English

Ulrike Lunacek: Zgjedhjet në Kosovë, të marrin pjesë të gjithë

Bruksel, 9 tetor, NOA - Raportuesja e posaçme për Kosovën ne Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, i tha BBC-së se zgjedhjet lokale në Kosovë, përfshirë mënyrën e organizimit të tyre dhe shkallën e pjesëmarrjes së qytetarëve, do të jenë një dëshmi për BE-në se cilat janë të arriturat në vend. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës e në veçanti serbëve lokalë, që të marrin pjesë në zgjedhje. Ajo tha se përveç misionit të Komisionit Evropian edhe Parlamenti i Evropës do të dërgojë një grup prej afro shtatë deputetësh për të përcjellë zgjedhjet, megjithëse nënvizoi se organizmat evropianë, për shkak të pamundësisë ligjore, nuk i vëzhgojnë zgjedhjet lokale në asnjë vend.

 Zonja Lunacek, vlerësoni ju se prania e misioneve të vogla në zgjedhjet lokale të Kosovës, a është më shumë simbolik?

- Komisioni po e dërgon praninë e tij, por me shumë gjasë javën e ardhshme do të vendoset nga presidenca e grupit në Parlamentin Evropian për të dërguar 5 deri në 7 deputetë, gjithashtu. Realisht, ky nuk është një mision i vërtetë vëzhguesish. Problemi është se në të gjitha nivelet, qoftë në OSBE ose në BE, standardi ose kriteri për dërgimin e misioneve të vëzhgimit është se duhet të ketë zgjedhje kombëtare. Në këtë rrafsh ishte një lloj kompromisi për të thënë se nuk do të jetë një mision i vërtetë vëzhgimi, por vetëm një delegacion i cili do të bashkëpunojë me misionet e vëzhgimit që gjenden atje, me grupet joqeveritare, me autoritetet vendore, me qëllim që të shihet se çfarë mund të bëhet në një kohë të shkurtër. Kjo është gjendja aktuale. Mendoj se është mirë të tregohet se BE-ja është e interesuar, por njëri nga problemet ishte procesi i zgjedhjeve evropiane, procedimet e Komisionit dhe kjo e parandaloi marrjen e vendimit më herët. Mendoj se çështja kryesore ishte se një mision i vërtetë i vëzhgimit nuk mund të dërgohet për shkak të kritereve ekzistuese, sepse këto nuk janë zgjedhje kombëtare, por lokale dhe ky ishte kompromisi që u gjet.

Por edhe Parlamenti Evropian po e dërgon një mision të vogël, megjithëse ai e ka pranuar përgjithësisht pavarësinë e Kosovës.

- Për shkak se, sikundër u mundova të shpjegoj. Vendimi megjithatë ende nuk është marrë dhe ai pritet të merret nga presidenca e grupit javën e ardhshme. Por çështja është se Parlamenti i ri është krijuar në korrik, kurse arsyeja kryesore është se në mënyrë ligjore nuk është e mundshme që të dërgohet një mision vëzhguesish për zgjedhjet lokale. Është një përjashtim se BE-ja, Komisioni dhe Parlamenti thonë se do të dërgojnë një delegacion i cili nuk do të jetë një mision i vërtetë vëzhgimi, për shkaqe ligjore. Nuk është e mundshme që të bëhet për zgjedhjet lokale, për shkak të kritereve të vendosura gjatë viteve. Sidoqoftë, do të dërgohet një delegacion i cili do të bashkëpunojë me vëzhguesit që janë atje me qëllim që të dëshmojë se këto zgjedhje lokale janë të rëndësishme për Kosovën dhe BE-ja i sheh ato si të rëndësishme.

Këtu ka një frikë posaçërisht në mesin e shoqërisë civile se nëse këto zgjedhje nuk do të kenë një mbikëqyrje të drejt dhe të paanshme do të mund të kenë probleme.

- Po, por unë u mundova të sqarojë se e kemi këtë situatë. Dhe na duhet t'u përmbahemi kushteve ligjore që kemi ne. Por më duhet t'ju them se unë jam raportuese e re për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe kur kam qenë në Prishtinë dy javë më parë, kam provuar që të diskutoj me autoritete të ndryshme, por edhe kam provuar të inkurajojë komunitetin serb që të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo është ajo që BE-ja po provon të bëjë, kjo është ajo që ne si parlamentarë dhe unë si raportuese po provojmë të mbështesim. Thjeshtë në mënyrë tjetër nuk ka qenë e mundur të bëhet. Mendoj se Parlamenti Evropian, si një prej institucioneve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe unë dhe gjithashtu edhe ish-raportuesi për Kosovën, kemi një pikëpamje që gjërat të ecin përpara duke mbështetur shoqërinë civile dhe autoritetet në Kosovë. Ne po provojmë që ta tregojmë këtë dhe unë e kam dëshmuar me vizitën time që në javën time të parë të emërimit si raportuese, se ka një interesim të fuqishëm për proceset që po zhvillohen aktualisht në Kosovë.

A mund të thuhet se zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë një lloj standardi që do të vlerësohet në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane?

- Natyrisht se po. Mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje si dhe çështja e pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës, që përfshinë edhe serbët lokalë, do të shihet nga shumë se sa është arritur deri tani. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për këto zgjedhje. Por EULEX-i dhe organizmat e tjerë të BE-së po bëjnë gjithashtu atë që është e mundur për të vëzhguar dhe për të mbështetur përgatitjet për këto zgjedhje. Prandaj, këto zgjedhje do t'i dëshmojnë BE-së se cilat janë arritjet e autoriteteve të Kosovës dhe unë shpresoj se do të ketë një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje e posaçërisht të serbëve të Kosovës. Kjo për faktin se me fillimin e procesit të decetralizimit, është me rëndësi që ata të marrin pjesë në zgjedhje dhe të marrin gjërat në duart e tyre. Kjo është vlera e zgjedhjeve lokale ku qytetarët kanë fjalën e tyre të vërtetë për të ndryshuar jetën e përditshme. Prandaj, unë shpresoj se qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, do të marrin pjesë në këto zgjedhje, sepse kjo është mënyra se si ata e marrin në duart e tyre jetën politike.

Dhe, kjo është porosia që i keni dhënë edhe Beogradit, për të lëjuar pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje?

- Unë do ta bëj këtë. Ne do të kemi vizitat e ministrave serbë në Parlamentin Evropian por gjithashtu unë do të provoj që të mbështes organizatat joqeveritare në Beograd që duan të motivojnë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Dhe, më lejoni që të shkëputemi pak nga zgjedhjet, çfarë është bërë me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës?

- Kishim një pikëpamje të fuqishme në Parlamentin Evropian, nga pothuaj të gjitha grupet politike, se në paketën e liberalizimit të vizave që e ka përgatitur Komisioni Evropian, duhet të ketë një porosi për Kosovën se dialogu për liberalizim të vizave duhet të fillojë dhe pastaj një udhërrëfyes do të përgatitet. Kjo sepse shumë nga ne, jemi të bindur se nuk ka mundësi që qytetarët e Kosovës të lihen jashtë kësaj pakete. Ajo që është arritur në Komitetin për Politikë të Jashtme është që të kemi një opinion në raportin që është përgatitur në Komitetin për liritë dhe që paraqitet javën e ardhshme, që të kemi një deklarët të qartë për rregulloren se duhet të ketë një fillim të dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën dhe që pastaj udhërryesit të përgatitet. Kjo është pranuar nga shumica në Komitetin për politikë të jashtme dhe unë jam e kënaqur me këtë. Kjo u arrit me pajtimin e pothuaj të gjitha grupeve. Tani po punojmë për këtë dhe duhet të kalojë edhe në Komitetet e tjera dhe pastaj duhet të lobizojmë tek të gjitha qeveritë e vendeve anëtare që ta marrin parasysh në rregullore në muajin dhjetor. Unë e shoh një rast të mirë që kjo mund të ndodh dhe unë e shumë kolegë të tjerë parlamentarë po punojmë shumë për këtë.

BBC

KOMENTE