English

Fitorja e PASOK në Greqi, nuk reshtin festimet për rikthimin në pushtet të socialistëve

Loja e rrezikshme e Kostas Karamanlisit për të thirrur zgjedhje të parakohshme dështoi në mënyrë spektakolare

Nga Robert Goro Athinë, 6 Tetor NOA/BBC - Partia Socialiste e opozitës në Greqi ka fituar lehtësisht zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Udhëheqësi socialist, Jorgo Papandreu shpalli fitoren pasi rezultatet paraprake treguan se partia e tij kishte një avantazh prej më shumë se 8 për qind.

Kjo diferencë është e mjaftueshme për të marrë shumicën absolute në parlament.

Teksa rezultati u bë i qartë, kryeminstri Costas Karamanlis, pranoi humbjen dhe më pas dha dorëheqjen si lideri i konservatorëve të partisë Demokracia e Re.

Duke folur në Athinë, zoti Papandreu premtoi stimulimin e ekonomisë me një paketë prej 4.5 miliardë dollarësh.

Loja e rrezikshme e Kostas Karamanlisit për të thirrur zgjedhje të parakohshme dështoi në mënyrë spektakolare.

Në Athinë dhe në qytete të tjerë të Greqisë kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit festimet për rikthimin në pushtet të socialistëve, pas një mungese më shumë se pesëvjeçare.

Deri pak më parë, kur ishte numëruar 90% e votave, Lëvizja Socialiste Panhelenike, PASOK, ka një kuotë prej 43, 9% të dhe 160 vende në parlament, duke siguruar një maxhorancë të mjaftueshme për të implementuar programin e vet, për kryerjen e reformave të domosdoshme jo vetëm në sektorin ekonomik.

"Sot ndryshojmë kursin për Greqinë dhe jetën e të gjithë neve. Prej sot fillojmë së bashku një përpjekje të madhe kombëtare. Ta vëmë vendin përsëri në një rrugë rimëkëmbjeje, përparimi, krijimi. Në këtë rrugë të re, busull e vetme e jona, kriter i vetëm për çdo vendin tonin, për çdo veprim, është qytetari. Qytetari dhe vetëm qytetari", tha zoti Papandreu, që e filloi dukshëm i emocionuar deklaratën e parë zyrtare si fitues i zgjedhjeve.

"Unë i njoh shumë mirë mundësitë kolosale të këtij vendi, fuqitë që mbyten nën korrupsionin, klientelizimin, shkeljen e ligjshmërisë dhe shpërdorimin,"- tha më tej kryetari i PASOK-ut, duke u angazhuar, siç tha, të mobilizojë gjithë forcat e veta, që t'u kthejë grekëve besimin në vetvete.

Ndonëse kjo ishte një fitore që pritej, diferenca prej 10 për qind nga Demokracia e Re, që mori 92 deputetë në këto zgjedhje, i jep përmasat e një triumfi të vërtetë.

Konservatorët kanë pësuar humbjen më të thellë të 30 viteve të fundit, gjë që ka ndikuar në vendimin e deri dje kryeministrit, Kostas Karamanlis, të japë dorëheqjen nga kreu i partisë.

"Marr përsipër përgjegjësinë e rezultatit dhe inicoj procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Demokracisë së Re,"- tha Karamanlis duke shtuar se pas një muaji do të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, ku ai nuk do të kandidojë për postin e kryetarit".

Në deklaratën e tij një orë para mesit të natës, Kostas Karamanlis insistoi se politika e tij ishte rezultative dhe realiste, mirëpo, shtoi, populli nuk e miratoi këtë politikë dhe përzgjedhja e tij është e respektueshme.

Ai tha se përgëzon rivalin e vet Jorgos Papandreu për fitoren dhe se i uron sukses në sfidën e madhe për përballimin e krizës ekonomike. Kostas Karamanlis shpalli para një muaji zgjedhje të parakohshme, plot dy vjet pasi kishte rifituar mandatin e dytë në zgjedhjet po ashtu të parakohshme.

Ai kërkonte ripërtëritjen e mandatit me maxhorancë të fuqishme, për të avancuar programin e vet shtrëngues që synonte nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike.

Ai kishte parashikuar se do t'i duheshin dy vjet për ta nxjerrë ekonominë na gjendja e recensionit.

Gjatë fushatës elektorale, Kostas Karamanlis e kishte paraqitur situatën me ngjyra tepër të zymta dhe kishte theksuar se qe i obliguar t'u thoshte grekëve të vërtetën e mos t'u premtonte gjëra të parealizueshme.

Në të kundërt, Jorgos Papandreu ka treguar se i sheh gjërat me më shumë optimizëm dhe u përpoq t'u jepte shpresë grekëve, duke theksuar se vendi i ka resurset e nevojshme. Tani, është radha e tij që të vërtetojë se nuk do t'i zhgënjejë shpresat e grekëve.

Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 4 tetorit, do të ketë në përbërjen e vet po ato parti që ishin në legjislaturën e kaluar. Tri partitë më të vogla, ajo komuniste, koalicioni i majtë dhe partia e djathtë LAOS, e kanë rritur numrin e deputetëve, në sajë të ligjit favorizues elektoral që u zbatua për herë të parë në këto zgjedhje.

KOMENTE