English

Milk dhe Elaine Noble

Harvey Milk është krijuesi modern i lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve në Amerikë. Ai bëri më shumë se kaq - tregoi se si mund të mposhtet diskriminimi dhe se si njeriu duhet vlerësuar nga vetitë e aftësitë e tij

Nga Elsa Ballauri* "Milk" erdhi në Tiranë katër ditë më parë dhe u shfaq në sallën gjysmë të errët dhe interesante të "Black Box". Elaine Noble arriti në Tiranë përpara një jave, takoi shumë njerëz që i përkasin komunitetit homoseksual në Shqipëri, takoi shumë dashamirës dhe rrëfeu me modesti jetën e saj aktive si mbrojtëse e të drejtave të njeriut. Dhe, katër ditë më parë, ajo takoi Harvey Milk, mikun e saj të vjetër. Nëpërmjet ekranit të Black Box'it, u mallëngjye dhe kërkoi në kujtesë detajet e një jete që ndonëse ka dekada që është shuar, ka lënë një ndriçim të fortë dhe një zjarr që iu nevojitet qindra njerëzve në botë t'i ngrohin së paku duart... "Milk" dhe Elaine Noble u ftuan të dy të jenë të pranishëm në Tiranë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, një tjetër xhest i delikat dhe human i z. Withers... Harvey Milk është një nga personalitetet e njohura të të drejtave të homoseksualëve në botë. I lindur në vitin 1930, në një Amerikë ku personat gay e ndjenin veten të terrorizuar, Harvey Milk deri në moshën 40 vjeçare nuk u shfaq si i tillë në New York'un tradicional. Ai preferoi të zhvendoset në Kaliforninë liberale dhe gjeti në lagjen Castro (një nga më të famshmet në botë të komunitetit homoseksual), hapësirën si veprimtar i të drejtave të njeriut dhe si një politikan i ardhshëm. Elaine Noble u njoh me Harvey'n kur ai jetonte ende në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Ajo e kujton atë si një njeri rrezatues, karizmatik, me humor, të gjerë dhe të mençur. Elaine kujton edhe të tjera ngjarje që iu ndodhnin personave gay në atë kohë. Tregimet e saj të çojnë në një botë bardhezi, pak a shumë siç është edhe ajo e Shqipërisë së sotme për personat homoseksualë: vuajtja për t'u rrëfyer tek prindërit, pasojat që mund të kishte familja, opinioni i rëndë dhe fyes, izolimi dhe përbuzja. Ajo ishte një mësuese e dashuruar me profesionin e saj dhe duhej të heshtte kur ia shponin gomat e makinës. Por, ajo ka mësuar diçka të madhe: dashuria dhe mbështetja e njerëzve të familjes është më e rëndësishmja në botë. Duke dëgjuar Elain gjithmonë e më tepër kupton se bota ka ecur dhe ecën në të njëjtat gjurmë, njeriu ndjen dhe (s)kupton njëlloj, se jeta njerëzore ka një rregull në të cilin do të hyjnë të gjithë shpejt a vonë dhe ky quhet rregulli i dashurisë dhe i mirëkuptimit, i respektit për tjetrin. Sado gjurmë urrejtjeje të jetë lënë pas, sado shkatërrim dhe humnera, vjen një ditë që çdo gjë qartësohet dhe ndriçohet… Tregimi i saj është optimist dhe ndonëse fati i Harvey Milk ishte me një fund tragjik (ai u vra në vitin 1978, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së San Francisco's, Xhorxh Moskone, nga një koleg i dëshpëruar që kishte humbur punën), jeta e tij ishte modeli i ëndrrës drejt lirisë. Milk tash

më është personazhi mitik i Amerikës në fushën e të drejtave të njeriut dhe ato të personave me orientim të caktuar seksual. Në gusht të vitit 2009, ai u dekorua pas vdekjes nga presidenti Obama me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Harvey Milk është krijuesi modern i lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve në Amerikë. Ai bëri më shumë se kaq - tregoi se si mund të mposhtet diskriminimi dhe se si njeriu duhet vlerësuar nga vetitë e aftësitë e tij. Dy elementë të rëndësishëm e ndihmuan atë në këtë fitore: lëvizja shoqërore e viteve '60 -‘70 dhe San Francisko me lagjen e vet liberale të Castros, ku Milk zhvilloi veprimtarinë e tij shoqërore dhe politike. Milk është i pari anëtar gay i Bordit të Mbikëqyrësve të San Franciscos dhe kjo ndodhi në Amerikën e vitit 1977. Elaine Noble e pa edhe njëherë mikun e saj të vjetër nëpërmjet fytyrës së Sean Penn, i cili ka luajtur me një mjeshtëri të rrallë rolin e Milk'ut. Edhe kjo nuk është një rastësi: i rritur në Kaliforni, Penn është një nga aktorët që ka një aktivitet të njohur shoqëror dhe politik. Ai e ka ringjallur figurën e Milk'ut me një dashuri dhe pasion të përkryer. "Milk" është një nga filmat e domosdoshëm për Shqipërinë: nuk i bën njerëzit vetëm të qajnë, por edhe të mendojnë shumë, edhe të kuptojnë shumë, edhe të duan shumë… Jo rastësisht "Milk" është rikthyer në kinemanë amerikane me një debutim që ka fituar më shumë se 15 çmime. Jo rastësisht kinematografia hollivudiane ka sjellë në memorie një nga personalitetet e të drejtave të pakicave homoseksuale. Sepse është koha të flitet, është koha të kujtohet, është koha për më shumë mirëkuptim në botë. Elaine Noble, aktivistja e njohur e të drejtave të njeriut dhe të personave gay, gjeti në Shqipëri një realitet të lodhur, por i dalloi menjëherë ylberët e ndryshimit tek veprimtarët e Aleancës Kundër Diskriminimit, pa se si njerëzit mbushën radhët e Black Box'it dhe të gjithë ndenjën deri në fund, të gjithë u përlotën me fatin tragjik të Harvey Milk deri në fund, dhe të gjithë ishin të interesuar të shihnin tek ajo një nga njerëzit që ka sjellë ndryshime në ish-Amerikën konservatore dhe që vjen për të dhënë shkëndija shprese në Shqipërinë aktuale konservatore.Â

(*) Ripublikim nga "Panorama"/ Foto: NOA/LSA

KOMENTE