanshme të qytetarëve opozitarë e të sipërmarrjeve private për votën, largimeve poshtëruese nga puna për hakmarrje politike, diskriminimit të opozitës në median publike apo cënimit të rëndë të konkurrencës në media.

Nuk ka Parti Socialiste të ulur në Kuvend, po vetëm opozitë të bashkuar, përtej të majtës e të djathtës, në këmbë në të gjithë Shqipërinë, në qoftë se të drejtën taksative që na e jep forca e ligjit për hapjen e kutive të votimit vazhdon të na e mohojë arbitrarisht pushteti i politikës së vjetër të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos", tha Rama.

Sipas tij, Partia Socialiste është partia e qytetarit të kohës e jo partia e kryetarit të radhës.

"Ne do të këmbëngulim që beteja jonë për votën e lirë, për hapjen e kutive të së vërtetës së 28 qershorit, për ndarjen njëherë e mirë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të cënuara e të kontestuara, të mos ndahet asnjë çast nga beteja e përditshme për të mbrojtur liri e të drejta të kërcënuara e të mohuara vijimësisht në Republikën e Politikës së Vjetër të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura.

Ne do të mbrojmë vendosmërisht vlerat dhe dinjitetin e Luftës Nacionalçlirimtare, ashtu sikundër pa asnjë lëkundje do të mbrojmë vlerën dhe dinjitetin e historisë tragjike të atyre që barbarisht u goditën në veprën a në jetën e tyre nga regjimi komunist.

Ne do të mbrojmë pa asnjë mëdyshje të drejtën e të ardhurve në periferitë e Tiranës e të qyteteve të mëdha për të jetuar në strehën e ngritur pa leje me mund e sakrifica të mëdha, por do të ngremë fuqishëm zërin për të denoncuar padrejtësitë e rënda që pushteti i Sali Berishës ka bërë e vazhdon të bëjë me tokat në kurriz të pronarëve të vjetër.

Ne do të mbrojmë të drejtën e çdo sipërmarrësi vendas ose të huaj për të investuar në Shqipëri, por nuk do të lemë rast pa treguar me gisht mëkatet e patolerueshme me pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve e me mjedisin e atdheut tonë që s'mund të shqyhet e ndyhet për përfitime të shpejta me pasoja të pallogaritshme përmes investimesh që nuk përmbushin asnjë standard evropian.

Ne do të mbrojmë lirinë e të drejtën e konkurrencës në një vend ku këto liri e të drejta po treten në llumin e korrupsionit e të klientelizmit të shfrenuar të një pushteti që sot më shumë se kurrë duhet të përballet me rezistencën demokratike të të gjithë shoqërisë dhe jo thjesht të Partisë Socialiste, e cila do të jetë energjikisht në krah të sipërmarrjes që po lëngon dyfish për shkak të krizës ekonomike e të trysnisë antiliri e antikonkurrencë të pushtetit të korrupsionit, në krah të të rejave e të të rinjve që nuk fitojnë dot vendin e punës që meritojnë, në krah të bujqve e fermerëve që nuk shesin dot prodhimin e tyre të stërmundimshëm, në krah të kujtdo që nuk jeton dot me punën e tij të ndershme në Shqipërinë ku politika e vjetër e dasisë dhe e urrejtjes në pushtet vazhdon të ndajë për interesat e veta jo të bashkojë për interesat e të gjithëve.

Ne do të jemi në krah të ish-ushtarakëve që u mohohet një e drejtë kushtetuese, ne krah të minatorëve që u mohohet një e drejtë njerëzore, në krah të personave me aftësi të kufizuar që u mohohen të drejtat më elementare.

Ne do të jemi në krah të mësuesve e të mjekëve, që përballen me kërkesat më të mëdha e urgjente të shoqërisë dhe do të mbrojmë me këmbëngulje alternativat e programit tonë për arsimin e shëndetësinë, ndërkohë që shërbimi arsimor e shëndetësor kanë falimentuar tërësisht nën pushtetin e papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit", u shpreh Rama.

Rama ka falënderuar të gjithë ata socialistë në mbarë vendin që e votuan për ta rizgjedhur sërish në krye të selisë rozë.

Kreu i ri i PS nuk ka harruar të falenderojë dhe kandidatin e vetëm në garën për kreun e PS, Maqo Lakrori dhe i ka shtrirë këtij të fundit dorën për bashkëpunim me qëllim që PS të jetë sa më e forcuar dhe e bashkuar.

KOMENTE