English

Greqi, një shqiptar, autor i dyshuar i përdhunimit në banjë publike të turistes 47-vjeçare

Kretë, 11 tetor NOA - Policia greke deklaroi sot se ka identifikuar një të ri shqiptar si autor të përdhunimit të një turisteje 47-vjeçare, ngjarje që ka tronditur qytetin e Haniasë në Kretë.

Bashkëpunëtori i agjencisë NOA informon se ngjarja është denoncuar nga gruaja 47 vjeçare, turiste nga Finlanda e cila prej disa ditësh gjendej në zonën turistike të Kretës për pushime, por shqiptari refuzoi të kishte kryer seks me dhunë.

I riu shqiptar, një 27 vjeçar me leje të rregullt qëndrimi në Greqi, është dërguar në gjykatën e Kretës ku i është caktuar masa e sigurisë së arrestit në burg.

Duke folur për hetimin, policia pohoi se 27-vjeçari nuk e ka pranuar krimin duke deklaruar se gruaja bëri seks me të, me dëshirën e saj, por gjithsesi, ai po i nënshtrohet hetimit deri në daljen në shqyrtim gjyqësor.

Sakaq, 47-vjeçarja i është nënshtruar dhe kontrollit mjekësor nga u vërtetua se kishte qenë viktimë përdhunimi.

Nga hetimet dhe denoncimi i kryer në policinë e Haniasë, ka dalë se 47-vjeçarja gjendej në orët e mbrëmjes në një banjë publike kur është përballur me dhunën seksuale.

Ndërsa po kryente nevoja personale, në banjë është futur një djalë i ri i cili duke përfituar nga fakti se 47-vjeçarja ishte e pambrojtur.

"Unë kisha dalë në mbrëmje për të darkuar dhe më tej shkova në një klub nate dhe në kthim për në shtëpi më duhej të ndalesha në banjën publike", ka përshkruar 47-vjeçarja në kallëzimin e bërë.

"Ai më qëlloi disa herë para se të bënte atë që kishte planifikuar dhe kur arriti të më paralizojë dhe të mos mundesha të bëja asgjë për të shpëtuar, më përdhunoi", ka dëshmuar viktima e përdhunimit të dyshuar.

Turistja finlandeze, ashtu si dhe policia, dyshojnë shumë se për të arritur qëllimin e tij, 27-vjeçari e kishte ndjekur atë që nga klubi i natës deri në banjën publike.

"I dyshuari besohet se ka shfrytëzuar faktin se në atë orë të natës nuk kishte njerëz të tjerë në banjë dhe ka arritur të kryejë me turisten, marrëdhënie seksuale me dhunë", - u shpreh policia.

Pas ngjarjes, agresori është larguar në drejtim të paditur, kurse turistja dëshmoi se iu deshën disa orë që të vinte në vete pas gjendjes së shokut që pësoi nga akti i dhunshëm.

Në orët e para të mëngjesit ajo ka shkuar në rajonin policor të Haniasë, disa qindra metra larg nga vendi i ngjarjes ku edhe ka kryer kallëzimin penal.

Policia tha se iu deshën vetëm disa orë për të arrestuar të dyshuarin e krimit, banor i Haniasë, i cili u identifikua menjëherë nga viktima e përdhunimit të dyshuar.

Pas prangosjes, 27-vjeçari refuzoi të pranojë se ishte autor përdhunimi, duke këmbëngulur se së bashku kishin bërë seks me dëshirë.

"Përballë pretendimit të të dyshuarit, gjendet dëshmia dhe kallëzimi penal i turistes finlandeze si dhe rezultatet e kontrollit mjekësor që evidentoi shenja dhune në trup, qafë dhe duar tek viktima e përdhunimit", deklaroi policia e cila shtoi se do t'i vazhdojë hetimet për ngjarjen.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE