English

Kapja në Tiranë e drejtorit të Hipotekës Vlorë, policia në kërkim të një zyrtari të dytë

Tiranë, 2 Tetor NOA Update - Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë në bashkëpunim me një ekip special të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po përpiqet të arrestojë një zyrtar të dytë për aferat e dyshuara korruptive në hipoteka.

Burimet policore i konfirmuan lajmin agjencisë NOA duke bërë të ditur se ende operacioni është në zhvillim e sipër në zonën e Vlorës.

Më herët, rreth 19.00, në Tiranë, u arrestua përmes një operacioni të posaçëm, Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) të Qarkut Vlorë.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, i thanë agjencisë NOA se Edmond Banushi, është prangosur me akuzat e ngritura nga Prokuroria për shpërdorim të detyrës, konsumim të korrupsionit aktiv dhe pasiv dhe falsifikim të dokumenteve e kryer në bashkëpunim.

Banushi, prej rreth katër vitesh drejton zyrën hipotekare të Qarkut Vlorë.

Mësohet se të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi zyrtarin tjetër, emri i të cilit nuk do të publikohet deri në arrestimin e tij.

Burimet policore bënë të ditur se për dy të dyshuarit dhe disa të tjerë, që mendohen si të përfshirë në krimin e abuzimit me troje në rolin e shpërdoruesit të detyrës dhe përfituesit, kanë arritur të falsifikojnë dokumente duke bërë pronarë në mënyrë të pandershme, disa persona, identiteti i të cilëve nuk është i qartë.

Edmond Banushi, ka qenë drejtor i ZRPP që nga viti 2006, i propozuar nga Partia Demokratike dhe njihet në Vlorë si një ndër emrat më afër kësaj partie.

e.r/NOA/Vijon me update...

KOMENTE