English

Presidenti Topi pret Drejtorin rajonal të NDI-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, Benxhamin

Tiranë, 29 shtator NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Drejtorin Rajonal të Institutit Demokratik Kombëtar amerikan (NDI) për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benxhamin dhe delegacionin që e shoqëronte, me të cilët zhvilloi një takim pune.

Kryetari i Shtetit vlerësoi rolin e hartimit dhe zbatimit të disa programeve të NDI-së në Shqipëri, si ato mbi pjesëmarrjen në politikë, monitorimin e procesit zgjedhor, dhe së fundi dhe programin e quajtur "Zhvillimi i Liderëve të Rinj në politikë dhe rritja e pjesëmarrjes së gruas".

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve më aktuale të jetës politike në Shqipëri, duke folur mbi ecurinë e reformave të gjithanshme në vend dhe duke u ndalur veçanërisht në reformat institucionale.

Nga ana e tij, Drejtori rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore i Institutit Demokratik Kombëtar amerikan, Robert Benxhamin, pasi e falënderoi Presidentin Topi për pritjen, shprehu vlerësimin për rolin e rëndësishëm moderator si garant i Kushtetutës si dhe mbështetjen e pakursyer të Kreut të shtetit shqiptar ndaj nismave dhe projekteve të ndërmarra nga Instituti në vendin tonë për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare.

k.k/NOA

KOMENTE