English

Ministri Prifti, drejtorit të ri të KESH: Kërkoj 24 orë drita për shqiptarët

Tiranë, 5 tetor, NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, i cili deri dje ka qenë drejtor i Divizionit të Prodhimit në këtë ndërmarrje.

Gjatë ceremonisë përkatëse, ministri Prifti përveç urimeve që i ka dhënë Stojkut për detyrën e re, ka kërkuar prej tij që të japë sa më shpejt rezultatet e para në mbarëvajtjen e kompanisë KESH sh.a.

"Kërkoj përmirësime financiare dhe menaxhim të mirë të furnizimit me energji elektrike", ka pohuar Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Më pas, ai ka deklaruar se kërkon nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare furnizim optimal për qytetarët gjatë periudhës së ftohtë të vitit.

"Kërkoj 24 orë drita për shqiptarët", ka deklaruar Prifti para drejtorit të ri të KESH-it.

Stojku erdhi në postin e drejtimit të KESH-it, pasi ai u braktis nga Gjergj Bojaxhiu, ish-drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Dorëheqja e Bojaxhiut erdhi një ditë pasi Prifti shkarkoi tërësisht Këshillin Mbikëqyrës të KESH i cili bashkëdrejtohej nga Bojaxhi. Si për Bojaxhiun dhe për Stojkun, KLSH kishte kërkuar paralajmërim për shkarkim nga detyra.

n.e/NOA

KOMENTE