English

Rrjeti i Organizatave Shqiptare: Enciklopedia, një marrëzi absolute

Shkup, 7 tetor, NOA - Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RrOSh), përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin e tij me rastin e botimit të Enciklopedisë Maqedonase nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

"Në këtë enciklopedi është shtrembëruar e vërteta shkencore dhe historike rreth autoktonisë së pjesës së popullit shqiptar që jeton brenda kufijve të shtetit të sotëm të Maqedonisë, duke fyer kështu të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe secilin veç e veç. Është e palejueshme që historia e popullit shqiptar të shkruhet në mënyrë tendencioze dhe ofenduese, bazuar në të pavërteta dhe trillime", thuhet në deklaratën e RrOSh.

Sipas Rrjeti i Organizatave Shqiptare, cilësimi i popullit të lashtë shqiptar, pasardhës të ilirëve, si "malësor" dhe ardhacak në trojet të cilat banon prej më tepër se 25 shekujsh, është marrëzi absolute.

Nëpërmjet kësaj deklarate shprehim indinjatën tonë të thellë për moskonsultimin e historianëve dhe intelektualëve shqiptar nga Maqedonia si dhe Akademive në Tiranë dhe Prishtinë rreth çështjeve lidhur me historinë e popullit shqiptar. Ky veprim, ka një ndikim tejet negativ, veçanërisht në vijim të projekteve antishqiptare të kohëve të fundit për përvetësimin e vlerave dhe personaliteteve historike të kombit tonë me rëndësi universale siç janë Skënderbeu dhe Nëna Tereza.

"Kjo "vepër" e AShAM nxit urrejtje ndëretnike në Maqedoni dhe do të ketë ndikim në ardhmërinë e saj. Kohezioni edhe ashtu i brishtë ndëretnik ne Maqedoni, përsëri është në shënjestër. Rrosh në vijim të tërheqjes së kësaj enciklopedie, kërkon me ngulm dhe me të drejtë të plotë, korrigjimin e pjesës së kontestuar nga ana e ekspertëve shqiptar si dhe plotësimin e saj me përmbajtje të reja të cilat do të kishin qenë në funksion të barazisë mes qytetarëve, si parakusht i bashkëjetesës së qëndrueshme në Maqedoni, me kontributin aktiv të studiuesve shqiptarë, pranë kësaj akademie, të cilët duhet të monitorojnë dhe aprovojnë përmbajtjen a ardhshme të enciklopedisë, për të evituar inicidente të turpshme si ky i fundit", thuhet më tej në komunikatë.

Sipas RrOSh, çdo përsëritje e trillimeve pas korigjimit do të konsiderohet si provokim i qëllimshëm.

"Njëkohësisht kërkojmë nga Tirana dhe Prishtina që të jenë më energjike në mbrojtjen e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve, ndaj çdo tendence për përdhosje të këtij dinjiteti dhe krenarisë sonë nga cilido qoftë projekt hegjemonist i fqinjëve, edhe pse shqiptarët, ashtu si ndër shekuj, karakterizohen edhe sot nga toleranca, respekti për cdo etni dhe kultura e gjerë e bashkëpunimit", thuhet në fund të komunikatës.

NOA-INA

KOMENTE