English

Drejtori i Tirana Bank thotë se u ofrohet financim vetëm projekteve serioze

"Viti 2010 do të jetë i vështirë. Ekonomia shqiptare nuk është prekur shumë nga kriza ekonomike, por problemet e saj me papunësinë vijojnë të jenë prezente. Ndaj nuk ka vend për optimizëm, por duhet bërë kujdes në drejtim të konsumatorëve apo bizneseve", - thekson Santixis

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 10 tetor NOA - Viti 2010 nuk do të jetë i lehtë për ekonominë shqiptare, pasi kriza nuk mund të thuhet se ka kaluar. Në Shqipëri problemet janë ende prezente.

 Ky është mendimi i drejtorit të Tirana Bank, Dimitris Santixis. Duke folur me agjencinë e lajmeve NOA, ai shprehet se të gjithë aktorët duhet të bëjnë kujdes vitin e ardhshëm dhe të marrin masat e duhura.

"Viti 2010 do të jetë i vështirë. Ekonomia shqiptare nuk është prekur shumë nga kriza ekonomike, por problemet e saj me papunësinë vijojnë të jenë prezente. Ndaj nuk ka vend për optimizëm, por duhet bërë kujdes në drejtim të konsumatorëve apo bizneseve", - thekson Santixis.

Nisur nga vështirësitë financiare që mund të shfaqen tek kredimarrësit, z.Santixis thotë se Tirana Bank ka publikuar dy politika të reja për t'i ardhur në ndihmë klientëve të saj.

"Nëse dikush nga klientët tanë mund të ketë probleme me kreditë hipotekore, kjo bankë i ofron mundësinë që të paguajë 50 % më pak të këstit mujor", - informon drejtori. Ndërkohë në fokusin e punës së saj, - shton ai, - do të jenë edhe ata kreditorë që mund të humbasin vendin e punës, pasi gjithçka mund të ndodhë. Edhe për ata do të lehtësohen pagesat e principalit dhe interesave deri në 50%.

Por për drejtorin e bankës i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me qeverinë.

Ai kërkon që sistemi bankar të jetë më i informuar nga ekzekutivi lidhur me projektet e reja.

Por banka do të financojë vetëm ato që janë të mirëstudiuara dhe nuk do të kreditojë cilindo që kërkon të bëjë biznes.

"Ne do të mbështesim çdo projekt i cili nuk bie ndesh me bukurinë natyrore, për shembull nuk jemi dakord të ndërtojmë një pallat me 10 kate në qytetin e Gjirokastrës. Ajo çfarë në mendojmë është se, pamja e Shqipërisë duhet të jetë më e organizuar", - shprehet Santixis.

Sipas tij banka nuk do të mbështesë investimet spontane, të cilat nuk I shërbejnë zhvillimit pozitiv të ekonomisë.

Mbi të gjitha banka do të japë kredi vetëm për ato biznese që janë vërtet të tilla, por nuk do të kreditojë cilindo që do të bëjë biznes.

Sipas zotit Santixis e rëndësishme është krijimi i planeve urbanistike, të cilat do të orientojnë saktë, jo vetëm zhvillimin por dhe financimin nga sistemi bankar.

r.l/f.sh/NOA

KOMENTE